Fjala e të ngarkuarës me punë, Colleen Hyland, me rastin e diplomimit në programin Access në Mitrovicë, 18 tetor 2018
Të nderuar mysafirë, Afërdita, Natasha, studentë dhe mësimdhënës të programit Access, ju falënderoj shumë që më keni ftuar sot këtu.
Urime të diplomuarve të programit për gjuhën angleze Access 2018 nga Mitrovica!
Të kalosh dy vjet kushtuar një programi jashtë kurrikulumit është zotim serioz. Posaçërisht për ju që keni obligime të tjera në universitet, punë dhe shtëpi. Por këmbëngulja dhe përkushtimi juaj ju kanë ndihmuar ta zotëroni këtë aftësi të re.
Anglishtja hap dyer. Mundësitë tuaja për arsim të lartë ose për një punë më të mirë janë përmirësuar shumë. Pa marrë parasysh a dëshironi të merreni me shkenca kompjuterike apo mjekësi, të bëheni mësimdhënës apo të punoni në turizëm, ju tani do të keni më shumë mundësi.
Anglishtja gjithashtu ju mundëson të lidheni me mbi 1,5 miliardë njerëz anembanë botës që flasin anglisht. Anglishtja i lidh njerëzit edhe këtu në Kosovë.
Ju, të diplomuar të programit Access 2018, e kuptoni më mirë se të tjerët si anglishtja mund t’i bashkojë njerëzit e komuniteteve të ndryshme.
Ju inkurajoj të vazhdoni t’i përdorni aftësitë tuaja të anglishtes për t’u lidhur me njerëz. Gjeni mënyra për ta përdorur shërbimin e komunitetit dhe aftësitë e udhëheqjes nga programi Access për ta mbajtur lidhjen me fqinjët tuaj këtu në Mitrovicë.
Përveç kësaj, lidhuni me personat e tjerë të Kosovës që kanë marrë pjesë në programet e Qeverisë Amerikane për shkëmbim duke iu bashkuar KUSA-s, Rrjetit Alumni Kosovë-SHBA.
Studentëve të ardhshëm këtu sot, ju dëshiroj suksese. Shpresoj që do të kuptoni nga ceremonia e sotme e diplomimit se, ndërsa programi Access është një zotim i madh, ai mund të ofrojë shpërblime të mëdha.
I falënderoj miqtë dhe familjet këtu sot për mbështetjen tuaj për këta studentë dhe ju falënderoj për besimin tuaj në programin Access.
Së fundi, ju falënderoj ju, mësimdhënës dhe administratorë të CBM-së, për tërë punën tuaj të zellshme.
Urime për dy grupet e mrekullueshme të studentëve. Ju vërtet jeni duke ndryshuar jetën dhe duke ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për Kosovën.
Urime, edhe një herë, brezit të 2018-ës.