Fjala e Nënpresidentit në Samitin e Kartës së Adriatikut, 2 gusht 2017
Hilton Podgoricë, Mal i Zi
Podgoricë, Mal i Zi
NËNPRESIDENTI: Ju faleminderit të gjithëve. Kryeministër Markovic, Kryeministër Zaev, Kryeministër Brnabic, Kryeministër Cerar, Kryeministër Plenkovic, Kryeministër Rama, President Thaci, Ministër Zvizdic, mysafirë të nderuar, kam nderin e madh t’ju bashkohem sot për ta kremtuar përparimin e Ballkanit Perëndimor këtu në këtë Samit historik të Kartës së Adriatikut. (Duartrokitje.)
Presidenti i SHBA-së, Presidenti Donald Trump, personalisht më dërgoi këtu si shenjë e zotimit të vazhdueshëm të vendit tonë për Ballkanin Perëndimor.
Është nder i veçantë për mua të jem këtu sot, si Nënpresidenti i parë i SHBA-së për ta vizituar Malin e Zi.
Është e mrekullueshme të mendosh që Mali i Zi rifitoi pavarësinë vetëm 11 vjet më parë. Por ndërsa Mali i Zi mund të jetë vend i ri, ky është një vend me histori të lashtë dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen dhe mikpritjen tuaj sot, z. Kryeministër.
Kultura dhe traditat e Malit të Zi ka kohë që e kanë pasuruar kontinentin e Evropës si tërësi. E njëjta mund të thuhet për të gjitha vendet që përfaqësohen këtu sot.
Ballkani Perëndimor tregon shumëllojshmërinë e civilizimit perëndimor – një mozaik i bukur i vendeve dhe njerëzve të lirë – secili me historitë, kulturat, gjuhët dhe traditat e veta unike dhe të gjitha meritojnë të çmohen, kremtohen dhe mbrohen.
Karta e Adriatikut ka luajtur rol prijës në bashkimin e Ballkanit Perëndimor në unitet me Evropën dhe aleancë me Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO). Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë secilin prej jush gjersa ndiqni këtë të ardhme së bashku. (Duartrokitje.)
Vetë Karta e Adriatikut është testament për angazhimin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën si tërësi.
Karta e Adriatikut, e themeluar në vitin 2003, i shërben vizionit tonë të përbashkët dhe SHBA-ja mbetet e përkushtuar për një “Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”.
Karta filloi me një numër të vogël të vendeve – me SHBA-në, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë si anëtare themeluese – po sot ajo është zgjeruar për ta përfshirë tërë Ballkanin Perëndimor.
Karta tani përfshin Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën si anëtare dhe Serbinë e Kosovën si vëzhguese dhe presim tejkalimin e pengesave në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e saj e plotë në të ardhmen e afërt.
Dhe, le të mos ketë dyshim: Karta e Adriatikut është duke përmbushur qëllimin e vet për t’i bashkuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në aleancën më të suksesshme të mbrojtjes në histori, në NATO.
Tetë vjet më parë, Shqipëria dhe Kroacia u pranuan në NATO, duke iu bashkuar Sllovenisë, e cila përfaqësohet sot këtu. Dhe pothuaj dy muaj më parë, NATO me krenari mirëpriti anëtarin më të ri të aleancës sonë historike – Malin e Zi.
Vërtet pata privilegjin që personalisht ta uroja Kryeministrin Markovic në Shtëpinë e Bardhë në atë ditë historike. Z. Kryeministër, në emër të Presidentit Trump, dhe këtu me aleatë të tjerë të NATO-s, më lejoni t’ju falënderoj për udhëheqjen tuaj dhe më lejoni t’ju përgëzoj juve dhe popullin e Malit të Zi edhe një herë për pranim të suksesshëm në NATO. (Duartrokitje.)
Miqtë e mi, pranimi i Malit të Zi dëshmon që dera e hapur e NATO-s mbetet e hapur. Dhe kështu do të jetë përherë për ato vende të Evropës që i ndajnë vlerat tona të përbashkëta, që i kontribuojnë mbrojtjes dhe që përpiqen të arrijnë siguri, prosperitet dhe liri për qytetarët e vet.
