Fjala e z-njës Hyland gjatë debatit me të rinjtë për luftën kundër korrupsionit

Fjala e z-njës Hyland gjatë debatit me të rinjtë për luftën kundër korrupsionit, 14 dhjetor 2018

Mirëmëngjesi të gjithëve.  Urime.  Urime të gjithëve.  Me të vërtetë jam e mahnitur.

Kam kënaqësinë që jam këtu për ti parë të rinjtë kaq shumë të angazhuar për çështjet e rëndësishme dhe të ndërlikuara me të cilat përballet Kosova sot.  INPO dhe organizatat e tjera joqeveritare që e organizuan Javën kundër korrupsionit kanë qenë jashtëzakonisht të ngarkuara me tryeza të rrumbullakëta dhe ngjarje publike gjatë kësaj jave.  Në fakt, sot pasdite e kam edhe një ngjarje.  Në ato ngjarje kanë marrë pjesë ministra dhe zyrtarë të lartë nga e tërë qeveria, dhe këto OJQ po punojnë me mund për ti kërkuar llogari qeverisë për ti dhënë fund korrupsionit.

Angazhimi i shoqërisë civile – dhe gatishmëria e shumë zyrtarëve publikë për të marrë pjesë në këto biseda të vështira – është njëmend frymëzues.  Por, asgjë nuk më jep më shumë besim në të ardhmen e Kosovës se sa ngjarjet si ky turne për shkathtësitë debatuese.  Ju, si disa prej nxënësve e studentëve më të zgjuar të Kosovës, jeni ata që njëmend do ta keni rastin ta formoni dhe ta ndryshoni të ardhmen e vendit tuaj.

Më vonë gjatë ditës, së bashku me disa ambasadorë të vendeve kyçe partnere të Kosovës do të marr pjesë në ngjarjen përmbyllëse të Javës kundër korrupsionit.  Aty do të më dëgjoni duke thënë se SHBA-ja është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë, shoqërinë civile dhe qytetarët për ta luftuar korrupsionin.

Por, e vërteta është ne nuk mund ta ndreqim atë.  Vetëm ju – qytetarët e Kosovës – mund ta bëni këtë. Vetë qytetarët duhet të ngrenë zërin për rastet e korrupsionit kur i shohin ato.  Qoftë nëse është rast i familjarizimit gjatë punësimit apo dhënia e ryshfetit, fatkeqësisht korrupsioni është çdokund në shoqëritë tona.

Nëse çdo qytetar i Kosovës këmbëngul në punësimin e kandidatit më të kualifikuar ose refuzon për të marrë ryshfet, do të mund t’ju jepnit fund shumë praktikave që e pengojnë vendin për ta përmbushur potencialin e saj përfundimtar.

Si të rinj, shpresoj që ndjeheni të fuqizuar për të shtuar përpjekjet dhe për tu bërë persona që bëni ndryshimin.  Tash për  tash, ju jeni “vetëm” studentë e nxënës.  Por, duke i parë shkathtësitë tuaja në debat, të cilat sapo i pamë dhe për të cilat u vlerësuat me plot të drejtë, e di se po qëndroj para disa prej gjyqtarëve, politikanëve, veprimtarëve të shoqërisë civile dhe mësimdhënësve të ardhshëm të Kosovës.

Vazhdoni të angazhoheni në mundësi si ky turne për shkathtësitë debatuese.  Shfrytëzojeni çdo rast për të praktikuar shkathtësitë e të menduarit kritik dhe të oratorisë.  Me të vërtetë më la mbresa mënyra se si mund të mos pajtoheshit dhe të argumentonit pa u zënë tamam me fjalë.  Kjo është shkathtësi jetike.  Është mënyrë shumë bindëse për ta fituar një argument.  Ju lutem, vazhdoni të gjeni mënyra për tu përfshirë në veprimtaritë prej të cilave ka leverdi bashkësia dhe vendi juaj.

Ky turne këtë javë ju ka ndihmuar për tu angazhuar në debate të vërteta që do të formojnë të ardhmen e Kosovës.  Shpresoj që në të ardhmen të shoh se si do ti zbatoni këto shkathtësi për tu siguruar që vendi do të qëndrojë në rrugë të drejtë

Edhe njëherë, urime të gjithëve.  Keni bërë punë të hatashme.