Fjala e z-njës Colleen Hyland, e ngarkuar me punë në ambasadën amerikane, gjatë ceremonisë së hapjes së Javës së Gruas

Fjala e z-njës Colleen Hyland, e ngarkuar me punë në ambasadën amerikane, gjatë ceremonisë së hapjes së Javës së Gruas, 19 mars 2018

Mirëmëngjesi dhe mirë se vini.

Kryetar i Kuvendit Veseli, drejtor i Institutit Demokratik Kombëtar Chavarria, e nderuara gjyqtare Gresa Caka, kryesuese e grupit të grave deputete z-nja Mjaku-Millaku, deputetë, mysafirë, ju faleminderit që më keni përfshirë për të ndihmuar në çeljen e ngjarjes vjetore të Javës së Gruas që organizohet për herë të gjashtë.

Kjo javë paraqet festë, si edhe mundësi për t’i thyer pengesat për pjesëmarrjen politike dhe ekonomike të gruas dhe për ta mentoruar dhe rritur gjeneratën e ardhshme të prijëseve.

Tema e këtij viti është transparenca dhe llogaridhënia dhe asnjë temë nuk është më e përshtatshme dhe më relevante. Përderisa Kosova hyn në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë, luftimi i korrupsionit dhe transparenca më e madhe në institucionet publike është jetike për gjithçka që Kosova mëton të arrijë.

Për ta bërë këtë, Kosova duhet të ketë mundësi të shfrytëzojë talentin dhe energjinë e çdo qytetari, pa marrë parasysh gjininë, religjionin, racën apo çkado tjetër. E mendoj se duhet ta pranojmë se pikërisht tash, një gjë e tillë nuk po ndodh.

Ky është problem që shkon përtej profesioneve, sektorëve dhe rajoneve. Nëse e shikojmë përbërjen e qeverisë së Kosovës, në këtë çast e shohim se Kosova nuk qëndron mirë. Në kabinetin e qeverisë së Kosovës janë vetëm dy gra, asnjë grup parlamentar nuk udhëhiqet nga ndonjë grua, gratë nuk janë pothuajse fare të përfaqësuara në udhëheqjen e partive politike të Kosovës. E ndër të 38 komunat e Kosovës, e shohim se nuk është asnjë kryetare komune.

Ky problem nuk është vetëm këtu; me këtë problem përballemi edhe në ShBA, si dhe shumë vende anembanë botës. Por, ja lajmi i mirë: ka gra të talentuara, inovative, të përkushtuara anembanë Kosovës të gatshme për ta marrë vendin e tyre në jetën publike – ju vetëm duhet të bëni vend për këta zëra të ri. Lejoni të dëgjohen. Prijësit e ardhshëm të Kosovës ka gjasa të jenë në këtë sallë, të gatshëm për t’i mësuar shkathtësitë që iu duhen për të avokuar për komunitetet e tyre dhe për tu lidhur me votuesit e tyre. E tashmë janë gjithë ato gra të shkathta që luftojnë për çdo ditë për qasje më të madhe në drejtësi, për çrrënjosjen e korrupsionit në institucionet publike dhe për ndriçimin e çështjeve që ndikojnë në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Pikërisht këtu në Prishtinë, kryetarja e Gjykatës Themelore, Afërdita Bytyqi ka punuar gjatë tërë vitit për zbatimin e reformave jetike për të siguruar qasje në drejtësi për qytetarët e Prishtinës.

Gazetaret si Saranda Ramaj, e cila pafrikshëm ka raportuar për problemet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, po i japin emrin më të mirë gazetarisë, duke iu dhënë njerëzve informata vitale për shoqërinë e tyre që fuqitë e tjera përpiqen t’i mbajnë të fshehura.

E dy ditë më parë, dy gra të zgjuara dhe të talentuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës kanë shkuar me bursë në një kurs 4-mujor ndërkombëtar në Uashington, D.C. në Zyrën për llogaridhënie të qeverisë së ShBA-së bashkë me auditorë nga e tërë bota. Kush e di se çfarë njohurish e aftësish të reja do të sjellin ato në Kosovë për ta ndihmuar agjencinë e tyre për ta kryer punën më së miri për t’iu kërkuar llogari institucioneve të Kosovës ndaj qytetarëve që iu shërbejnë? Pritjet janë të mëdha.

Këto janë vetëm disa shembuj prej shumë të tillëve, por Kosovës i duhen më shumë gra të angazhuara. Jo vetëm në nivelin më të lartë të qeverisë, por në çdo aspekt të jetës shoqërore të Kosovës, në çdo komunë e bashkësi, prej këshillave rinore, në kuvendet komunale e deri në kabinetin e qeverisë.

E dimë se kur korrupsioni lulëzon, efektet në mënyrë shpërputhëse vërehen nga gratë, prandaj duhet t’i dyfishojmë përpjekjet tona që zëri i grave të dëgjohet, që gratë të mos anashkalohen në jetën ekonomike dhe politike të Kosovës.

Kjo nuk është vetëm gjëja e duhur, është gjë e mençur sepse e shohim vazhdimisht se vendet ku ka barazi më të madhe gjinore janë më stabile, më të begatshme dhe më demokratike. Zgjidhjet janë në këtë sallë, prandaj le të ndërmarrim veprim.

Ju uroj javë sfiduese, ngazëllyese dhe produktive. Shpresoj që vitin e ardhshëm do të përmendim emra të ri si rrëfime të mëdha të suksesit.

Ju faleminderit dhe ju uroj javë të mbarë!