Dhe, për të gjithë udhëheqësit e mbledhur këtu, më lejoni t’ju siguroj: nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, SHBA-ja do të vazhdojë të qëndrojë me ju gjersa ju e ndiqni të ardhmen tuaj evropiane së bashku.
Pa marrë parasysh nëse e ardhmja juaj është në NATO, Bashkim Evropian, apo në të dyja, SHBA-ja ju mbështet juve – sepse cilado prej tyre do ta forcojë Evropën. Dhe, siç tha Presidenti Trump gjatë udhëtimit të tij historik në Poloni, citoj fjalët e tij: “Një Evropë e fortë është bekim për Perëndimin dhe për botën”.
Dhe duke e prurë Adriatikun më afër Atlantikut, ne mund të sigurojmë një të ardhme më të ndritshme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Perëndimin.
Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, politika e SHBA-së do të jetë gjithmonë që siguria dhe prosperiteti i SHBA-së të vihen në radhë të parë. Por, siç e tha në mënyrë të qartë Presidenti, dhe shpresoj që prania ime këtu sot e demonstron këtë, Amerika e Para nuk do të thotë Amerika vetëm.
Lidhja mes SHBA-së dhe Evropës ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë esenciale – sepse së bashku jemi më të fortë sesa që do të jemi veç e veç.
Gjatë vizitës së tij në Poloni muajin e kaluar, Presidenti Trump i sfidoi të gjithë aleatët dhe partnerët tanë në Evropë dhe vërtet të gjithë ata që respektojnë lirinë, t’i përsëris fjalët e tij “angazhimi jonë i vullnetit” për t’iu kundërvënë sfidave të përbashkëta me të cilat përballemi.
Dhe ai angazhim fillon me ju dhe me veprimet që ju, udhëheqës të këtij rajoni, do t’i ndërmerrni në ditët dhe vitet në vijim.
Kjo është kohë e mundësisë së madhe për secilin prej vendeve tuaja. Pothuaj çdo shtet në Ballkanin Perëndimor ka mbajtur kohët e fundit zgjedhje të lira e të drejta nacionale, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe me një rezultat që pasqyronte vullnetin e qytetarëve tuaj.
Kjo është arritje historike – dhe Presidenti Trump dhe unë ju përgëzojmë secilin prej jush. Ju i takoni një brezi të ri të udhëheqësve të Ballkanit dhe ky është një moment historik për përparimin në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, kërkoj nga ju, me respekt të madh, që ta shfrytëzoni këtë moment.
Keni mundësinë t’i zgjidhni ankesat e të kaluarës dhe t’i bashkoni njerëzit e prejardhjeve dhe besimeve të ndryshme në ndjekje të kësaj të mire të përbashkët. Ju mund t’i forconi ekonomitë tuaja dhe ta hapni rrugën e prosperitetit për popullin tuaj përmes reformave tatimore dhe rregullative. Ju mund ta luftoni korrupsionin dhe të ndërtoni qeveri të përgjegjshme e transparente, të cilat do t’ia ofrojnë aspiratat më të larta popullit tuaj dhe do ta ndërtojnë mirëbesimin mes atyre që do të investojnë në prosperitetin e të ardhmes suaj.
Detyra që keni përpara kërkon kurajë.
Por qytetarët tuaj ju kanë besuar juve. Ata besojnë në aftësinë tuaj për t’ju ndihmuar për t’i sendërtuar ëndrrat e veta për një të ardhme më përparimtare e paqësore. Dhe këtë e bëjmë.
Siç thuhet në Mal të Zi, “Është lehtë të jesh i mirë në kohë të mira, por heronjtë njihen në ditë të vështira!”.
Prandaj sot, me respekt të madh, kërkoj nga të gjithë ju që të jeni heronjtë që populli juaj i meriton – zhbllokojeni potencialin e madh të vendeve tuaja dhe sendërtoni ëndrrën tonë të përbashkët për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe.
Jini të sigurt që nën udhëheqjen e Presidentit Trump, SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ballkanin Perëndimor gjersa ju i ndërmerrni këta hapa të rëndësishëm drejt qeverisjes së mirë, reformave demokratike dhe sundimit të ligjit.
Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim Marrëveshjet e Dejtonit dhe parimet që ato pasqyrojnë dhe angazhohemi për dialog mes Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që marrëdhëniet mes tyre të normalizohen plotësisht.
Dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, SHBA-ja do të bashkëpunojë me qytetarët tuaj për ta nxitur një shoqëri civile energjike, një shtyp të lirë e të pavarur, dhe një ekonomi që hap mundësi për të gjithë ata që e kërkojnë atë.
Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë që siguria është themeli i prosperitetit tonë dhe mund t’ju sigurojë që SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partner me secilin prej jush që e mbështet sigurinë në Ballkanin Perëndimor e më tej.
Do të vazhdojmë të krijojmë marrëdhënie të forta mes forcave tuaja të armatosura dhe Forcave të Armatosura të SHBA-së, duke ushtruar bashkë me ju dhe duke bashkëpunuar me ju për t’i profesionalizuar ushtritë tuaja edhe më tej.
Ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë kapacitetin tuaj për të vepruar bashkë me NATO-n dhe forcat e tjera Perëndimore. SHBA-ja do të bashkëpunojë me ju për ta zvogëluar varësinë tuaj në pajisjet e trashëguara ushtarake sovjetike dhe ruse.
Por, siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, mbrojtja juaj kërkon angazhimin tuaj aq sa edhe mbrojtja jonë. Mbrojtja kolektive është themeli thelbësor i Aleancës së NATO-s dhe Presidenti Trump e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara presin që të gjithë aleatët tanë dhe të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen aleancës sonë, ta përmbushin zotimin minimal për të shpenzuar së paku dy për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto në mbrojtjen e vet kombëtare.
Ky investim nevojitet për ta mbajtur premtimin solemn që sulmi kundër njërit është sulm kundër të gjithëve. Ky betim kërkon veprim dhe secili anëtar i NATO-s dhe aspirant i NATO-s duhet ta përtërijë zotimin e vet për mbrojtjen tonë të përbashkët – dhe ata duhet ta përtërijnë atë tani.
Duhet ta marrim këtë përgjegjësi mbi vete së bashku sepse rreziqet me të cilat përballemi por rriten dhe ndryshojnë çdo ditë. Gjatë udhëtimit tim kam takuar trima e trimëresha në uniformën e Forcave të Armatosura të SHBA-së, të aleatëve tanë dhe të partnerëve tanë strategjikë. Gjithmonë frymëzohem. Ata janë më të mirët nga ne. Dhe, bashkë me shumë qytetarë tuajt, në Evropë e gjetiu në botë, ata qëndrojnë në vijat e para të lirisë. Shërbimi dhe sakrifica e tyre i mbajnë familjet tona të sigurta dhe lirinë tonë të fortë.
Këta heronj qëndrojnë roje në një kohë shumë të rëndësishme, sepse bota jonë tani është një vend më i rrezikshëm se në cilindo çast që nga rënia e komunizmit një çerek shekulli më parë.
Siç tha Presidenti Trump në Poloni, tani po përballemi me kundërshtarë, siç tha ai, nga brenda dhe nga jashtë, nga jugu dhe nga lindja, që “kërcënojnë t’i minojnë vlerat tona dhe t’i fshijnë lidhjet e kulturës, besimit dhe traditës të cilat na bëjnë ata që jemi”.
Dhe asnjë armik nuk është më i përhapur sesa kërcënimi global i terrorizmit radikal islamik. Terrorizmi na kërcënon të gjithë neve, prej Ballkanit Perëndimor deri në Evropën Perëndimore, deri në SHBA.
Ka më pak se një vit që shumë prej vendeve tona i prishën planet e frymëzuara nga ISIS-i për sulme të koordinuara në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
SHBA-ja ju është mirënjohëse – mirënjohëse për kontributin tuaj në Fushatën globale për ta mposhtur ISIS-in dhe në luftën kundër terrorit në Afganistan. Sakrificat tona të përbashkëta në fushën e betejës vetëm na kanë afruar edhe më tepër dhe e kanë forcuar angazhimin tonë për liri.
Dhe të mos gabohemi për këtë. Presidenti Trump dhe SHBA-ja, nën udhëheqjen e tij, nuk do të pushojnë, ne nuk do të ndalemi derisa ta gjejmë dhe shkatërrojmë ISIS-in në burim të tij në mënyrë që ai të mos jetë më në gjendje ta kërcënojë popullin tonë, aleatët tanë apo mënyrën tonë të jetesës. (Duartrokitje.)
