Fjala e të ngarkuarës me punë, Hyland, në Javën për të drejtat e viktimave të krimit, 22 tetor 2018
Mirëmëngjesi President Thaçi, ministër Tahiri, gjykatës Peci, kryesues Isufaj dhe mysafirë të tjerë të nderuar. Ju faleminderit Kryeprokuror i Shtetit Lumezi që ma ofruat mundësinë për të marrë pjesë në konferencën vjetore të këtij viti.
Mendoj se është e sigurt të thuhet që Java e të drejtave të viktimave të krimit është bërë institucion. Fakti që Kosova në mënyrë rutinore dhe të besueshme e mban këtë ngjarje çdo vit është i rëndësishëm, sepse kjo do të thotë që e kuptoni se sundimi i ligjit dhe veçanërisht shërbimet e viktimave duhet të jenë rutinë dhe të besueshme.
Konsistenca është gjithashtu e rëndësishme, sepse ajo siguron përgjegjësi. Qytetarët dinë çka të presin kur sistemi funksionon siç duhet dhe, në të njëjtën kohë, e dinë se ka ndonjë problem kur nuk i marrin ato shërbime.
Kjo javë është mundësi për t’ua rikujtuar qytetarëve se çka duhet të presin nga institucionet e tyre nëse janë viktimë e krimit. Gjithashtu është kohë për t’ua rikujtuar anëtarëve të sistemit të drejtësisë, ofruesve të shërbimeve dhe institucioneve qeveritare se cilat janë obligimet e tyre ndaj atyre të cilëve u shërbejnë.
Këtë vit, Java e viktimave të krimit i kushtohet ngritjes së vetëdijes për dhunën në familje. Këto dy fjalë, mendoj se mund të pajtohemi, nuk shkojnë së bashku: familje dhe dhunë. Të gjithë supozojmë se familjet do t’i mbrojnë dhe mbështesin anëtarët e tyre. Që prindërit do t’i ushqejnë dhe kujdesen për fëmijët e tyre. Dhe se burrat do t’i respektojnë gratë e tyre. Kur ka dhunë në familje, ajo ka pasoja shkatërruese dhe lë shenja të përhershme. Dhuna në familje është një nga krimet më të përhapura në mbarë botën dhe, për fat të keq, edhe Kosova vuan nga kjo e keqe, por ka përmirësime të konsiderueshme.
Ambasada e SHBA-së ka kontribuar shumë, përmes programeve tona OPDAT dhe ICITAP, për t’i ndihmuar Kosovës që ta përmirësojë reagimin institucional ndaj dhunës në familje. Kemi qenë partnerë në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Kosovës për Parandalimin e Dhunës në Familje, në hartimin e një libri bazë për ndjekjen penale dhe në gjykimin e dhunës në familje, kemi mbështetur zhvillimin e prokurorëve të specializuar dhe të policisë, dhe kemi nxitur që dhuna në familje të trajtohet si kategori prioritare për avokatët e viktimave dhe Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Natyrisht, ka më shumë punë për të bërë. Hapi i ardhshëm është t’i krijojmë lidhjet mes institucioneve për ta krijuar një rrjet sigurie për mbështetjen e viktimave. Mbështetja e viktimës duhet të jetë në qendër të qëllimeve tuaja.
Këtë vit, Kosova përjetoi vrasje tragjike si pasojë e dhunës në familje. Mjerisht, ka pasur dhunë të parandalueshme. Është e qartë që të gjithë duhet të jemi vigjilentë ndaj kësaj çështjeje dhe duhet t’i inkurajojmë viktimat që ta kërkojnë ndihmën që është në dispozicion për to dhe të mos e fshehin gjendjen e tyre në turp. Dhe kur të paraqitet një viktimë e dhunës, institucionet duhet të reagojnë. Dështimi për të reaguar shpie në këto tragjedi, sepse, shumë shpesh, raportimi është përpjekja e fundit e dëshpëruar e viktimës për të marrë ndihmë.
Dëshirojmë të punojmë me institucionet e Kosovës për t’i përmirësuar reagimet e tyre ndaj raporteve të hershme të dhunës në familje, edhe nëse ato duken të vogla, dhe shpresojmë që në konferencën e vitit të ardhshëm do të diskutojmë për suksese dhe përmirësime në këtë fushë. Shpresojmë që qeveria do të bëjë më shumë për ta edukuar publikun për shenjat e lajmërimit të hershëm dhe ndihmën që është në dispozicion të viktimave. Parandalimi është gjithmonë më i mirë se ndjekja penale.
Njerëzit gjithashtu duhet të vetëdijesohen për procesin e kompensimit të viktimave të krimit. Dhe, po ashtu me rëndësi, njerëzit duhet të kenë mundësi të kenë qasje të lehtë në këto shërbime. Ngritja e vetëdijes për të drejtat e viktimave forcon sundimin e ligjit dhe e forcon Kosovën. Ju faleminderit që ma ofruat mundësinë për të folur në hapjen e kësaj konference shumë të rëndësishme.