Fjala e Ndihmës-Sekretarit të Mbrojtjes për çështje të sigurisë ndërkombëtare, Robert Karem, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Fjala e Ndihmës-Sekretarit të Mbrojtjes për çështje të sigurisë ndërkombëtare, Robert Karem, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. 18 shkurt 2018, Të përpiluara më herët.


President Thaçi, kryeministër Haradinaj, kryetar i kuvendit Veseli, kolegë të tjerë të shquar, jam i nderuar që qëndroj përkrah jush në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’ju uruar – juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës – përvjetorin e dhjetë të pavarësisë suaj.

Gjithashtu, jam krenar që po e festoj këtë ngjarje së bashku me anëtarin e Kongresit amerikan, z. Eliot Engel,  të cilin shumë prej jush e njihni si përkrahës të fuqishëm të marrëdhënies së Amerikës me Kosovën. Po ashtu, më vjen mirë që këtu është edhe Ndihmës-administratori i USAID-it, Brock Bierman, mbështetja e të cilit për projektet e zhvillimit dhe të angazhimit shoqëror për Kosovën ka qenë thelbësor.

Dje pata rastin ta vizitoja Prizrenin, këtë qytet ku historia e gjatë dhe mitike e Kosovës qëndron përkrah një shoqërie të gjallërishme dhe bashkëkohore. Në këtë ditë të veçantë, i pranojmë borxhet dhe sakrificat të të kaluarës, e përshëndesim vizionin, kurajën dhe forcën e atyre që e kanë shtruar rrugën deri në këtë ditë të tashme dhe përgatitemi për sfidat e njohura e të panjohura të së ardhmes.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë ndarë një marrëdhënie të posaçme prej fillimit të kësaj faze më të re të historisë suaj dhe ne jemi krenarë që kemi luajtur rolin tonë në pavarësinë tuaj. Kemi qëndruar përkrah jush në 1999-tën dhe do të qëndrojmë krah jush përderisa vazhdoni t’i shtoni të arriturat tuaja të ndërtuara mbi një dhjetëvjeçar të reformës dhe përparimit.

Ju keni farkuar një vend sovran të ndërtuar mbi vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe respektin për sundimin e ligjit. E kuptojmë se suksesi i institucioneve tona përkatëse demokratike dhe shoqërive të hapura varet nga individët që janë të gatshëm për t’i shërbyer popullit dhe për t’i vënë interesat e vendit mbi ato të tyret. Janë gjithë ata njerëz anembanë globit – terroristët, autokratët, oligarkët kleptokratë – që do të dëshironin ta shihnin dështimin tonë. Por, ne do t’ia dalim duke punuar vazhdimisht së bashku në mënyrë të palodhshme dhe me përkushtim të vendosur ndaj vlerave tona.

Republika e Kosovës ka arritur shumë prej vitit 2008. Keni themeluar institucione qeveritare, të sigurisë dhe të drejtësisë të ndërtuara mbi vlerat demokratike dhe mbi sundimin e ligjit. Marrëveshja juaj për stabilizim dhe asociim me Bashkimin Evropian paraqet hapin kryesor në shtegtimin tuaj drejt anëtarësimit në BE dhe partneritetit euroatlantik.

Keni themeluar Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që ofrojnë siguri dhe qetësi për të gjithë qytetarët e Kosovës. FSK-ja është zhvilluar në forcë profesionale e shumetnike, të stërvitur me standarde të NATO-s, duke ofruar siguri në vend dhe në rajon. Përpjekjet e FSK-së për rekrutim të pjesëtarëve nga i tërë vendi dhe nga të gjitha grupet etnike të Kosovës janë shembull që duhet ta përcjellin të tjerët.

Pjesëmarrja në dialogun me Serbinë ka përmirësuar lirinë e lëvizjes, ka mundësuar integrimin e policisë dhe organeve të gjyqësorit dhe ka mundësuar shtrirjen e shërbimeve qeveritare për qytetarët e Kosovës në veri.

