Fjala e z-njës Hyland gjatë tryezës së rrumbullakët për kryetarë komunave dhe Korpusin e Paqes

Fjala e z-njës Hyland gjatë tryezës së rrumbullakët për kryetarë komunave dhe Korpusin e Paqes, 12 dhjetor 2018

Faleminderit, Darlene.  Mirëdita të gjithëve.

Staf dhe vullnetarë të Korpusit të Paqes, ju faleminderit për mundësinë për të shfaqur mbështetjen e ambasadës sonë për punën tuaj në Kosovë dhe për të dëgjuar më shumë për programet tuaja.

Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë, kryetarë komunash që jeni këtu, mirë se vini.  I kam vizituar një numër të komunave tuaja dhe kam marrë pjesë bashkë me ju për të festuar disa prej punëve që vullnetarët tanë të Korpusit të Paqes i kanë bërë atje.

Prandaj, së pari më lejoni t’ju falënderoj për partneritetin tuaj me Korpusin e Paqes dhe me vullnetarët tanë, të cilët vijnë këtu plot me energji dhe të gatshëm për të punuar me popullin e Kosovës.

Me të vërtetë besoj se nuk ka partneritet më të mirë për Korpusin e Paqes se atë që e kanë me Kosovën.  Ju keni popullatën më të re në Evropë dhe 70 vullnetarët tanë, që momentalisht po japin mësim në shkollat tuaja dhe punojnë në bashkësitë tuaja, flasin drejtpërdrejtë me të rinjtë e Kosovës dhe shpresoj, i frymëzojnë për të përmirësuar aftësitë e tyre për gjuhë dhe për të gjetur mënyra për tu angazhuar më shumë në bashkësitë e tyre.

Vullnetarët tanë punojnë në çift me disa prej mësimdhënësve tuaj më me përvojë, duke punuar në klasa për të ngritur nivelin e njohurisë të gjuhës angleze që e nxënë nxënësit tuaj.

E jashtë klasës, ata bëjnë shumë më shumë.  Ata kanë zgjedhur që t’ua kushtojnë dy vite të jetës së tyre juve dhe nxënësve tuaj, e ky përkushtim nuk ndalon te dyert e shkollës.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes hulumtojnë dhe nisin projekte në bashkësi, siç është ai në Vushtrri për zhvillimin e udhëheqjes në nivelin e shkollës së mesme.  Me mbështetjen e Drejtorit komunal për kulturë, rini dhe sport, vullnetarët kanë punuar me një grup nxënësish për përhapjen e idesë së shërbimit për komunitet përmes veprimtarive pas orëve të mësimit dhe ngjarjeve tjera në bashkësi.  Kjo bëri që këta nxënës tani po ndërmarrin veprim duke themeluar organizatat e tyre në shkollat e tjera, duke iu ofruar më shumë të rinjve mundësi për arsim joformal dhe duke promovuar shërbimin në komunitet.

E di se dëshironi që të bëni gjithçka që mundeni për të rinjtë në komunat tuaja, sepse fundja ata janë prijësit, ndërmarrësit dhe mësimdhënësit e ardhshëm të komunitetit tuaj.

Por, po ashtu e di se keni resurse të kufizuara dhe shumë kërkesa konkurruese për ato resurse.  Le të jenë vullnetarët tanë resurse për ju.  Dr. Grant dhe stafi i saj duan të punojnë me juve për të gjetur shkolla ku vullnetarët do të ishin të suksesshëm, për të identifikuar familje nikoqire për vullnetarë që ata ta kuptojnë më mirë kulturën tuaj unike dhe të pasur, si dhe organizata me të cilat mund të bashkëpunojnë ashtu që vullnetarët të kenë mundësi ti zgjerojnë përpjekjet e tyre nëpër tërë komunitetet tuaja.

Pas pak disa vullnetarë dhe kolegët e tyre vendorë do ta përshkruajnë punën e tyre.  Ju nxis ti dëgjoni dhe të paramendoni gjithçka që partneriteti me Korpusin e Paqes mund t’ju ndihmojë për të arritur në komunitetet tuaja.

Gjithashtu, dëshiroj t’ju falënderoj që i strehoni vullnetarët tanë të Korpusit të Paqes sepse sa është e rëndësishme për ju që të rinjtë tuaj të kenë mundësi t’ju ekspozohen kulturave të ndryshme, të udhëtojnë, ti njohin amerikanët; është po aq e rëndësishme edhe për Shtetet e Bashkuara që të rinjtë amerikanë t’ju ekspozohen kulturave të ndryshme, të jetojnë jashtë vendit, të kuptojnë çka ndodh në vendet e tjera, ta shohin si është Evropa, si është Kosova, ta njohin historinë tuaj unike.  Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe amerikanët ti ekspozohen botës jashtë.  Prandaj, dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për gatishmërinë tuaj për të bashkëpunuar me ne.  Kjo me të vërtetë është rrugë dykahëshe dhe e çmojmë partneritetin tuaj.

Ju faleminderit.