Fjala e Të ngarkuarës me punë, z-njës Hyland në seminarin “Strategjia dhe siguria ndërkombëtare”

Mirëmëngjesi.  Dëshiroj ta falënderoj Qendrën George C. Marshall dhe Akademinë Diplomatike të Kosovës për organizimin e këtij seminari rreth një çështjeje kaq të rëndësishme.

Ky seminar mbi strategjinë dhe sigurinë ndërkombëtare adreson interesat jetikë të Kosovës dhe angazhimet e saj në rajon dhe në mbarë botën.

Që të gjithë i jemi përkushtuar krijimit të një bote më paqësore dhe më stabile; të bashkuar në zotimin tonë për ta rritur sigurinë dhe për ta mbrojtur lirinë.  Ofrimi i një mjedisi të qetë dhe të sigurtë është përbërësi kryesor për përmirësimin e cilësisë së jetës të të gjithë qytetarëve.  Kjo gjë kërkon që institucionet e zbatimit të ligjit të zhvillojnë dhe zbatojnë strategji inovative për mbrojtjen e komuniteteve të tyre.

Tash për tash, po i përjetojmë disa prej sfidave më të rënda për zbatimin e ligjit.  Krimi i organizuar, migrimi i paligjshëm dhe ekstremizmi i dhunshëm janë disa prej kërcënimeve të rënda ndërkufitare në rajon.  Çështja e personave që kthehen nga konfliktet e huaja përbën shqetësim të madh, si dhe nxitja për ekstremizëm e të rinjve, që bën që të rinjtë të zotohen për të luftuar në luftërat e të tjerëve bashkë me organizatat terroriste jashtë vendit.

Fakti se jeni këtu na tregon që secili prej jush e kuptoni që njëri ndër faktorët më të rëndësishëm për zbatimin efikas të planit strategjik për t’u përballur me rreziqet që i kërcënohen sigurisë ndërkombëtare është zhvillimi dhe zbatimi i një programi solid që kërkon që të gjithë të punojnë së bashku.

Ky seminar do të adresojë një varg parimesh dhe qasjes për sigurinë ndërkombëtare; rishikimin e Sektorit Strategjik të Sigurisë, si dhe aspektin e rëndësishëm të komunikimeve strategjike.

Ju nxis që ta shfrytëzoni këtë mundësi për t’i shkëmbyer sfidat dhe sukseset tuaja.  Po ashtu, ju nxis që ta shfrytëzoni rastin për tu njoftuar me njëri-tjetrin.  Ka gjasa të mira që ndonjëherë, në një të ardhme jo shumë të largët, ta hetoni ndonjë rast, i cili i kalon kufijtë dhe kjo do t’ju vë në kontakt me ndonjërin nga kolegët tuaj në këtë sallë.

Në emër të ambasadës amerikane, ju dëshiroj seminar të dobishëm dhe informativ. Urime dhe suksese të vazhdueshme!