Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe gjatë Konferencës për Siguri Kibernetike „Depërto në rrjet për të mësuar dhe për tu mbrojtur”, 23 nëntor 2021
Ju faleminderit për prezantimin. Kam nderin që po ndihmoj në çeljen e kësaj ngjarjeje inovative të sponsorizuar nga Sektori për diplomaci publike i ambasadës sonë.
Duke punuar me OJQ-në kosovare, Shoqata Shqiptare Kibernetike, ambasada amerikane është krenare për rolin e saj në lidhjen e dy komuniteteve frymëzuese dhe thelbësore — dy komuniteteve që përbëjnë audiencën e sotshme: profesionistëve kosovarë të ri, inovativë të teknologjisë informative dhe gazetarëve të pavarur.
Të dy grupet janë thelbësore për suksesin e Kosovës në avancimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përparimit ekonomik. Dhe ato mund të përfitojnë aq shumë duke kontaktuar dhe mësuar nga njëri-tjetri.
Më herët gjatë këtij muaji, shënuam Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve. Edhe pse dihet anembanë — dhe është për tu kritikuar — që gazetarët në Kosovë dhe anembanë botës kërcënohen gojarisht dhe sulmohen fizikisht, shumë më rrallë flitet se çka ju ndodh në hapësirën kibernetike. Gjithnjë e më shumë, gazetarët dhe organizatat mediatike janë cak i dashakeqësve për shkak të punës së tyre dhe informatave që i kanë. Dashakeqësit e kanë shumë lehtë të infiltrojnë kompjuterët dhe telefonat, duke dëmtuar hulumtime dhe dëshmi të vlefshme, duke zbuluar informata të dobishme, duke djegur burimet dhe përfundimisht duke dëmtuar besueshmërinë e gazetarit. Edhe këtë mosndëshkueshmëri duhet ta dënojmë.
Më lejoni t’i përmend disa shembuj të kohëve të fundit dhe ndikimin e tyre.
Në vitin 2013, një grup i kriminelëve kibernetikë sirianë hynë në rrjetin e New York Times, BBC, NPR, Washington Post dhe të tjerëve. Madje ata arritën që me sukses të ‘hakojnë’ faqen në Twitter të Associated Press dhe pastaj shpërndanë dezinformata kinse presidenti i atëhershëm Obama ishte lënduar, gjë që shkaktoi rënien e tregut të bursës.
Në dhjetor 2020, u raportua se telefonat e gazetarëve të njohur të Al Jazeera-s ishin ‘hakuar’ në përpjekje për të heshtur kritikat e tyre ndaj qeverisjes lokale. E njëjta pajisje për spiunazh e përdorur kundër këtyre gazetarëve më vonë u përdor për të heshtur më shumë se 200 gazetarë të tjerë nëpër vende të ndryshme të botës.
Por, këto kërcënime nëpërmes internetit nuk ndodhin vetëm kundër mediave të mëdha ndërkombëtare. Hiç më larg se në qershor, tri stacione lokale televizive në SHBA, në Floridë, Karolinë të Veriut dhe Pensilvani, u sulmuan nga kriminelët kibernetikë duke kërkuar shpërblesë.
Këtu në Kosovë, dhjetorin e kaluar dhe pastaj edhe në shkurt, dy portale të mëdha të lajmeve, Insajderi dhe Reporteri u sulmuan nga kriminelë kibernetikë të panjohur, të cilët në mënyrë efikase ua mbyllën veprimtarinë për ditë të tëra.
Për këtë arsye, bashkëpunimi i sotshëm, ndërmjet juve, komunitetit të ‘hakerëve’ etikë të Kosovës dhe juve, gazetarëve dhe organizatave mediatike të Kosovës – nuk është vetëm inovativ, por e domosdoshme.
Rinia është pasuria më e madhe e Kosovës. Shkathtësia juaj për çështjet teknologjike dhe gatishmëria juaj për të punuar së bashku me sektorë dhe komunitete të ndryshme — duke shfrytëzuar energjinë, frymën dhe talentin tuaj — sjell përfitime afatgjata. Bashkëpunimi dhe trajnimi i ndërsjellë është jetik për sigurinë e Kosovës, si dhe për suksesin e saj ekonomik.
Hakerë etikë: duke shfrytëzuar shkathtësitë tuaja për t’ju ndihmuar të tjerëve, ju bëni që të gjithë të jemi më të sigurt. Me testimin e sistemeve ua mundësoni organizatave të përforcojnë mbrojtjen e tyre ashtu që kur dashakeqësit njëmend sulmojnë, sistemet e sektorëve publike dhe privatë janë gati.
Edhe gazetarët luajnë rol kryesor në shoqërinë kosovare dhe në botë. Por, atyre ju duhet liri, privatësi dhe hapësirë për të raportuar për të vërtetën dhe për t’ju kërkuar zyrtarëve llogari. E ata nuk mund ta bëjnë këtë nëse dashakeqësit – qoftë nëse kërkojnë të pengojnë pavarësinë redaktuese të një mediumi apo për përfitime financiare – kanë mundësi t’ju qasen informatave të besueshme, t’i identifikojnë burimet dhe rrjedhimisht të shkatërrojnë besueshmërinë e gazetarëve.
Duke punuar së bashku, ju do të ndihmoni që të gjithë kosovarët të jenë më pak të cenueshëm nga manipulimi dhe shtrëngimi. Organizatat mediatike, përfshirë Telegrafi, Klan Kosova, Kallxo dhe të tjerat, tashmë po përfitojnë nga ky bashkëpunim — duke përforcuar mbrojtjen e tyre për t’i mbrojtur gazetarët nga sulmet kibernetike.
Në emër të ambasadës së SHBA-së, sinqerisht shpresojmë që konferenca e sotshme do të bëjë që edhe organizata të tjera mediatike të përfitojnë nga ky bashkëpunim i përbashkët – për të mësuar për t’i identifikuar dhe zbutur rreziqet dhe për të normalizuar testimin duke bashkëvepruar me hakerët etikë të Kosovës. Kjo do të shërbejë si shembull i shkathtësisë, etikës së punës dhe inovacionit kosovar për tërë rajonin.
Edhe njëherë, ju faleminderit për ftesën për të folur dhe për të qenë me ju sot. Mirëpres mundësinë për të dëgjuar për rrëfimet e suksesit përderisa ‘hakoni’ për të mësuar dhe mbrojtur gazetarët e pavarur të Kosovës dhe për të ndërtuar njohuri të përbashkët në këtë sferë kritike të shoqërisë.