Ndërsa ushtritë tona dhe forcat e koalicionit e largojnë ISIS-in nga Iraku, dhe së shpejti nga vetë ekzistenca e tij, vendet tuaja do të vazhdojnë të përballen me rrezikun e luftëtarëve të huaj që kthehen në shtëpi nga Lindja e Mesme, me qëllimin e vetëm për mbjelljen e kaosit dhe marrjen e jetëve të pafajshme.
Duhet të jemi syhapur ndaj këtij kërcënimi, një kancer në vendet tona, dhe duhet të jemi të përgatitur për ta prerë atë para se ai të mund të irritohet dhe rritet.
Përtej terrorizmit, Presidenti Trump ka tërhequr vëmendjen për, citoj fjalët e tij, “pushtete që përpiqen të testojnë vullnetin tonë, ta minojnë besimin tonë dhe t’i sfidojnë interesat tona”.
Ditëve të fundit kemi parë përfundimin e kolapsit të Venezuelës në diktaturë. Jo vetëm që regjimi mbajti zgjedhje të turpshme për Asamblenë Kombëtare, por të hënën mbrëma, ky regjim i kapi dy anëtarë të shquar të opozitës, Leopoldo Lopez dhe Antonio Ledezma, të cilët po mbahen në mënyrë të paligjshme gjersa ne po flasim.
Presidenti Trump tha dje, “SHBA-ja i dënon veprimet e diktaturës Maduro” dhe se do ta mbajmë Maduron personalisht përgjegjës për shëndetin dhe sigurinë e këtyre dy burrave të guximshëm.
SHBA-ja u bën thirrje të gjithë atyre që e çmojnë lirinë për ta dënuar regjimin e Maduros për abuzim të pushtetit dhe abuzim të popullit të vet. Venezuela meriton demokraci dhe populli i Venezuelës e meriton lirinë.
Përtej hemisferës perëndimore, gjatë javës së kaluar, bota gjithashtu pa, edhe një herë, kërcënimin e rëndë e në rritje të kapacitetit të raketave në duart e regjimeve të rrezikshme në Korenë e Veriut dhe në Iran.
Të dy regjimet kryen lansime provokuese brenda 24 orëve. Veprimet e tyre i kanë sjellë ato më afër kërcënimit të partnerëve tanë në rajonet e tyre, aleancën tonë transatlantike dhe vetë atdheun amerikan.
Në këto kohë të kërcënimeve dhe provokimeve të zgjeruara, më shumë se kurrë më parë, ne duhet të qëndrojmë bashkë në mbrojtje të gjithë asaj që e duam shumë. Ne të gjithë kemi rol vital për të luajtur – sepse të gjitha vendet e mbledhura këtu sot duken të mëdha në veshjen e lirisë.
Këtu, në Evropë, ne duhet të jemi të vendosur dhe të papërkulur përballë agresionit nga një vend i paparashikueshëm që hedh hije edhe nga lindja.
Siç e dini mirë, Rusia vazhdon të përpiqet t’i vizatojë sërish kufijtë ndërkombëtarë me forcë. Dhe këtu, në Ballkanin Perëndimor, Rusia ka punuar për ta destabilizuar rajonin, për t’i minuar demokracitë tuaja dhe për t’ju ndarë nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e Evropës.
Synimet e Rusisë u zbuluan gjatë vitit të kaluar, kur agjentët e mbështetur nga Moska u përpoqën t’i prishnin zgjedhjet e Malit të Zi, ta sulmonin parlamentin tuaj dhe madje të përpiqeshin ta vrisnin Kryeministrin tuaj për ta bindur popullin malazez për të mos hyrë në Aleancën tonë të NATO-s.
Presidenti Trump i ka bërë thirrje të qartë Rusisë që t’i “pushojë aktivitetet e saj destabilizuese”. Dhe mund t’ju siguroj: SHBA-ja e kundërshton çdo përpjekje për ta përdorur forcën, kërcënimet ose frikësimin në këtë rajon apo më gjerë. Ballkani Perëndimor ka të drejtë të vendosë të ardhmen tuaj dhe kjo është e drejta juaj. (Duartrokitje.)
