Fjala e Të ngarkuarit me Punë ,z. Giacobbe gjatë ngjarjes së Ekipit të Gjelbër-Nëngrupit për Ujë të Ambasadës Amerikane, 2 dhjetor, 2021
Water.
Ujë.
Voda.
Sido që ta quajmë, uji është thelbi i jetës. Uji po bëhet shpejt resursi më i çmueshëm i tokës, por shpesh merret për të qenë. Shëndeti ynë e po ashtu edhe ekonomia, varen nga uji i pastër. Pa ujë të pastër, jeta e komuniteteve vështirësohet.
Muajin e kaluar, udhëheqësit botërorë u mblodhën në Skoci për konferencën COP26, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu ribashkuan Marrëveshjes së Parisit dhe u ri-zotuan për tu marrë me krizën klimatike në vend dhe jashtë.
Mbrojtja e ujit është pjesë e rëndësishme e këtij zotimi. Për këtë arsye, më herët gjatë vitit, presidenti Bajden bëri thirrje për veprim për të ruajtur, bashkuar dhe mëkëmbur 30 për qind të tokës dhe ujërave tanë deri në vitin 2030.
Nisma e njohur si „Amerika e bukur” e presidentit Bajden paraqet përkushtim dhjetëvjeçar për mbështetjen e përpjekjeve të të gjitha llojeve anembanë Shteteve të Bashkuara të udhëhequra vullnetarisht nga vendasit. Ajo përshkruan një pako thelbësore të parimeve për përpjekjet administrative për tokën, ujin dhe botën e egër, duke përfshirë përpjekje bashkëpunuese dhe përfshirëse për të mirën e njerëzve, duke respektuar të drejtat pronësore, duke organizuar veprimtari konservuese dhe restauruese që krijojnë vende pune dhe mbështesin komunitete të shëndosha dhe të
cilat, mbi të gjitha, përdorin shkencë si udhërrëfyese. Konservimi arrihet më së miri kur bëhet në partneritet.
Shumica e vendeve, madje edhe SHBA-ja, historikisht kanë punuar keq në mbrojtjen e resurseve të përbashkëta të ujit. Me vite të tëra, kemi lejuar që mbetjet e pa-trajtuara të sistemit të kanalizimit dhe mbeturinat industriale të hidhen drejtpërdrejtë në rrjedha ujore dhe oqeane.
Kemi peshkuar më shumë se që duhej.
Kemi shfrytëzuar lumenjtë për furnizimin e fabrikave me rrymë.
Nuk e kuptuam se „moçalet” që i shterëm ishin ligatina jetike që jo vetëm mbështetnin bio-diversitetin, por ndihmonin në kontrollin e përmbytjeve, duke i mbrojtur komunitetet dhe tokën e punuar.
Në të vërtetë, kryeqyteti ynë, Uashington D.C., është ndërtuar mbi një ligatinë të shterur.
Kjo madje ishte e vërtetë edhe në shtetin tim amë, Masaçusets, që tani konsiderohet prijës në çështjet e mjedisit. Industria e tekstilit dhe prodhimtarisë në Masaçusets ishin kyçe në zhvillimin e hershëm të Shteteve të Bashkuara, por kjo u bë duke paguar çmim. Ne i keqtrajtuam rrjedhat tona ujore – nganjëherë për shkak të padijes, por shpesh prej leverdisë ekonomike, e nganjëherë për shkak të pakujdesisë. Disa rrjedha ujore, përfshirë lumin Nashua, u konsideruan pothuajse të vdekura dhe përtej mundësisë së ringjalljes. E pamë se si lumi Kujahoga (Cuyahoga) në Ohajo mori flakë sepse ishte aq i ndotur me lëndë të ndezshme kimike. Gjatë fëmijërisë sime, bënim shaka se nëse dikush rastësisht binte në lumin Çarls (Charles), në rrjedhën kryesore që përshkon Bostonin, me siguri ose do të merrte kancerin ose aftësinë për të ndriçuar në terr – ndoshta të dyja.
