Fjala e Greg Delawie në ceremoninë e betimit si ambasador në Republikën e Kosovës, 24 korrik 2015

Greg_Delawie_official_200_1T’i kthehemi tani Kosovës dhe të pyesim pse ajo ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara. Pse duhet SHBA-ja të kujdeset për një vend në zhvillim, pa dalje në det, rreth 8.000 km larg, më i vogël e Konektikati [Connecticut] me më pak se dy milionë banorë? Pse situata e atij vendi në vitin 1999 do të shkaktonte që NATO-ja të fillonte luftën e vet të parë brenda 50 vjetëve? Pse Shtetet e Bashkuara do t’ia jepnin Kosovës gjysmë miliardi dollarë të fondeve për ndihmë gjatë dekadës së fundit? Pse t’i mbajë qindra ushtarë amerikanë në KFOR? Ose pse ta fillojmë ndërtimin e një ambasade të re të bukur në Prishtinë?

Për një pjesë të përgjigjes mund t’i kthehemi historisë: “Mund të mos duket menjëherë që politikat brutale të një lideri lokal dhe tragjedia e një populli të vogël, çojnë aq shumë peshë sa të ndikojnë në interesat themelore amerikane — por ato ndikojnë,” Sekretarja Albright theksoi gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. Ajo shtoi, “Amerika ka interes themelor në paqe dhe stabilitet në Evropën Jugore, të shohë që sundimi i ligjit mbështetet, që të drejtat e njeriut mbrohen dhe që drejtësia ofrohet.”

Nuk mund të pajtohesha më tepër. Por, për mua, kjo nuk është e gjithë storja. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta ndjekin një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Ende nuk jemi atje. Por vështirësitë vetëm na detyrojnë të punojmë më shumë për të përmbushur vizionin tonë. Në Evropë. Në Ballkanin Perëndimor. Dhe në Kosovë. Libri i Evropës nuk do të përfundojë derisa kapitulli i Kosovës të mos kryhet. Përfundimi i tij do të jetë një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat do të përballemi gjatë disa viteve të ardhshme.

Besoj që qytetarët e Kosovës e ndajnë vizionin tonë. Aspiratat e tyre e përfshijnë Kosovën si shtet demokratik, shumetnik, të njohur dhe në paqe me fqinjët e vet, me një qeveri që funksionon mirë dhe që e zbaton sundimin e ligjit dhe që është e lirë nga korrupsioni. Edhe ata e dëshirojnë një Kosovë që është në rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në institucionet kryesore evropiane. Dhe ata dëshirojnë një Kosovë ku me arsye mund të presin të gjejnë vende pune që do t’u ofrojë familjeve të tyre të ardhme pozitive.

Nëse shikojmë prapa, është e qartë që Kosova tashmë ka bërë një rrugë të gjatë. Megjithatë, gjithashtu është e qartë që rrugëtimi i Kosovës ende nuk ka mbaruar.

Ambasador Ismaili, dua që qeveria juaj të dijë që unë, dhe në të vërtetë, populli i Shteteve të Bashkuara, do të jetë në atë rrugë krahas jush. Partnerë, ne do të punojmë së bashku për ta realizuar këtë vizion. Gjenerata e sotme e liderëve të Kosovës ka mundësi ta vendosë vendin e vet në rrugë për ta arritur atë.

Por nuk kemi shumë kohë për të humbur. Kriza e emigrimit gjatë dimrit të kaluar na bëri me dije shkurt e qartë që shumë të rinj të Kosovës – burimi i saj më i çmuar – kanë filluar ta humbin besimin në të ardhmen.

Prandaj, kur të vij në Prishtinë muajin e ardhshëm, do të filloj të punoj me qeverinë tuaj në tri qëllimet kryesore: në forcimin e sundimit të ligjit, në përmirësimin e sigurisë rajonale dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Për mua, sundimi i ligjit do të thotë zbatimi i standardeve të njëjta që bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar nga shtetet e tjera që kanë dalë nga Jugosllavia; do të thotë që udhëheqësit të tregojnë se janë të gatshëm t’i vendosin interesat e vendit të tyre në rend të parë. Përgjatë këtyre linjave, ditët e ardhshme do të jenë vendimtare. Sinqerisht shpresoj që Kosova do ta miratojë legjislacionin në të ardhmen e afërt për ta krijuar një gjykatë speciale që do të sjellë drejtësi për ata që kanë vajtuar në duart e të tjerëve. Dështimi i Kosovës për ta përmbushur zotimin e vet ndërkombëtar për gjykatën do t’i kthejë mbrapa të gjitha aktivitetet tona të tjera.

Siguria rajonale kërkon që Kosova të shkojë me shpejtësi të madhe përpara në dialogun me Serbinë që është duke u ndihmuar nga Bashkimi Evropian, me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ishte arritje historike në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk duhet të humbim kohë në zbatimin e pak kapitujve të mbetur të asaj marrëveshjeje. Ndër çështje të tjera të rëndësishme e sfiduese për Kosovën përfshihet puna e saj e rëndësishme si pjesë e koalicionit kundër Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIL) dhe zhvillimi i një sektori modern të sigurisë që reflekton ndjeshmërinë e të gjithë popullit të saj.

Nxitja e zhvillimit ekonomik kërkon angazhim të fortë për ta trajtuar korrupsionin, armikun e demokracisë dhe të rritjes ekonomike. Trajtimi i korrupsionit do të jetë thelbësor për Kosovën jo vetëm për të joshur investime të huaja që nevojiten për ta zhvilluar ekonominë e saj, por edhe për t’ua ofruar qytetarëve të Kosovës besimin që u nevojitet për të investuar dhe krijuar vetë vende pune. Edhe zhvillimi ekonomik kërkon përparim në një sistem të qëndrueshëm e të besueshëm të prodhimit të energjisë elektrike për komunitetet e Kosovës.

Sundimi i ligjit, siguria rajonale, zhvillimi ekonomik. Disa prej këtyre qëllimeve do të jetë më vështirë të arrihen se të tjerat. Qëllimet e rëndësishme nuk janë gjithmonë të lehta për t’u zbatuar. Por qytetarët e Kosovës, e posaçërisht rinia e saj, nuk meritojnë hiq më pak se sukses.

Për fat të mirë, do të kem shumë ndihmë. E di se do t’i bashkohem një ekipi të mrekullueshëm të amerikanëve dhe të stafit lokal të punësuar në Ambasadën në Prishtinë. E di që shumica e partnerëve të Kosovës në Evropë do t’i mbështesin këto qëllime. Dhe e di se mund të mbështetem në entuziazmin e madh dhe në ndjenjën e mirë ndaj Kosovës që është duke mbretëruar në Uashington. Këto janë përparësi të mëdha për një ambasador të ri për t’i pasur në çantën e tij. Me tërë këto përparësi, jam i bindur që duke punuar së bashku mund të arrijmë sukses dhe t’ua ofrojmë të rinjve të Kosovës të ardhmen që e presin – dhe e meritojnë. Dhe suksesi i Kosovës do të jetë edhe sukses i Amerikës.

Kosovë, ne të përkrahim ty.

Ju faleminderit të gjithëve. Shihemi në Prishtinë.