Fjala e Të ngarkuarit me punë Nicholas J. Giacobbe me rastin e përurimit të Udhëzuesit për politikën ndëshkimore në rastet e korrupsionit, 23 shtator 2021
Ministre Haxhiu, kryetar i Gjykatës Supreme, gjykatës Peci, mysafirë të nderuar të pranishëm këtu dhe përmes rrjetit, ju faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të folur para jush.
Kjo dhomë e zbrazët na e përkujton se ende jemi në mes të pandemisë.
E përgëzoj Gjykatën Supreme që po jep shembull duke e organizuar këtë ngjarje në përputhje të plotë me masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Shpresoj se edhe të tjerët do t’i përmbahen këtij shembulli, veçanërisht tani që po i afrohemi zgjedhjeve lokale. Të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë që ne dhe më të dashurit tonë të jenë të sigurt. Vetëm së bashku mund ta mposhtim Covid-19.
Më lejoni t’ia filloj duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë Kosovën partnere kryesore në luftën kundër korrupsionit. Dëshiroj ta përgëzoj Gjykatën Supreme për miratimin edhe të një dokumenti të rëndësishëm – Udhëzuesin më të ri të posaçëm për rastet e korrupsionit. Ky është hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë. Veçanërisht jam i lumtur që Komisioni për politikë ndëshkimore ka pasur vizion përtej vetëm ndëshkimit dhe ka qartësuar elementet e këtyre krimeve.
Kosova po përparon në sundimin e ligjit, por ende kanë mbetur edhe shumë sfida që duhet të adresohen. Për fat të keq, kemi qenë dëshmitarë kohëve të fundit se si dështimi i sistemit gjyqësor për ekzekutimin e vendimeve dhe zbatimin e ligjeve ka përfunduar me humbjen e jetëve të çmuara.
Presidenti Biden ka thënë:
„Korrupsioni është si kanceri. Është si kanceri që gërryen besimin e qytetarëve në demokraci, zbeh instinktin për inovacion dhe kreativitet”.
Njëtrajtshmëria dhe transparenca janë të domosdoshme që qytetarët t’ju besojnë institucioneve të drejtësisë. Nëse nuk bëhet diç e tillë, atëherë kjo do të shkatërrojë dhe pamundësojë mundësitë për inovacion dhe kreativitet në Kosovë, të cilat janë burim i krenarisë dhe shpresës për të ardhmen.
Gjyqtarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht i zbatojnë udhëzimet për politikë ndëshkimore dhe rastet e korrupsionit nuk përbëjnë përjashtim. Vetëm përmes zbatimit të udhëzuesit për politikë ndëshkimore mundësohet që zyrtarët e korruptuar qeveritarë dhe korruptuesit – pa marrë parasysh sa me ndikim – të përballen vazhdimisht me ndëshkime të rrepta. Udhëzuesi për politikë ndëshkimore në rastet e korrupsionit do t’ju ndihmojë të bëni të njëjtën gjë. Sa më e lartë pozita e përgjegjësisë, aq më i lartë ndëshkimi. Kjo është porosia kryesore në këtë Udhëzues.
Të gjithë ju që jeni këtu keni rolin tuaj. E nxis çdo gjykatës që ta shfrytëzojë këtë udhëzues. Miratimi është hap i rëndësishëm, por është vetëm fillimi.
E kuptoj se Kosova e ka edhe një mjet të hatashëm, që ende nuk e kemi në SHBA, e që është kalkulatori i gjobave penale. Ambasada e SHBA-së ka ndihmuar në hartimin e tij. Ky kalkulator, bashkë me udhëzuesin për politikë ndëshkimore, paraqet mjet të fuqishëm për parandalimin e krimit. Ju nxis t’i shfrytëzoni të dy.
E njëjta është e vërtetë edhe për aktorët e tjerë të sektorit të drejtësisë. Sigurimi se merret vendimi i duhur në rastet e korrupsionit varet nga ajo që prokurorët dhe avokatët mbrojtës e bëjnë punën e tyre duke u angazhuar në mënyrë aktive në fazën e ndëshkimit në vend se të drejtojnë gishtin kah gjyqtarët.
Suksesi gjithashtu do të varet nga Fakulteti Juridik, Akademia e Drejtësisë dhe Oda e Avokatëve. Ndëshkimi duhet të konsiderohet lëndë kryesore për trajnim që në vend të dalin juristë të mirë dhe të gjithanshëm.
Dhe natyrisht, suksesi do të varet nga çdo qytetar i Kosovës: duke kërkuar llogaridhënie, e organizatat e shoqërisë civile duhet të veprojnë si mbikëqyrëse dhe duke kërkuar në emër të popullit përgjegjësi nga sistemi gjyqësor.
E ju, gjyqtarët e Kosovës, duhet t’ia dëshmoni popullit të Kosovës që jeni të denjë për pavarësinë që ju takon me Kushtetutën e Kosovës. Si gjyqtarë, ju jeni të pavarur për të gjykuar dhe dënuar ashtu që të ofroni drejtësi të barabartë për të gjithë. Ky është themeli i Kushtetutës suaj. Kjo është demokracia.
Ju faleminderit.