Fjala e z-njës Colleen Hyland gjatë ceremonisë së diplomimit të rekrutëve në FSK

Fjala e z-njës Colleen Hyland, e ngarkuar me punë në ambasadën amerikane, gjatë ceremonisë së diplomimit të rekrutëve në Qendrën e Trajnimit dhe Doktrinës së FSK-së, 16 mars 2018

Faleminderit! Mirëmëngjesi! Kryeministër Haradinaj, ministër Berisha, gjeneral-lejtnant Rama, gjenerale-brigade Spahiu, udhëheqës të tjerë të FSK-së, mysafirë të nderuar, por para së gjithash: prindër dhe anëtarë të familjeve të rekrutëve të sapodiplomuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ju faleminderit për mundësinë për të folur këtu mëngjesin e sotëm. Jam e nderuar që jam këtu  dhe e frymëzuar për pjesëmarrje në këtë fillim të karrierës në FSK të edhe një grupi të të rinjve të talentuar.

Po ashtu, dëshiroj ta shfrytëzoj rastin ta përgëzoj gjeneralen Spahiu, si femra e parë me gradën gjeneral në Kosovë dhe për marrjen e detyrës së komandantes të Qendrës së Trajnimit dhe Doktrinës.

Rekrutë të rinj.  Sot është dita juaj.  Urime!  Sot fillon rrugëtimi juaj dhe ju i bashkoheni një organizate krenare duke ecur në gjurmët e hapave të të gjithë pjesëtarëve të FSK-së që kanë diplomuar para jush.  E keni fituar të drejtën për ta veshur këtë uniformë.  Shpresoj që secili nga ju do ta bartni atë me ndjenjë krenarie për vete dhe për kolegët tuaj në shërbim.  Ju përgëzoj për punën e vështirë.  Ju përgëzoj për sakrificën tuaj.  Ju falënderoj për përkushtimin tuaj për t’i mbrojtur, për tu kujdesur dhe për t’iu shërbyer bashkëqytetarëve tuaj.

E di se shtegtimi juaj ka qenë sfidues.  Iu jeni nënshtruar testimeve të rrepta mendore dhe fizike në Forcën e Sigurisë së Kosovës, njëjtë si edhe rekrutët para jush.  Po ashtu, jam e vetëdijshme se pjesëtarët e kësaj gjenerate të rekrutëve janë përballur me presion dhe sfida nga jashtë, me të cilat nuk do të duhej të përballeshit.  Më vjen keq që disa pre jush jeni përballur me atë presion dhe që disa prej jush ndoshta ende përballeni me atë presion.  Sidoqoftë, ne çmojmë këmbënguljen dhe angazhimin tuaj për t’u ballafaquar guximshëm me këto presione. Po e bëni të duhurën.  Nuk është lehtë të kapërcehen pengesat ose të jeni ndër të parët që bëni diçka të re.  Ju po e shtroni një shteg që do të sjellë te e ardhmja më e mirë dhe më stabile për Kosovën dhe komunitetin tuaj.  E keni respektin dhe admirimin tim dhe të kolegëve të mi.  FSK-ja do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fortë të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

Ju faleminderit.  Edhe njëherë, urime juve dhe familjeve tuaja!