Fjala e Të ngarkuarës me punë në ambasadën amerikane, z-njës Hyland në Konventën e Industrisë së Veshmbathjeve të Kosovës, 14 nëntor 2018
Mirëmëngjesi.
Kryeministër Haradinaj, mysafirë dhe folës të nderuar.
Më vjen shumë mirë që sot jam këtu bashkë me ju për të çelur Konventën e dytë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve të Kosovës. Dëshiroj ti përgëzoj programin EMPOWER të USAID-it dhe Shoqatën e Marketingut të Veshmbathjeve të Kosovës për organizimin e kësaj konvente për të dytin vit me radhë. Shpresoj që ky është fillimi i një tradite shumë të gjatë.
Duke bashkëpunuar për këtë ngjarje, ju po ndihmoni në përforcimin e ngritjes së kësaj industrie – duke ofruar një vend ku ndërmarrësit mund të shpalosin krijimet e tyre, të shkëmbejnë inovacionet, si dhe të tërheqin investitorët dhe blerësit.
Përfaqësuesve të industrisë së veshmbathjeve që janë sot këtu: ju lumtë! Idetë, energjia dhe shkathtësia juaj për biznes kanë ndihmuar për të ndërtuar reputacionin e Kosovës si prodhuese dhe eksportuese e prodhimeve cilësore.
USAID-i ka qenë partner krenar i bizneseve të sektorit të veshmbathjeve gjatë katër viteve të shkuara duke iu ndihmuar në blerjen e pajisjeve të reja dhe për tu certifikuar. Për ti përforcuar këto investime, USAID-i ka ofruar asistencë dhe iu ka ndihmuar prodhuesve për tu lidhur me tregjet e reja. Kjo mbështetje, së bashku me guximin dhe trimërinë e prijësve afaristë të Kosovës, ka ndihmuar që sektori i veshmbathjeve të lulëzojë.
Sot, ndërmarrjet e veshmbathjeve – të gjallëruara nga popullariteti në rritje i prodhimeve të Kosovës – shikojnë përpara dhe janë plot zell. Ato po i rafinojnë operacionet e tyre, po investojnë dhe modernizojnë teknologjinë e tyre, po zgjerojnë llojshmërinë e prodhimeve të tyre, si dhe po rrisin prodhimtarinë dhe eksportin. E më e rëndësishmja, kjo rritje e qëndrueshme ka ndihmuar në krijimin e 450 vendeve të reja të punës në tërë industrinë. Përderisa eksporti rritet, po ashtu do të rritet edhe numri i vendeve të reja të punës në Kosovë.
Ndërmarrjet e sektorit të veshmbathjeve të Kosovës duhet të jenë shumë krenare për të arriturat e tyre dhe për suksesin e markës “Prodhuar në Kosovë”.
Përmes partneriteteve me nam, duke përfshirë ujditë me Max Mara dhe Havep, sektori i veshmbathjeve të Kosovës tani po eksporton prodhime të cilësisë së lartë në tërë rajonin dhe në BE.
Kjo është shenjë e mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për të ardhmen e kësaj industrie të rëndësishme. Me gjithçka që është planifikuar, agjenda e konventës po gëlon nga të gjitha anët.
Shpresoj që vënia e lidhjeve, diskutimet dhe marrëveshjet që dalin në pah sot do të nxisin rritjen e vazhdueshme të Kosovës dhe të ndërmarrësve të saj për vite të tëra.
Edhe njëherë, ju faleminderit për mundësinë për të qenë me juve këtu!