Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe gjatë ceremonisë së hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë, 8 nëntor 2021
Ju faleminderit për prezantimin. Dëshiroj të falënderoj Qendrën e Inovacionit të Kosovës dhe Odën Amerikane të Kosovës për mundësinë për të folur para këtij grupi frymëzues të novatorëve gjatë Javës Globale të Ndërmarrësisë. Kam kënaqësinë që jam me ju dhe jam krenar që i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës si njëri nga bashkë-sponsorët e shumtë këtu.
Java Globale e Ndërmarrësisë ka qenë gjithmonë njëra ndër ngjarjet më të parapëlqyera sepse vë në pah atë çka më së miri mund të ofrojnë kosovarët. Me idetë tuaja, inovacionet, këndvështrimin global, ju po ndërtoni ndërmarrje të së ardhmes që do të nxisin përparimin dhe do të rritin ekonominë e Kosovës dhe të rajonit. Ndikimi juaj ka efekt në tërë ekonominë duke rritur punësimin, duke krijuar mjedis afarist më transparent dhe duke siguruar tregje më të qëndrueshme.
Ambasada jonë e kupton ndikimin që të gjithë kosovarët mund të kenë duke menduar përmes këndvështrimit të ndërmarrësisë. Përmes USAID-it, ne ofrojmë mundësi për angazhimin e të rinjve me sektorin privat dhe për t’i fituar shkathtësitë që i kërkojnë punëdhënësit vendorë. Me partnerët tanë vendorë po punojmë drejt ndryshimeve shkallëzore dhe sistemore që rritin aftësinë e sektorit privat për angazhim me tregjet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Për shembull, puna jonë në sektorin e përpunimit të drurit ka kontribuar që eksporti kosovar më shumë se të dyfishohet në 2020-n në krahasim me 2019-n. Ky është demonstrim i rëndësishëm i potencialit të Kosovës për transformim ekonomik dhe është vetëm një ndër shembujt e një projekti të menaxhuar nga USAID-i. Ne, gjithashtu, kemi projekte interesante të menaxhuara nga sektori për Diplomaci Publike, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit dhe sektorët tjerë të ambasadës sonë.
Përderisa vëmendja e shumicës së botës është kthyer kah Glasgou dhe konferenca për klimë, COP-26, po na përkujtohet se bizneset mund të ekzistojnë edhe për qëllim të caktuar dhe për fitim. Po përballemi me krizë të klimës dhe sektori privat luan rol të rëndësishëm në zbutjen dhe përshtatjen ndaj saj.
Ndërmarrësia e gjelbër dhe ajo sociale janë sektorë me rritje të shpejtë që do të marrin hov përderisa qeveritë dhe investitorët iu përshtaten qëllimeve ambicioze për klimën. Popullata e Kosovës, teknologjikisht e ngritur, ka mundësi të mirë për të zhvilluar inovacione në zvogëlimin e emetimit të gazrave, efiçencën e energjisë dhe menaxhimin e resurseve natyrore. E pa marrë parasysh cilit sektor i takoni, është thelbësore që në modelet tuaja afariste dhe zinxhirin e furnizimit të përfshini qëndrueshmërinë mjedisore. Jo vetëm që është mënyra e mirë për të bërë biznes, por është mënyra e duhur për të bërë biznes.
Ne, në ambasadën amerikane, po e bëjmë pjesën tonë për zvogëlimin e ndikimit në mjedis të veprimeve tona përmes Ekipit tonë të Gjelbër, si dhe duke e përqendruar një pjesë të madhe të ndihmës sonë teknike në sigurinë e energjisë elektrike, llojshmërinë dhe efiçencën. Gjithashtu, jemi krenarë për teknologjinë e gjelbër në ndërtesën tonë të re të ambasadës, e cila na mundëson konsumim minimal.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dimë se shumëllojshmëria është fuqi. Gjithashtu e dimë se duhet qëllimisht të krijojmë mjedis përfshirës dhe që ofron mundësi të barabarta ku shumëllojshmëria mund të lulëzojë. Përderisa i krijoni dhe i zgjeroni ndërmarrjet tuaja, përkushtojuni ndërtimit të vendeve të punës të shumëllojshme dhe përfshirëse, të cilat i marrin parasysh të gjithë kosovarët. Përderisa po rikthehemi pas pandemisë, duhet të zbatojmë modele të reja afariste që pasqyrojnë më mirë prejardhjen, këndvështrimin dhe përvojat e pasura të komuniteteve tona. Edhe njëherë, kjo jo vetëm që është mënyra e mirë për të bërë biznes, por është mënyra e duhur për të bërë biznes dhe në fund të fundit, është mënyra fitimprurëse e të bërit biznes.
Në fund, ngjarjet e Javës Globale të Ndërmarrësisë mund të shërbejnë si forum për sektorin privat për të mbështetur eko-sistemin ndërmarrësor dhe të ndërmarrjeve të sapoformuara në Kosovë.
Ju nxis të gjithëve që t’i shfrytëzoni këto ngjarje për t’i identifikuar dhe përshtatur zgjidhjet për problemet që i shihni.
Këtë javë e më tej, ju nxis të gjithëve të angazhoheni me politikë-bërësit për të avokuar për reformat që ju duhen për të arritur sukses.
E ardhmja e Kosovës është në duart e inovatorëve si ju. Jemi këtu për t’ju inkurajuar dhe ndihmuar sido që mundemi, e jo vetëm këtë javë, por 52 javë në vit!
Edhe njëherë, ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush sot dhe për tu takuar me një grup kaq mbresëlënës dhe kreativ.