Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe gjatë ngjarjes përmbyllëse të veprimtarisë së TEAM në shënim të Ditës Ndërkombëtare kundër korrupsionit „Arritjet dhe Sfidat në Prokurimin Publik” 9 dhjetor 2021
Mirëmëngjesi. Ju faleminderit të gjithëve që jeni me ne për të shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe përmbylljen e veprimtarisë së projektit të USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse (TEAM). Ndihma Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë është ndër prioritetet kryesore të qeverisë së SHBA-së në marrëdhëniet tona të forta dhe të thella.
E në këtë nuk jemi të vetëm. Sot, kryeministri Kurti, përfaqësues të qeverisë së Kosovës, institucionet e pavarura, shoqëria civile dhe sektori privat janë të bashkuar, të përkushtuar për të luftuar korrupsionin për të ardhme më të ndritur të Kosovës.
Ngjarja e sotshme paraqet mundësi për të pasqyruar se si Kosova po e lufton korrupsionin, si dhe për të vënë në pah se si bizneset dhe shoqëria civile mund të punojnë së bashku për të mundësuar përparimin.
Në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të 21 shtatorit, presidenti Bajden tha: „Korrupsioni nxit pabarazinë, i shter resurset e një vendi, përhapet jashtë kufijve dhe sjell vuajtje. Nuk është hiç më pak se kërcënim për sigurinë kombëtare në shek. XXI”.
Korrupsioni është problem global që mund të minojë demokracitë dhe sundimin e ligjit. Kërkon përkushtimin e të gjithë anëtarëve të shoqërisë për të mbrojtur institucionet dhe promovimin e llogaridhënies.
Përkushtimi i Kosovës është kyç sepse pa gjykata efiçente dhe të pavarura nuk mund të ketë përparim të investimeve, tregtisë dhe zhvillimit. Institucionet dhe gjykatat kurrë nuk duhet t’ju shërbejnë interesave individualë. Zyrtarët publikë duhet t’i kryejnë detyrat e tyre me transparencë dhe të sigurojnë që interesat e tyre nuk dalin mbi interesat e popullit.
Frymëzohem që po i shoh gjithë këta aktivistë dhe partnerë vendorë. Përderisa donatorët ndërkombëtarë luajnë rol të rëndësishëm në nxitjen e zgjidhjeve dhe shtytjes për ndryshim, në fund të fundit, kjo betejë duhet të udhëhiqet nga vetë Kosova. Ju jeni ata që keni sakrifikuar aq shumë për ta bërë Kosovën që është sot dhe jeni të vetmit që mund të siguroni që udhëheqësit e vendit t’i jetësojnë standardet që i kanë vënë votuesit.
Sot, Kosova po shënon ndryshime thelbësore në sistemin e prokurimit publik, siç është sigurimi i transparencës së plotë të informacionit për prokurimin, duke përfshirë publikimin e të gjitha kontratave të prokurimit; ndryshime këto që shënojnë hap kyç në rrugën drejt rritjes së transparencës dhe hapjes.
Reforma e prokurimit publik luan rol jetik në mposhtjen e korrupsionit. E korrupsioni ka pasoja të gjera, duke minuar investimet ekonomike, ofrimin e shërbimeve komunale, qasjen në kujdes shëndetësor dhe arsim.
Të sigurohemi që rezultatet mbresëlënëse në rritjen e transparencës dhe efiçencës në prokurim publik përcillen me rritje të shënueshme në llogaridhënie.
Qytetarët kanë mjete të fuqishme për ta luftuar korrupsionin. Aktivistët, gazetarët dhe zyrtarët publikë të guximshëm shpesh përballen me kundërshtime, frikësime dhe kërcënime në përpjekje për të çrrënjosur korrupsionin dhe për t’iu kërkuar përgjegjësi autorëve. Jemi shumë me fat që aktorë të tillë që janë në ballë të betejës sot janë në panelin tonë.
Qeveria amerikane, përmes USAID-it dhe agjencive tjera, do të vazhdojë të bashkëpunojë me qeverinë dhe agjencitë e pavarura për reformën në prokurim, në gjyqësor dhe përpjekjet tjera që synojnë luftimin e korrupsionit. Por, është absolutisht e domosdoshme që të ketë përkushtim më të gjerë dhe më të fuqishëm prej nivelit komunal e deri të niveli më i lartë i pushtetit.
Edhe njëherë, ju faleminderit që jeni me ne këtu dhe për tërë punën tuaj në luftimin e korrupsionit. Mirëpres mundësinë për t’i dëgjuar idetë tuaja dhe për të punuar së bashku gjatë kësaj jave për ta bërë Kosovën vend më të mirë për të punuar, investuar, jetuar, tani dhe në të ardhmen.