Fjala e z-njës Colleen Hyland, zëvendës-shefe e misionit në ambasadën amerikane, gjatë konferencës vjetore të prokurorëve, 28 janar 2017
Mirëmëngjesi. Në fillim, dëshiroj t’ju njoftoj se ambasadori Delawie me të vërtetë ka dashur të jetë këtu këtë mëngjes, por për fat të keq është i zënë në një mbledhje tjetër. Prandaj, jam këtu për t’jua përcjellë porosinë e tij.
Ministre Hoxha, kryesues Isufaj, kryeprokuror i shtetit Lumezi, mysafirë të nderuar, prokurorë e të pranishëm të tjerë, ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush sot. E di se rrallë ndodh që të gjithë të jeni në të njëjtin vend, por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që takime të tilla të mbahen rregullisht dhe për këtë arsye, ambasada amerikane dhe Departamenti i Drejtësisë, kolegia ime Michelle Lakomy, jemi krenarë që e sponzorizojmë këtë ngjarje për të tretin vit me radhë. Kjo ngjarje paraqet mundësinë për t’i shkëmbyer idetë dhe strategjitë me kolegët, që ndoshta nuk i shihni shpesh, të reflektoni rreth të arriturave e dështimeve të vitit të shkuar dhe t’i vëni qëllimet e rëndësishme për vitin vijues.
Para se t’ua përcjell disa prej shpresave dhe sygjerimeve për vitin 2017, është me rëndësi të flasim pak për 2016-tën. Sigurisht që ishte vit i mbushur me sfida dhe ndryshime për prokurorët. E filluat vitin 2016 duke e zgjeruar përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të përfshirë pjesëtarë të zgjedhur nga secili rajon dhe me mandat të ri që ndante përgjegjësitë e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit. Decentralizimi i pushtetit është gjithmonë i vështirë dhe shpesh zvogëlon bashkëpunimin. Por, më duhet të them se kemi qenë të mahnitur nga mënyra se si Këshilli e ka përqafuar rolin e vet të ri dhe se si kryesuesi i KPK-së dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë punuar së bashku për ta përmirësuar bashkëpunimin dhe ndarjen e përgjegjësive. Besojmë se KPK-ja dhe Kryeprokurori i Shtetit i kanë dhënë prioritet çështjes së përmirësimit të efikasitetit dhe krijimit të kulturës së profesionalizmit ndër prokurorët kosovarë.
Jeni përballur me sfida të stërmëdha kur deputetët e Kuvendit filluan ta përdorin gazin lotsjellës si mjet për avancimin e agjendës së tyre. Kjo ishte situatë që do të sfidonte çdo demokraci dhe besoj se keni vepruar në mënyrë të përshtatshme. Kur deputetët kaluan prej fjalëve në vepra të dhunshme dhe të rrezikshme, ju e bëtë të qartë se Kosova nuk ishte e gatshme ta toleronte atë sjellje – se përderisa demokracia nxit debat të guximshëm, dhuna nuk e ka vendin në sallën e Kuvendit.
Në fund, keni pasur sukses në ndjekjen penale dhe dënimin e një numri njerëzish të akuzuar për vepra të ndryshme të ndërlidhura me terrorizëm. Krejt puna juaj e mundimshme prej arrestimeve fillestare në mesin e vitit 2014 u përmbyll me ngritje të aktakuzave dhe me një numër të dënimeve të larta të merituara. Ato dënime ishin dëshmi e bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë dhe jemi krenarë që Shtetet e Bashkuara ju kanë ndihmuar që të arrini sukses.
E tash, duhet ta pranojmë se asnjë prej këtyre sukseseve nuk është arritur pa vështirësi dhe pengesa përgjatë rrugës. Por, kryesorja është këto janë hapa të vendosur në drejtim të duhur. Janë dëshmi e një sistemi prokurorial në zhvillim e sipër që po fillon të profesionalizohet, t’i identifikojë fushat problematike dhe të marrë vendime të vështira.
