Fjala e Të ngarkuarit me punë Nicholas J. Giacobbe gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për Programin për shkëmbim akademik Fulbright

Fjala e Të ngarkuarit me punë Nicholas J. Giacobbe gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes për Programin për shkëmbim akademik Fulbright,  10 nëntor 2021

Mirëdita. Ministre Nagavci, zëvendës-ministër Pupovci, zëvendës-ministre Maloku-Bërdyna, zyrtarë të MASHTI-t. Kam kënaqësinë që jam me ju për këtë ceremoni të rëndësishme të nënshkrimit të marrëveshjes.

Këtë vit ne festojmë 75-vjetorin e programit Fulbright, i propozuar nga senatori amerikan Xhej Uilliam Fullbrajt (J. William Fulbright) në vitin 1945 dhe i miratuar nga presidenti Hari Truman (Harry Truman) një vit më pas. Që atëherë, programi Fulbright është bërë programi më i njohur i shkëmbimit në botë. Mbi 400.000 përfitues të programit Fulbright nga Shtetet e Bashkuara dhe nga mbi 160 vende nga e tërë bota kanë marrë pjesë në këtë program të rëndësishëm.

Jemi tepër krenarë për 216 studentët, studiuesit, hulumtuesit dhe specialistët kosovarë që kanë marrë pjesë në këtë program prej fillimit të tij në Kosovë në vitin 2009. Ata janë kthyer në shtëpi për të mundësuar ndryshime pozitive në qeveri, shoqëri civile dhe në botën akademike. Gjithashtu, pjesëmarrësit amerikanë të programit Fulbright, që kanë punuar dhe studiuar në Kosovë kanë mbajtur lidhje të forta me këtë vend, shpesh duke u kthyer në Kosovë për t’ua bartur ekspertizën e tyre partnerëve të ri dhe për të forcuar bashkëpunimin e tyre me partnerët e mëhershëm.

Programet më të mira Fulbright nëpër botë janë njëmend bashkëpunuese, me përfshirje dhe investim si nga Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe nga qeveria nikoqire. Prej fillimit të programit Fulbright në Kosovë, kemi pasur nderin që kemi pasur mbështetjen dhe përkushtimin e qeverisë së Kosovës dhe institucioneve nikoqire nga i tërë vendi.

Këtë vit, ky përkushtim është forcuar edhe më shumë me themelimin e Bordit për shkëmbim edukativ Kosovë-Shtete të Bashkuara, i cili përforcon vizionin strategjik të Fulbright-it duke siguruar përfshirjen në procesin vendimmarrës të Fulbright-it të zërave të shoqërisë civile, akademisë dhe pjesëmarrësve të mëhershëm të programit Fulbright. Ky bord, i pari i tillë në botë, tashmë ka përmirësuar procesin e njoftimit dhe përzgjedhjes, duke rezultuar në grup më të madh

të kandidatëve dhe standarde më të larta. Falënderojmë Këshillat amerikanë dhe Asociacionin KUSA për punën e tyre në themelimin e bordit, si dhe anëtarët themelues të bordit, Dajana Berisha, Kreshnik Hoti dhe Nora Latifi-Jashari që kanë vënë shembull të fortë se si duhet të veprojë një bord këshillëdhënës.

Veçanërisht dëshiroj ta falënderoj ministren Nagavci dhe ekipin e saj për lidershipin e fortë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Megjithatë, ky nivel i bashkëpunimit kërkon qasje gjithëpërfshirëse nga e tërë qeveria. E tërë qeveria e Kosovës ka qenë e përfshirë për të mundësuar këtë investim të rëndësishëm në institucione dhe njerëz që do të ndërtojnë të ardhme më të ndritshme për vendin tuaj. Prandaj, dëshiroj të falënderoj presidenten, kryeministrin dhe Kuvendin.

Përderisa ceremonia e sotme shënon fillimin e pesë viteve të ardhshme të programit Fulbright, e di se investimi i përbashkët dhe bashkëpunimi ynë do të vazhdojnë për të mundësuar ndryshime për vite të tëra.

Ju faleminderit të gjithëve që jeni me ne. Është nder për të gjithë ne në ambasadën e SHBA-së që po ndihmojmë për të shkruar këtë kapitull të ri në këtë program jetik të shkëmbimit ndërmjet dy vendeve tona.