Fjala e Të ngarkuarit me punë, z. Nicholas J. Giacobbe gjatë pritjes së organizuar nga KUSA, 20 dhjetor 2019
(Të parpërgatitura)
Ju faleminderit, Mjellma.
Më vjen shumë mirë që jam sonte këtu me kaq shumë ish-bursistë të programeve të qeverisë amerikane – të çdo niveli – nga shkëmbimi arsimor në shkollë të mesme e deri te diplomat e avanucara dhe shkëmbimi profesional.
Dëshiroj ta falënderoj personelin e shkëlqyeshëm të organizatës së ish- bursistëve kosovarë në programet e Shteteve të Bashkuara (KUSA), Labi, Alba, Fjolla dhe Rina, që kanë bërë punë të shkëlqyeshme për organizimin e kësaj ngjarjeje. Atmosfera këtu është fantastike.
Do të flas shkurt dhe drejtpërdrejtë ashtu që të gjithë të vazhdojnë atë për çka kanë ardhur këtu njëmend: vendosja e kontakteve dhe socializimi. Por, dëshiroj ti them disa fjalë pse ekzistojnë këto programe të shkëmbimit.
Unë kam punuar në shumë programe të ndryshme të shkëmbimit gjatë karrierës sime si zyrtar i diplomacisë publike. Gjatë viteve, kam pasur rastin – në fakt, nderin – të takohem me shumë pjesëtarë të familjes sonë të pafundme të bursistëve.
Kjo është familje e hatashme. Nëpër tërë botën, ish-bursistët në progame janë të angazhuar në mënyrë aktive për të mundësuar ndryshim në komunitetet e tyre.
Disa prej jush kjo do të thotë pjesëmarrje vullnetare dhe e drejtpërdrejtë në veprimtaritë e komunitetit. Për të tjerët, të bësh ndryshim do të thotë punë për ti bërë institucionet qeveritare më transparente dhe për të ndihmuar që ato t’ju ofrojnë qytetarëve shërbime më efikase. Të tjerët po zhvillojnë teknologji të re, po ndërtojnë mjedis më të mirë afarist dhe po punojnë në përmirësimin e sistemit arsimor.
Çkado që bëjnë ish-bursistët dhe kudo që janë nëpër botë, ata zbatojnë përvojën që e kanë fituar në SHBA për të gjetur zgjidhje kreative për sfidat në shtëpi.
Ky është qëllimi i vërtetë i programeve të shkëmbimit. Kjo është arsyeja përse tatimpaguesit amerikanë vazhdojnë të përzgjedhin ti financojnë këto programe dhe vazhdojnë t’ua japin juve këto mundësi. Në botën e programeve të shkëmbimit, shpesh themi që programi i shkëmbimit fillon kur bursistët kthehen në shtëpi.
Çka nënkupton kjo? Kjo do të thotë që programi është i suksesshëm vetëm nëse ju – bursistët – e shfrytëzoni përvojën që e keni fituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të bërë ndryshime pozitive kur ktheheni në shtëpi.
Gjithashtu, dëshiroj ta shfrytëzoj këtë çast për t’ju nxitur që ti dyfishoni përpjekjet tuaja këtu në Kosovë. Vendi juaj, shtëpia juaj ka nevojë për ju, për përvojat dhe talentin tuaj.
Mund të flasim sa të duam për luftën kundër korrupsionit dhe për të punuar që ta ndihmojmë Kosovën për të arritur integrim më të madh evropian. Mund të flasim për përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës. Mund të flasim për të gjitha çështjet me të cilat përballet vendi dhe çka mund të bëjmë për ti tejkaluar ato.
Por, në fund të fundit, e ardhmja e Kosovës varet vetëm nga një faktor: përkushtimi i qytetarëve të saj për ta ndërtuar atë të ardhme. Kjo do të thotë Ju.
Për këtë arsye jam i lumtur që jam këtu, në këtë sallë plot me njerëz të vendosur për të ndërtuar të ardhmen të tillë të Kosovës që të gjithë qytetarët e meritojnë. Sonte, jemi në një sallë plot me njerëz që punojnë – në çfarëdo kapaciteti – për ndryshime pozitive.
Në juve, ish-bursistë, është bërë një investim enorm. Tani është koha që të bëni krejt çka mundeni për ta shpaguar atë investim. Dhe mbani në mend që nuk ia paguani borxhin Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por vendit dhe bashkëqytetarëve tuaj.
Prandaj, në këtë frymë, shpresoj që të gjithë ju do të jeni shembull pozitiv për të tjerët. Nxitni bashkëqytetarët tuaj kosovarë për të ndërtuar sistem të hapur dhe të drejtë për të gjithë. Një sistem ku meritat shpaguhen dhe suksesi arrihet me punë të mundimshme. Kosova e të nesërmes ka nevojë për juve sot.
Tani, do ti shpall çmimet për dy ish-bursistë që janë shembull i përsosur i atij përkushtimi dhe zotimi.
Ju faleminderit. Ishte e hatashme që pata mundësinë të takohem me të gjithë juve. Shpresoj që do të kemi rastin për të biseduar sonte dhe gjatë dy-tri viteve të ardhshme të qëndrimit tim në Prishtinë.