Fjala e z-njës Colleen Hyland, zëvendës-shefe e misionit në ambasadën amerikane, gjatë ekspozitës “Fëmijët mund të ndihmojnë”, 15 mars 2017
Mirëmëngjesi të gjithëve. Kam kënaqësinë që jam këtu me juve për ta kremtuar këtë projekt të madh rreth një teme të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit.
Dëshiroj t’i falënderoj panelistët, nxënësit dhe organizatorët, veçanërisht Rrezartën, për punën tuaj të mundimshme në këtë projekt. Kemi kënaqësinë që jemi partneri juaji përmes programit për grante të vogla të Komisionit për Demokraci të ambasadës sonë.
Mendoj se ky projekt është kaq i suksesshëm sepse shtjellon dy tema e këto dy tema janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës: angazhimin e të rinjve dhe mbrojtjen e mjedisit. Shpesh thuhet se të rinjtë janë e ardhmja e Kosovës, po veprimtaritë si këto tregojnë se kjo njëmend është e vërtetë. Ju keni nxjerrë veprimtarë të ndryshimit në mesin e këtyre 100 nxënësve. E ju, nxënësit, keni ndërmarrë hapin e parë më të rëndësishëm: jeni edukuar dhe jeni vetëdijesuar për ndikimin e njeriut në mjedis.
E di se ju, nxënësit, keni ndikuar mbi moshatarët tuaj dhe te komuniteti. Keni ndihmuar për t’i edukuar të tjerët se mënyra si e trajtojmë mjedisin jo vetëm që ndikon në jetën tonë sot, por edhe për vite të tëra. Ju po bëni ndryshimin, po i vetëdijesoni publikun rreth çështjeve të mjedisit. Po inkurajoni të tjerët për tu bërë veprimtarë aktivë për zhvillim të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin, si dhe po i motivoni të tjerët për ta pastruar mjedisin e komunitetit të tyre dhe për tu siguruar që ai mjedis të mbahet i pastër.
E di se në Kosovë mbesin edhe shumë sfida, por jam optimiste për të ardhmen për shkak të të rinjve si ju. Ju jeni të talentuar, të zgjuar dhe të përkushtuar për ta bërë vendin tuaj më të mirë. Ambasada është krenare që i mbështet projektet si ky sepse duam të sigurohemi që Kosova po lëviz përpara dhe që të rinjtë – si ju – janë pjesë e asaj lëvizjeje.
Ju faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj këtij programi dhe ta dini që Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të qenë partnerë tuajat tash dh enë të ardhmen. Ju faleminderit.