Fjala e z-njës Alison Grunder, E ngarkuar me punë në ambasadën amerikane, me rastin e ceremonisë përkujtimore për nder të 11 shtatorit, 11 shtator, 2022
Kam nderin që përfaqësoj qeverinë dhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ceremoninë e sotshme përkujtimore para memorialit për nder të 11 shtatorit këtu në Prishtinë. Jam tepër mirënjohëse për solidaritetin e Kosovës për të përkujtuar përvjetorin solemn të 21-të të sulmeve të tmerrshme në Nju Jork, Pensilvani dhe Virgjini para 21 viteve, që morën pothuajse 3000 jetë të pafajshme. Falënderoj presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ministren e punëve të jashtme, që janë këtu për të nderuar viktimat.
Përderisa bota po mban zi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeta e Dytë të enjten e kaluar, kujtoj fjalët e saj vitin e kaluar, në 20 vjetorin e 11 shtatorit, kur tha se ndërsa i nderojmë të gjithë ata nga kombet, besimet dhe prejardhjet e ndryshme që humbën jetën, gjithashtu nderojmë qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e komuniteteve që u bënë bashkë për tu rimëkëmbur.
Atë ditë të kobshme, unë isha në Nju Jork, duke shërbyer në misionin tonë në Kombet e Bashkuara. Mund ta paramendoni tronditjen që një qenie njerëzore do të mund të kryente një vepër aq të neveritshme me synim për të përhapur terror pa dallim dhe për të vrarë sa më shumë veta që ishte e mundur. Në çastet, javët dhe muajt pas sulmit, ne morëm zemër nga shprehja e dashurisë, mbështetjes dhe solidaritetit – jo vetëm nga amerikanët, por nga partnerët dhe aleatët tanë anembanë globit, duke përfshirë edhe nga Kosova.
Më lejoni të them gjithashtu se përveç kësaj ceremonie sot në Prishtinë, qytetarët në Pejë po e përurojnë një memorial të ri që përfshin një tra të çmuar nga njëra prej kullave të rrëzuara të Qendrës Botërore të Tregtisë, donacion nga Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut, si simbol i lidhjeve të thella dhe vlerave të përbashkëta të popullit të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Jemi me fat që kemi një partneritet kaq të qëndrueshëm dhe të fortë me Kosovën, bazuar në përkushtimin tonë të vendosur për një botë të përkushtuar ndaj paqes, lirisë, prosperitetit dhe drejtësisë për të gjithë