Fjala e z-njës Lori Michaelson gjatë Ngjarjes kryesore të kampit teknologjik organizuar gjatë Javës kundër korrupsionit, 14 dhjetor 2018
Përshëndetje të gjithëve. Më vjen shumë mirë që jam këtu bashkë me gjithë këta individë të interesuar për të demonstruar se si mund të shfrytëzohet teknologjia për ta luftuar korrupsionin.
Lufta kundër korrupsionit është ndër prioritetet më të rëndësishme të ambasadës gjatë tërë vitit – jo vetëm gjatë Javës kundër korrupsionit. Pse është kjo çështje kaq me prioritet për ne dhe pse është shefja e Sektorit Ekonomik këtu për të folur për të? Sepse korrupsioni – qoftë marrja e ryshfetit, qoftë anashkalimi i procedurave të punësimit për ta marrë në punë një anëtar të familjes apo shfrytëzimi i pozitës zyrtare për ta ndihmuar më shumë një mik se sa dikë tjetër – njollos reputacionin e vendit brenda dhe jashtë. Korrupsioni ul besimin e qytetarëve në qeverinë e tyre dhe i shkurajon investimet dhe rritjen ekonomike.
Qeveria amerikane e vlerëson dhe është e kënaqur që sheh se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në nxjerrjen e kornizës ligjore që e lufton korrupsionin. Tani ka ardhur koha për të kaluar nga hartimi i kornizës ligjore te kërkimi i llogarisë.
E këtu vini ju bashkë me shumë projekte tuaja. Për të kërkuar llogari nga njëri-tjetri, na duhen dëshmi e fjala ‘dëshmi’ është vetëm shprehje tjetër për të dhëna. Për këtë arsye puna që e bëni ju këtu është jetike në luftën kundër korrupsionit. Zgjidhjet që i zhvilloni do të ndihmojnë për t’ju kërkuar llogari maskarenjëve dhe për të sjellë transparencën aq të domosdoshme për sistemet e korruptuara.
Kam lexuar për projektet mbresëlënëse në të cilat po punoni dhe është e qartë që po këmbëngulni në llogaridhënie dhe për të gjetur mënyra kreative për të prezantuar informatat e ndërlikuara. Për shembull, projekti BIRN në Serbi ka krijuar një platformë, përmes së cilës mund të shpjegohen situata shumë të ndërlikuara ku zyrtarët publikë kalojnë nga sektori publik në atë privat dhe çfarë ndikimi ka kjo gjë në sundimin e ligjit.
Gjithashtu, kam parë potencialin e modelit të zhvilluar në Kampin teknologjik të Shqipërisë që krijon një rrjet të shoqërisë civile, institucioneve të pavarura dhe medieve për ta luftuar korrupsionin në sektorin e shëndetësisë, si dhe për të zgjeruar dhe për tu marrë me çështjen e korrupsionit në sektorët e tjerë.
E Projekti i Prizrenit që synon të sigurojë mjete teknike për mbledhjen më të lehtë të të dhënave për ndërtimtari dhe zhvillimin urban, përfshirë edhe analizat për zbulimin e shkeljeve të ligjit dhe rasteve të mundshme të korrupsionit, tregon se nëse ia fillon me një çështje shumë specifike dhe kur tregon përparim në atë fushë, atëherë kjo mund të bëjë që konsumatorët të kërkojnë më shumë rezultate të mira.
Vlerësoj lart zotësinë e madhe që e keni treguar në këtë dhe ju përgëzoj për nismën tuaj, por tani dëshiroj t’ju nxis për ta ndërmarrë hapin e ardhshëm. Dëshiroj t’ju nxis për tu bërë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në luftimin e korrupsionit.
Nuk mjafton vetëm ti ndërtoni veglat që do ti përdorin të tjerët, si dhe nuk mjafton që të ankoheni se sa të korruptuar janë të gjithë. Ju vetë personalisht duhet të veproni. Kushdo që sheh një vepër të korrupsionit dhe nuk bën asgjë është pjesë e problemit, jo pjesë e zgjidhjes. Prandaj, ju nxis të jini vigjilentë dhe të bëheni pjesë e zgjidhjes.
Ju faleminderit dhe ju uroj ditë të mbarë.