Fjala e z-njës Hyland, E ngarkuar me punë, gjatë konferencës për përmirësimin e të drejtave të komunitetit LGBTI “Çka shkoi keq dhe çka mund të bëjmë ndryshe”?, 8 tetor 2018
Mirëmëngjesi të gjithëve. Të nderuar përfaqësues të qeverisë së Kosovës, të komunitetit LGBTI, aleatë të komunitetit, kolegu im nga BE-ja. Ju faleminderit për ftesën për t’ju bashkuar për të festuar punën e komunitetit LGBTI në Kosovë.
Harvey Milk, ikonë e lëvizjes së LGBTI-së në Amerikë, e ka thënë shprehjen e famshme se “të drejtat fitohen vetëm nga ata që e ngrejnë zërin”. Mendoj se sot jeni këtu pikërisht për ta bërë këtë gjë.
Jemi mbledhur këtu për të diskutuar për të drejtat e komunitetit LGBTI dhe dëshiroj ta përgëzoj komunitetin dhe aleatët që e kanë ngritur zërin. Me këtë ngjarje sot, si dhe me organizimin për herë të dytë të Javës së Krenarisë, po siguroni që të drejtat e LGBTI-së në Kosovë gjithnjë e më shumë trajtohen si të drejta themelore të njeriut.
Të gjithë meritojnë të jetojnë me dinjitet dhe në liri. Duke ngritur vetëdijesimin për të drejtat e LGBTI-së, ju po e ndihmoni Kosovën për të ecur përpara – drejt një të ardhme ku të gjitha komunitetet trajtohen me dinjitet dhe me respektin që e meritojnë.
Pjesëtarët e komunitetit LGBTI janë po ashtu anëtarë të familjeve tona, fqinjë e kolegë në punë. Ata përballen me diskriminim nga të gjitha anët: në edukim, kujdes shëndetësor, strehim dhe punësim, si dhe me ngacmim të përditshëm. Nuk është e lehtë për askënd për të jetuar në presion dhe me kërcënim. Por, nga ky presion vjen urgjenca – e kjo urgjencë mund ti ndihmojë pjesëtarët dhe aleatët e komunitetit LGBTI për të punuar së bashku në përmirësimin e jetës për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Siç e dini, Kosova ka njërën ndër kornizat ligjore më të përparuara në botë për të drejtat e njeriut. Dhe është përgjegjësi e qeverisë që në mënyrë efektive dhe të njëtrajtshme ti zbatojë ligjet dhe politikat e saj, duke përfshirë edhe ato që kanë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI. Kjo gjithashtu është gjëja e duhur për ta bërë.
Dëshirojmë të dëgjojmë se si Grupi këshillues dhe koordinues, i bashkë-drejtuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe komuniteti LGBTI do të vazhdojnë ta zbatojnë planin e veprimit për të drejtat e komunitetit LGBTI. Ky plan do t’ju ndihmojë ministrive për tu angazhuar në mënyrë efikase për këto çështje.
Jam këtu si përfaqësuese e tërë misionit të SHBA-së dhe dëshiroj t’ju njoftoj se qeveria e SHBA-së dhe çdo gjë që bëjmë këtu mëton ti ofrojë Kosovës mbështetje për të qenë vend përfshirës dhe i begatshëm, me të drejta të barabarta për të gjithë, pa marrë parasysh etninë, religjionin, orientimin seksual apo gjininë. Më vjen mirë që po shoh që kjo konferencë, që është përpjekje e përbashkët e shumë mbështetësve dhe këshilluesve të ndryshëm, e çon përpara këtë qëllim. Po ashtu, shpresoj ta shoh raportin përfundimtar të Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, që monitoron dhe përcjell zbatimin e planit të veprimit për LGBTI.
Kam shpresa të mëdha për përparimin e Kosovës në pranimin e të drejtave të këtij komuniteti. Si dhe besoj që për ta arritur këtë përparim, qeveria duhet të vazhdojë të punojë me shoqërinë civile për të siguruar që të gjitha komunitetet mbrohen me ligj.
Sinqerisht shpresoj që kjo konferencë dhe veprimtaritë e tjera të organizuara gjatë Javës së Krenarisë do t’ju ndihmojnë tërë qytetarëve të Kosovës që të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre civile.
Edhe një herë, ju faleminderit shumë për ftesën për të marrë pjesë dhe ju dëshiroj javë të suksesshme.