Por, në fillim të 1960-ve, gjërat filluan të ndryshonin. Qytetarët ishin ngopur. Filluan të kërkojnë ndryshim. Nuk ndodhi përnjëherë. Filloi me individë, të cilët e gjetën njëri-tjetrin dhe filluan të mbështesin njëri-tjetrin. Përmes angazhimit të qëndrueshëm dhe të vendosur me udhëheqësit e tyre qeveritarë – në nivel lokal dhe nacional – ata bënë që t’ju dëgjohej zëri. Ata jo vetëm që u ankuan – ata prezantuan plane të arsyeshme për përmirësimin e gjendjen. Pak nga pak, arritën përparim. Dhe në fund, më 1972, Shtetet e Bashkuara miratuan Ligjin për Ujë të Pastër, një ndër ligjet bashkëkohore të parë dhe më me ndikim për mjedisin. Ky njëmend ishte ligj i shënuar.
Përpjekjet për të mbrojtur ujërat tanë sigurisht që nuk morën fund atëherë dhe as që kanë marrë fund ende, por gjërat janë më mirë duke iu falënderuar bashkëpunimit efektiv ndërmjet aktivistëve dhe përfaqësuesve të qeverisë. Madje i kam parë disa duke notuar në lumin Çarls dhe që kanë mbijetuar për të treguar!
Ju kemi ftuar këtu për të shkëmbyer me ju rrëfimin për një nga këto aktiviste, që vjen prej nga vij unë. Siç do ta shihni, Marion Stodart ishte qytetare e zakonshme me vendosmëri të jashtëzakonshme. Siç jeni edhe ju të gjithë në këtë sallë. Shpresojmë që rrëfimi i saj të ndihmojë për të filluar diskutimet këtu në Kosovë për mënyrat më të mira për të mbrojtur bukuritë e bollshme natyrore dhe resurset e pakta të Kosovës – veçanërisht ujërat e saj.
Marioni nuk është pjesëmarrësja e vetme frymëzuese sot. E di se shumë prej jush jeni prijës në promovimin e mbrojtjes së mjedisit natyror në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Ne frymëzohemi nga përpjekjet dhe ambiciet tuaja. Qëllimi ynë sot
është të fillojmë diskutimin se si mund t’i mbështesim përpjekjet tuaja, prandaj dëshiroj të falënderoj panelistët që do t’na ndihmojnë me këtë pasi ta shohim filmin.
E veçanërisht dëshiroj të falënderoj zëvendës-ministren Linda Çavdarbasha për pjesëmarrje. Me njohurinë e saj të thellë akademike në ekologji dhe biologji, zëvendës-ministrja i kupton lidhjet e pazgjidhshme ndërmjet ekosistemeve natyrore dhe njerëzore dhe me udhëheqjen e saj në këtë fushë, ajo është njëmend aset për qeverinë. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe agjencitë e saj të ndryshme luajnë rol kyç në hartimin dhe zbatimin e legjislacionit për të mbrojtur rrjedhat ujore të Kosovës, si dhe për monitorimin e mirëqenies së mjedisit më të gjerë. Me padurim dëshiroj ta dëgjoj fjalimin tuaj për të mësuar më shumë rreth prioriteteve të Kosovës dhe mënyrës se si planifikon të integrojë qytetarët dhe ndërmarrjet e sektorit privat në përmbushjen e mandatit të saj.
Megjithatë, dëshiroj t’ju paralajmëroj se ne, SHBA-ja, nuk pretendojmë se i dimë të gjitha përgjigjet. Gjendja e rrjedhave ujore dhe ligatinave në Kosovë duhet të jetë prioritet i vetë Kosovës. E dimë se është çështje akute – nuk kemi nevojë t’ua shpjegojmë këtë. Qoftë nëse flasim për ruajtjen e mrekullive natyrore si Mirusha dhe habitatit të rëndësishëm si Henci, apo çështja e hidrocentraleve, këto janë çështje të vështirë me interesa të shumtë në lojë. Këto janë çështje për të cilat vetë Kosova duhet të vendosë prioritetet dhe si të merret me to.
Ne mund t’ju ofrojmë mbështetje kosovarëve që synojnë të mbrojnë këto resurse vitale. Mund të përforcojmë zërat e aktivistëve dhe të ndihmojmë në avancimin e thirrjeve tuaja për veprim. Me padurim pres të shoh se çka mund të arrijmë së bashku.
Edhe njëherë, ju faleminderit që jeni me ne sot.