Partneriteti juaj me shtetin amerikan të Ajovës dhe me Gardën Kombëtare të Ajovës është bërë shembull për forcimin e bashkëpunimit për siguri dhe stërvitjes. Ushtrimi i përvitshëm “Shqiponja” përforcon partneritetin në mes të dy vendeve tona. Gjeneral-major Tim Orr, Adjutanti i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës ka udhëtuar nga zemra e Amerikës për ta shënuar këtë partneritet të hatashëm. NATO-KFOR-i, përfshirë edhe 650 ushtarakët amerikanë, vazhdon të ofrojë siguri të qëndrueshme. Një gjeneratë e tërë e veteranëve amerikanë ndjehen krenarë për shërbimin e tyre në KFOR dhe e dinë se siguria për të cilën kanë ndihmuar edhe ata ka krijuar hapësirën në të cilën ju e keni ndërtuar një vend të ri.

Dëshiroj të theksoj se partneriteti i fuqishëm ndërmjet vendeve tona mbështetet nga të dy partitë tona politike, si dhe nga të dy degët e qeverisë sonë: ekzekutive dhe legjislative. Javën e shkuar, ambasada juaj në Uashington ishte nikoqire e festimit të hershëm të përvjetorit të dhjetë. Në atë ngjarje mori pjesë Këshilltari i Presidentit për Siguri Kombëtare, Gjeneral lejtnant H.R. McMaster, si dhe Nënsekretari i Mbrojtjes John Rood. Ishte kremtim i mrekullueshëm në Uashington, por për mua ishte e rëndësishme të vija dhe të festoja këtu në Prishtinë.

Brenda degës së ekzekutivit, Departamenti ynë i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes kanë vizion të përbashkët dhe e mirëpresin bashkëpunimin me juve për rritjen e ekonomisë suaj, forcimin e institucioneve tuaja politike dhe avancimit të aftësive të forcës suaj të sigurisë për t’iu ofruar qytetarëve tuaj siguri dhe qetësi.

Në këtë kohë të turbullirave ndërkombëtare, para nesh kemi sfida të vështira. Dhe po si në vitet e hershme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush përderisa përballeni me sfidat që na qëndrojnë në rrugë.

Siç e dimë nga vetë historia jonë e rrëmujshme, e ardhmja e lirë dhe e begatshme varet nga zgjedhjet e vështira që bëhen sot. Qytetarët dhe prijësit e Kosovës – të të gjitha etnive – do të duhet të zgjedhin: a doni të ardhme të karakterizuar me tension etnik ose të tillë të shquar nga bashkëpunimi dhe respekti për të gjithë njerëzit? A doni të jetoni në një konflikt të ngrirë, të izoluar nga familja euroatlantike apo do të vazhdoni shtegtimin drejt parimeve demokratike perëndimore?

I nxisim prijësit dhe qytetarët kosovarë të vazhdojnë të përballen me korrupsionin, ta çrrënjosin krimin e organizuar, ta forcojnë sundimin e ligjit dhe të sjellin drejtësi për viktimat. Kjo do të thotë të kujdesen shumë që të përmbahen nga deklaratat që mund të nxisin dhunë, veçanërisht ndaj pakicave të cenueshme. Kjo do të thotë të kërkojnë mënyra për të qenë fqinjë të mirë dhe për t’i kontribuar sigurisë rajonale. Kjo do të thotë ratifikim të Marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, anëtar i ri i NATO-s. Gjithashtu, do të thotë vazhdim për të gjetur marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu nuk ka alternativë. E ardhmja e Kosovës nuk është si të ishte ishull, por si anëtare e integruar e bashkësisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Amerika është e bindur se Kosova mund ta përmbushë këtë detyrë. Dhjetë vjet më parë, ju fituat pavarësinë. Sot e keni mundësinë ta zgjidhni shtegun për të ardhmen. Keni aleat të fortë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përderisa niseni në dhjetëvjeçarin e ardhshëm të shtetësisë suaj, mirëpresim thellimin e bashkëpunimit tonë, si dhe që të shohim vazhdim të rritjes së përparimit për popullin e Kosovës. Ju faleminderit për mundësinë për të festuar bashkë me juve në këtë mbrëmje të veçantë.