Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe gjatë ceremonisë së valës së tretë të donacionit të pajisjeve mjekësore për Shërbimin Spitalor

Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe gjatë ceremonisë së valës së tretë të donacionit të pajisjeve mjekësore për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, 15 dhjetor 2021

Ministër Latifi, Dr. Valbon Krasniqi, personel i ShSKUK-ut dhe mysafirë.

Më vjen mirë që jam këtu për shënimin e donacionit prej më shumë se 520.000 dollarë të pajisjeve mjekësore për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Me këtë donacion do të mbështesim përpjekjet tuaja për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe do të mundësojmë përmirësime afatgjata në ShSKUK.

Ky donacion i financuar nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë dhe i bashkërenditur nga Zyra për Bashkëpunim të Mbrojtjes i Ambasadës së SHBA-së është pjesë e ndihmës prej më shumë se shtatë milion dollarë që agjencitë e ndryshme të qeverisë amerikane ia kanë dhënë Kosovës përmes ndihmës teknike, donacioneve të pajisjeve dhe furnizimeve prej fillimit të pandemisë – përfshirë edhe mbi 500.000 doza të vaksinës Pfizer kundër Covid-19.

Përderisa numri i rasteve aktive me Covid momentalisht është i ultë, rreziku mbetet real. Mjafton të shohësh vendet nëpër Evropë për të kuptuar se situata mund të ndryshojë befas. E për t’i mbajtur shifrat të ulëta dhe për të zvogëluar ndikimin e mëtejmë nga ky virus i tmerrshëm, duhet të veprojmë tani. Ky donacion do të ndihmojë për ta bërë pikërisht këtë – përmes përgatitjeve në sektorin e shëndetësisë dhe të gjithë duke kryer pjesën e tyre përmes vaksinimit – dhe shpresojmë të ndalim dallgën e Covid-19.

Na vjen mirë që kemi mundësi t’ua dorëzojmë këtë pajisje që shpëton jetë, jo vetëm për të ndihmuar në luftimin e pandemisë së tanishme, por edhe për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve të spitalit dhe mbështetjen e qëllimeve shëndetësore afatgjata të Kosovës. Qeveria amerikane e kupton se kapacitetet e sektorit shëndetësor janë jetike për sigurinë më të madhe të një vendi.

Uinston Çërçill ka thënë: „Qytetarët e shëndetshëm janë pasuria më e madhe e një vendi” e shëndeti njëmend është pasuria më e madhe. Kosova do të duhet ta shfrytëzojë pasurinë e saj më të madhe për ta trajtuar sfidën më të madhe me të cilën përballet si vend. Për këtë arsye, prej vitit 2016, qeveria amerikane ka ndarë më shumë se pesë milion dollarë në fondet e Komandës së Forcave Amerikane për Evropë për projektet e SHSKUK dhe kjo është arsyeja pse Zyra për Bashkëpunim të Mbrojtjes, nën mbikëqyrjen e Korpusit të Xhenios të ushtrisë amerikane, momentalisht po financon renovimin e kuzhinës së ShSKUK-së.

Por, nëse më vonë keni ankesa për ushqim, ta dini që nuk po e financojmë kuzhinierin.

Donacioni ynë i sotëm është dëshmi e mëtejme për partneritetin e qëndrueshëm të Amerikës me Kosovën dhe mirëpresim bashkëpunimin e mëtejmë me Qeverinë e Kosovës në këtë dhe çështje tjera kritike.

Dëshiroj ta falënderoj kontraktuesin tonë, Solution D, për përpjekjet e tyre për t’i sjellë shpejt pajisjet më se të nevojshme.

Ministër Latifi, Dr. Krasniqi, i çmoj përpjekjet tuaja dhe punën e palodhshme të stafit tuaj për të ofruar shërbim mjekësor popullit të Kosovës. Shpresoj që ky donacion modest do të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve kosovarë.