Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe gjatë përmbylljes së projektit të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit për cilësinë e ajrit

Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe gjatë përmbylljes së projektit të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit për cilësinë e ajrit, 14 dhjetor 2021

Ju faleminderit, Petrit. Kam nderin që jam këtu bashkë me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, Fondacionin e Mijëvjeçarit të Kosovës, Institutin Hidrometeorologjik dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Sot po shënojmë përmbylljen e veprimtarive për cilësinë e ajrit „Era dimën”, të zbatuar përmes programit bazë gjatë katër viteve të fundit.

Cilësia e mirë e ajrit nënkupton ajër të pastër e pa ndotës si tymi, pluhuri dhe smogu. Cilësia e mirë e ajrit është parakusht për ruajtjen e baraspeshës së jetës në tokë për njerëz, kafshë dhe burimet natyrore. Të gjithë kërcënohemi kur ndotja e ajrit mbërrin shkallë të lartë të koncentrimit.

Muajin e kaluar, udhëheqësit botërorë u mblodhën në Skoci në konferencën COP-26, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu ribashkuan Marrëveshjes së Parisit dhe u ri-përkushtuan për tu marrë me krizën klimatike në vend dhe jashtë. Në Samitin e liderëve për çështje të klimës, të mbajtur më herët gjatë këtij viti, SHBA-të iu bashkuan ekonomive tjera të mëdha të botës, përfshirë edhe 17 vendeve përgjegjëse për 80 për qind të emetimeve globale, për të adresuar çështjen e ngrohjes globale. Presidenti Bajden u zotua për zvogëlimin e emetimeve të gazrave nga efekti serrë në SHBA për të paktën 50% deri në vitin 2030 – që do të thotë më shumë se dyfishim i zotimeve të mëhershme të vendit tonë.

Të gjitha vendet – përfshirë edhe Kosovën – duhet të marrin vendime të zorshme si të prodhojnë rrymë tash dhe në të ardhmen, si dhe si t’ju ofrojnë qytetarëve shërbime duke i ruajtur burimet natyrore dhe duke mos e dëmtuar mjedisin. Po punojmë me partnerët tanë këtu për të caktuar caqe ambicioze për emetimin e gazrave dhe për t’u larguar nga lëndët djegëse fosile shumë ndotëse. Megjithatë, çështja e emetimeve të gazrave serrë dhe mbrojtja e mjedisit nuk është çështje vetëm e qeverisë. Si qytetarë, ne duhet të luajmë rolin tonë.

Cilësia e keqe e ajrit është ndër çështjet më shqetësuese në Kosovë. Ajo ka ndikim në shëndetin dhe mjedisin tonë çdo ditë. Ndotja vjen nga burimet e prodhimeve të bëra nga njeriu: emetimet nga veturat e vjetra, gazrat helmues nga veprimtaria industriale, termocentralet me qymyr, djegia e drurit për ngrohje dhe materialit tjetër në vende të hapura dhe deponitë e mbeturinave. Gjatë dimrit, ndotja e ajrit në Prishtinë që shkaktohet nga ngrohja e shtëpive, djegia e qymyrit, si dhe termocentralet e vjetra arrin nivel të pashëndetshëm që shpesh tejkalon nivelet në qytetet me ajrin më të ndotur në botë.

Prandaj, jam më se i lumtur që jam këtu për të prezantuar rezultatet e ndërhyrjeve për cilësinë e ajrit të financuara nga qeveria amerikane. Këto ndërhyrje iu kanë ndihmuar institucioneve të Kosovës për të mbledhur të dhëna në kohë reale për cilësinë e ajrit dhe për të zhvilluar ueb-faqe me këshilla shëndetësore për cilësinë e ajrit. Ato kanë ndihmuar në monitorimin e metaleve të rënda dhe kanë përpiluar inventarin kombëtar të Kosovës për ndotësit e ajrit. Në fund, ato kanë përfshirë aktivitete dhe seanca informative për hisedarët për të siguruar që qytetarët kosovarë i kanë informatat e duhura për të punuar drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe për të marrë vendime të duhura për veprimtaritë e tyre ditore.

Gjatë fjalës së tij para udhëheqësve botërore në Samitin për çështjet e klimës, presidenti Bajden tha: „Udhëheqja juaj për këtë çështje është deklaratë para popullit të vendeve tuaja dhe të çdo vendi, veçanërisht të rinjve, se jemi të gatshëm që të përballemi me këtë çast. E përballja me këtë çast nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e planetit; ka të bëjë me të ardhme më të mirë për të gjithë”.

Më vjen mirë që kemi mundësi për të mbështetur të ardhme më të shëndetshme ku qytetarët kosovarë i gëzohen ajrit të pastër gjatë tërë vitit. Një të ardhme që mund të realizohet kur prijësit dhe qytetarët kosovarë punojnë së bashku.

Ju faleminderit.