Fjala e Të ngarkuarit me punë Nicholas J. Giacobbe me rastin e përmbylljes së programit „Gratë në energji” të KSM-së, 23 maj 2022
Faleminderit, Sara. Kam nderin që jam këtu me ju dhe kolegët e tjerë nga Korporata Sfida e Mijëvjeçarit, Fondacioni i Mijëvjeçarit i Kosovës dhe, më e rëndësishmja, me partnerët dhe prijësit e ardhshëm të sektorit të energjisë së Kosovës – pjesëmarrëset e programit „Gratë në energji”.
Sot po shënojmë përfundimin e një programi frymëzues, novator dhe prijës: aktivitetin „Gratë në energji” të FMK-së. Ky program pesëvjeçar i ndihmoi Kosovës të ndërmarrë hapat e parë për të tejkaluar hendekun tepër të madh gjinor në sektorin e energjisë.
Prej 2019-s, edhe pse kemi parë daljen në skenë të ekonomisë energjetike të re globale, transformimi i sektorit në Kosovë ende mbetet „në ndërtim e sipër”. Sektori i energjisë u prek veçanërisht dhe shpejt nga mbylljet për shkak të Covid-19 dhe sapo kjo ekonomi filloi të kthjellej nga ndikimi i pandemisë, Kosova u përball me krizën energjetike evropiane.
Rritja e shpenzimeve të energjisë pati ndikim të njëmendtë e dëmtues në shtëpitë kosovare. Shumë familje u detyruan të bëjnë zgjedhje të papëlqyeshme gjatë dimrit. Në shumicën e shtëpive, gratë u detyruan të vendosin a dëshirojnë të ngrohin shtëpinë apo të ushqejnë familjen; zgjedhje e vështirë për çdo familje, por veçanërisht për ato që vijnë nga komunitetet e cenueshme në Kosovë.
Edhe pse gratë ndoshta preken më së shumti nga shpenzimet dhe mungesa e funksionalitetit të sektorit energjetik, ato mbesin të nën-përfaqësuara edhe sa i përket pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe planifikim. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, gratë përbëjnë vetëm 14% të pozitave të larta drejtuese dhe rreth 22-25% të të gjithë të punësuarve në sektorin energjetik anembanë botës.
Në Kosovë, këto shifra janë edhe më të ulëta. Vlerësohet se gratë përbëjnë vetëm 7% të vendeve të punës në sektorin energjetik.
Pse ndodh kjo? Arsyet janë të ndryshme.
Së pari, sipas profesionisteve në sektorin energjetik, shumë vajza dhe gra vazhdojnë të besojnë se energjia është fushë e mbizotëruar nga meshkujt dhe zgjedhin të mos e zgjedhin atë madje shumë herët. Ky besim zë rrënjë dhe ka efekt afatgjatë. Mungesa e mbështetjes dhe inkurajimit nga prindërit dhe mësimdhënësit i shtyn vajzat të mos studiojnë degët shkencore, teknologjike, inxhinierike dhe matematikore, gjë që rrjedhimisht i parandalon gratë nga përfshirja në këto fusha jetike.
Së dyti, numri i vogël i grave në sektorin energjetik gjithashtu pasqyrohet në çekuilibrin e madh gjinor në pozitat e larta qeveritare dhe organizatat energjetike të sektorit privat. Të gjitha pozitat udhëheqëse të të gjithë operatorëve të rëndësishëm ekonomikë, nga prodhimtaria, transmisioni, shpërndarja e deri te furnizimi, i zënë meshkujt. Edhe pse ka ndryshime të vazhdueshme në bordet e operatorëve, të ndërmarrjeve publike dhe autoritetet rregullative, prapëseprapë, gratë zënë vetëm 25% të pozitave në borde.
Programi „Gratë në energji” ishte tamam në kohë dhe efikas për ta ndihmuar Kosovën që të rrisë larminë gjinore në sektorin energjetik.
Shtetet e Bashkuara janë krenare për të arriturat e programit „Gratë në energji” dhe e di se të gjithë në këtë sallë janë po ashtu krenarë. Kjo ndërhyrje krijoi mundësi të reja për karrierë për shumë të reja kosovare dhe tashmë po kontribuon për përfshirje më të mirë gjinore në sektorin energjetik të Kosovës.
Qindra gra kanë përfituar drejtpërdrejtë nga ky program; 26 kosovare kanë përfituar bursa për të studiuar në degët që ndërlidhen me energji në Kolegjin e qytetit të De Mojnit (Des Moines) në SHBA – gjithashtu kjo përmirësoi edhe më shumë atë lidhjen e rëndësishme Kosovë-Ajova.
Mbi 200 gra kanë bërë praktikën në sektorin energjetik. Dhe, mbi 400 biznese në pronësi të grave kanë përfituar ndihmë për të investuar në efiçencën e energjisë. Të gjitha këto veprimtari kanë sjellë pjesëmarrje më të madhe të kosovareve në sektorin energjetik.
Unë gjithashtu besoj se këto programe shërbejnë si përforcues – duke çuar në ndërgjegjësimin më të madh se ka mundësi për gratë në sektorin energjetik.
Edhe pse sot po shënojmë përmbylljen e programit „Gratë në energji” si pjesë e programit të kornizës fillestare të KSM-së, ende mbetet edhe shumë punë. Për këtë arsye jam i lumtur që mund të raportoj që KSM-ja, përmes programit të ardhshëm kompakt, do të vazhdojë të mbështesë Kosovën përderisa ndërton një fuqi punëtore më të larmishme dhe më të shkathtë, të përqendruar në sektorët e energjisë së ripërtëritshme dhe ruajtjes së energjisë. Kjo do t’i ndihmojë Kosovës të arrijë edhe rritjen e larmisë gjinore dhe rrugëtimit të Kosovës kah tranzicioni energjetik.
Përfitueseve të programit „Gratë në energji”: shpresoj të kemi rastin të punojmë për të ndërtuar të ardhme më të mirë, më të shëndetshme dhe më të pastër për kosovarët.
Ju faleminderit.