Fjala e z-njës Hyland gjatë përmbylljes së Javës kundër korrupsionit, 14 dhjetor 2018
Sot shënojmë përmbylljen e Javës kundër korrupsionit dhe kjo ditë po ashtu shënon fillimin e një viti të ri të bashkëpunimit ndërmjet ambasadës amerikane dhe partnerëve tanë kosovarë. Ne po punojmë për identifikimin dhe zvogëlimin e burimeve të vazhdueshme të korrupsionit të nivelit të lartë dhe korrupsionit këmbëngulës të nivelit të ultë. Po punojmë me qeveritë komunale për ta bërë procesin vendimmarrës më transparent, si dhe po i mbështesim organizatat vendore për ta forcuar rolin e tyre mbikëqyrës. Po bashkëpunojmë me sektorin e gjyqësorit për t’ju ndihmuar institucioneve të Kosovës për ti menaxhuar më mirë rastet e korrupsionit. Po punojmë me nivelin më të lartë të qeverisë për t’ju kërkuar llogari politikanëve. Edhe pse ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me qeverinë, shoqërinë civile, qytetarët, është fakt se ne nuk mund ta ndreqim problemin.
Korrupsioni është kudo. Është i pranishëm kur duhen lidhjet familjare për ta gjetur një vend pune, kur një person në pozitë me autoritet kërkon ryshfet, si dhe kur politikanët vënë interesin e tyre mbi atë të publikut. E kur dikush sheh ndonjë rast të korrupsionit dhe nuk bën asgjë, ai person i kontribuon problemit. Anketë pas ankete na tregojnë se qytetarët e Kosovës janë të zemëruar nga korrupsioni. Prandaj, nëse njëmend dëshironi një vend ku sundimi i ligjit do të thotë diçka dhe ku vlerësohet aftësia, ju duhet të jeni të guximshëm. Ju duhet të bëheni heronjtë e këtij rrëfimi. E dimë se duhet shumë punë. E di se jeni të aftë të merreni me këtë sfidë.
Si qytetarë të demokracisë më të re në Evropë, ju keni punuar në kohë të vështira të pas-luftës për të ndërtuar qeverinë dhe ekonominë e tregut prej hiçi. Kosova tani mban zgjedhje të lira dhe të drejta, dhe vendi prin në rajon për transparencë në prokurim. Presidenti amerikan John F. Kennedy ka thënë: “Demokracia kurrë nuk është arritja e fundit. Është thirrje për përpjekje të palodhshme”. Që të arriturat tuaja të jenë të qëndrueshme dhe për ta shtyrë Kosovën më afër të ardhmes që e dëshironi, të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të japin më të mirën. Për t’ju ndihmuar në këtë luftë, dëshiroj ti ofroj tri sugjerime – tri gjëra që të gjithë mund ti bëni – dhe të nxitni miq e familjarë për ti bërë – për ta ndalur korrupsionin menjëherë. E para, kur votoni në zgjedhje, sigurohuni që votoni për njerëz që i ndajnë vlera tuaja dhe që nuk njihen si të korruptuar. Vota juaj është zëri juaj dhe nuk ia keni borxh askujt atë.
E dyta, refuzoni të paguani ryshfet. Nëse dikush kërkon ryshfet, rezistoni. Ndoshta do të mund ta ndriçonit atë rast të korrupsionit duke i informuar të tjerët për përvojën tuaj.
E treta, shfrytëzoni elementet mbrojtëse që ua ofron Ligji i sapo miratuar për Sinjalizuesit, i cili iu ofron mbrojtje atyre që nxjerrin në shesh korrupsionin. Me këtë të arritur të rëndësishme në fuqi, u nxis ta përdorni zërin tuaj.
Në fund, porosia jonë për qytetarët e Kosovës është: kurrë mos hiqni dorë nga Kosova. Ju keni luftuar për këtë vend. Ju po e ndërtoni këtë vend. Mos lejoni që korrupsioni ta shtrijë përtokë. Jemi këtu me juve për ta luftuar korrupsionin sot, nesër dhe për çdo ditë.
Ju faleminderit.