Por, nuk do të isha në krye të detyrës sime nëse nuk e them se institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë, e nuk po flas vetëm për prokurorët, duhet ta marrin më seriozisht nevojën për ta luftuar korrupsionin dhe për t’i dhënë prioritet të duhur kërcënimeve ndaj stabilitetit dhe rritjes. Anketat qartazi tregojnë se populli i Kosovës nuk iu beson institucioneve të sundimit të ligjit dhe që besojnë se korrupsioni është endemik.
E ardhmja e Kosovës është drejtpërdrejt e lidhur me aftësinë dhe gatishmërinë e saj për ta luftuar korrupsionin dhe për ta përmirësuar sundimin e ligjit në të gjitha fushat. Ka pasur shumë arrestime për korrupsion në vitin 2016. Kosova madje e ka përmirësuar renditjen në listën e organizatës Transparency International. Por, matja e njëmendtë e përparimit do të bëhet kur të shihet se çka do të ndodhë me ato raste në 2017-tën dhe cilat do të jenë rezultatet përfundimtare.
Ambasadori ka kërkuar nga unë t’ua paraqes tri sfidat për vitin e ardhshëm. Së pari, duhet t’i plotësoni pozitat e zbrazëta në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Është pothuajse e pamundshme të thuhet se jeni seriozë për luftimin e korrupsionit kur zyra që merret me rastet më të rënda në Kosovë funksionon me gjysmë kapaciteti. Së dyti, duhet ta rritni shfrytëzimin e konfiskimit dhe sekuestrimit të pasurisë. Mënyra më efikase për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është duke ua marrë ndërmarrjeve kriminale aftësinë për të vepruar. Nuk do të arrini përparim në luftimin e krimit të organizuar pa e marrë këtë çështje seriozisht. Si prokurorë, nuk mund t’i fajësoni gjyqtarët për mosdhënien e lejes për konfiskim nëse nuk parashtroni fare kërkesë për këtë gjë. Çdo rast që përfshin korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet të shiqohet nga prizmi se çka mund të konfiskohet.
Në fund, duhet t’iu jepni prioritet ndjekjeve penale bazuar në seriozitetin e shkeljes dhe të ndarjes së burimeve aty ku do të kenë më së shumti ndikim, e jo në bazë të etnisë së të pandehurit. Është jashtëzakonisht e vështirë ta bindim qeverinë amerikane se Kosova po shkon në drejtim të duhur kur dëgjojnë se dikush që është akuzuar se ka veshur një xhaketë të vjetër ushtarake serbe paraburgoset, kurse dikush tjetër, i akuzuar që ka ndihmuar në thurjen e komplotit për sulm terrorist vdekjeprurës në Shqipëri, shëtit lirisht nëpër rrugë.
Nuk është lehtë të arrihen këto gjëra, por ju keni fuqi të jashtëzakonshme. Keni lirinë nga ndërhyrjet prej jashtë dhe fuqinë për të zgjedhur ku dhe si i ndani burimet. Keni mundësi për të marrë qëndrim afirmativ për drejtësi dhe kundër korrupsionit dhe për t’ju treguar kosovarëve se po punoni me mund për t’i ndryshuar perceptimet e tyre.
Ju nxis të gjithëve që t’i përkushtoheni rritjes së profesionalizmit këtë vit duke mbajtur në mend se ngritja e aktakuzës është vetëm hapi i parë për arritjen e dënimit, e jo hera e fundit kur keni çfarëdo përgjegjësie për përfundimin e rastit. Kohëve të fundit keni përzgjedhur kryeprokurorët për secilin rajon. I përgëzoj të gjithë të përzgjedhurit për detyrën e re dhe ju sfidoj që ta jetësoni luftën kundër korrupsionit në secilën zyrë tuaj.
Shpresoj që të gjithë ju i merrni për zemër fjalët e mia dhe që e dini se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’ju ndihmojnë gjatë vitit të ardhshëm. Gjendja e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë do të përkufizojë se çfarë të ardhmeje do të ketë vendi.
Ju faleminderit.