SHBA-ja do të vazhdojë ta mbajë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj, dhe ne u bëjmë thirrje aleatëve dhe miqve tanë evropianë që ta bëjnë të njëjtën gjë. Në një shenjë tjetër të angazhimit tonë, shumë shpejt, Presidenti Trump do ta nënshkruajë legjislacionin për t’i forcuar dhe kodifikuar sanksionet aktuale të SHBA-së kundër Rusisë.
Më lejoni të jem i qartë: SHBA-ja preferon një marrëdhënie konstruktive me Rusinë të bazuar në bashkëpunimin e ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta. Por Presidenti dhe Kongresi ynë janë të bashkuar në porosinë tonë për Rusinë – një marrëdhënie më e mirë dhe heqja e sanksioneve, do të kërkojë që Rusia t’i ndryshojë veprimet dhe sjelljet që kanë shkaktuar imponimin e sanksioneve në radhë të parë.
Së fundi, në këto kohë sfiduese, Presidenti Trump na e ka bërë me dije të gjithë neve që lufta jonë, citoj fjalët e tij, “fillon me mendjet tona, vullnetet tona” dhe shpirtrat tanë.
Pra, t’i çelikosim mendjet tona, t’i forcojmë vullnetet tona dhe t’i rifreskojmë shpirtrat tanë. Sepse, nëse e bëjmë këtë, siç ka thënë Presidenti, “Perëndimi nuk do të thyhet kurrë. Vlerat tona do të mbizotërojnë. Popujt tanë do të përparojnë dhe civilizimi ynë do të triumfojë “.
Miqtë e mi në Ballkanin Perëndimor, ne mblidhemi në këtë Samit Historik të Kartës së Adriatikut me peshën e historisë mbi supet tona.
Ka 15 vjet që SHBA-ja ju ka ndihmuar t’i udhëhiqni vendet tuaja gjersa ecni rrugës drejt paqes në shtëpi, unitetit në Evropë dhe të bashkuar për mbrojtjen tonë të përbashkët. Ju duhet vetëm ta kapni ditën. Shfrytëzojeni këtë mundësi, përmes veprimeve tuaja, për t’u afruar edhe më afër me njëri-tjetrin dhe me Perëndimin; përfundojeni punën e papërfunduar të Ballkanit Perëndimor; dhe përfundojeni rrugëtimin që nisëm së bashku aq shumë vjet më parë.
Dhe ndërsa i them këto fjalë këshilluese, kam besim – kam besim se do t’ia dilni mbanë. Ne do t’ia dalim mbanë së bashku – sepse kam besim në njerëzit e fortë e të mirë të këtij rajoni. Kam besim në aspiratën dhe vendosmërinë e tyre për ta përqafuar lirinë për këtë brez dhe për brezat e ardhshëm. Dhe unë kam besim në veshjen e bukur të besimit që kam parë gjersa kam udhëtuar nëpër Evropë ditëve të fundit.
Kam parë shumë besime, shumë tradita të pasura e të lashta, por në të gjitha ato kam parë fuqinë e besimit për ta ndezur shpirtin dhe ringjallur e ripërtërirë shpirtin. Sepse, siç thuhet në Bibël, “atje ku është Fryma e Zotit, atje ka liri”.
E ardhmja jonë është një e ardhme e përbashkët e sigurisë dhe prosperitetit. E ardhmja jonë është një e ardhme e përbashkët e lirisë. Të bashkuar në këtë “bashkësi të madhe të kombeve”, e di që do të përballemi me atë të ardhme së bashku.
Dhe me ndihmën tuaj, dhe me ndihmën e Zotit, ne do ta arrijmë vizionin e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe.
Dhe kështu them me mirëbesim: Me kurajën e popullit tuaj, me angazhimin e këtij brezi trim, të ri të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, me fuqinë e Presidentit Donald Trump dhe të SHBA-së, dhe me mbështetje të fortë në Zotin e Plotfuqishëm, e ardhmja për Ballkanin Perëndimor, për vetë Perëndimin, dhe e ardhmja e lirisë është e ndritshme – më e ndritshme se kurrë më parë. Dhe ne do ta takojmë atë të ardhme si aleatë dhe miq së bashku.
Ju faleminderit. Zoti ju bekoftë. Zoti i bekoftë të gjithë popujt tuaj dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (Duartrokitje.)