Fjala e ambasadorit të ShBA-së Hovenier Përurimi i Hapësirës për partneritet edukativ për bashkëpunimin ndëretnik në RIT Kosovë

Ambassador Hovenier’s Remarks at the Ribbon Cutting Event - Educational Partnership Hub for Inter-ethnic Collaboration at RIT Kosovo

Fjala e ambasadorit të ShBA-së Hovenier Përurimi i Hapësirës për partneritet edukativ për bashkëpunimin ndëretnik në RIT Kosovë, 29 janar 2024

Zëvendës-kryeministër Bislimi, ministre Nagavci, president Shahrabi, mysafirë të nderuar.

Më vjen shumë mirë që jemi së bashku për të shënuar fillimin e një investimi të rëndësishëm të qeverisë amerikane, i cili flet për përkushtimin tonë të përbashkët ndaj të ardhmes së suksesshme dhe të begatshme të Kosovës.

Kjo nismë i ka dy qëllime thelbësore:

  • Një: për të nxitur bashkëpunimin ndëretnik përmes mundësive të përbashkëta të mësim-nxënies shkencore, dhe
  • Dy: për të pajisur kosovarët me shkathtësitë që ju duhen për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.

Nisma e Shkollave dhe spitaleve amerikane jashtë vendit (ASHA) është program i kamotshëm i USAID-it që ndihmon zhvillimin e shkollave, bibliotekave dhe qendrave spitalore bashkëkohore nëpër botë.

Kjo nismë pasqyron idealet amerikane të shkëlqyeshmërisë dhe mundësive arsimore dhe ka potencial të nxisë bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera në arsimin e lartë.

Në vazhdën e partneritetit tonë afatgjatë me RIT-in, vitin e shkuar USAID-i ia dha 670.000 dollarë Institutit Teknologjik të Roçesterit (RIT) në Kosovë për rinovimin dhe pajisjen e katër laboratorë të shkencave, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këta laboratorë të ri do t’ju mundësojnë mijëra studentëve të të gjitha etnive dhe nga të gjitha anët e Kosovës që të mësojnë së bashku duke përdorur pajisjet shkencore, burimet akademike dhe mbështetjen teknike të standardeve amerikane.

Kjo paraqet mundësi të rëndësishme për të rinjtë kosovarë, veçanërisht gratë e reja nga zonat rurale dhe pakicat, të cilat kanë më pak gjasa të kenë qasje në mundësi si kjo që po zotohemi ta ofrojmë.

Jam i nderuar që sot po marr pjesë në përurimin e këtyre laboratorëve të ri.

Por, lënë anash anën ceremoniale, jemi këtu për të vënë në pah mundësitë që i ofron ky laborator.

E dimë se brezat e ri të kosovarëve shohin kah e ardhmja, duke kërkuar dhe imagjinuar mundësi të reja.

Gjatë bisedave të shumta me ta shoh shpresën e tyre për të tejkaluar, por për mos ta harruar kurrë, dhimbjen e të kaluarës.

Këta laboratorë do të ndihmojnë për të hapur rrugë që këtë shpresë ta kthejnë në realitet – për të ofruar mundësi për ndërveprim, bashkëpunim dhe rastin për të gjetur gjuhë të përbashkët dhe për t’i arritur qëllimet e përbashkëta së bashku.

Laboratorët e ri do të shtojnë cilësinë e arsimit për të rinjtë kosovarë, duke iu ndihmuar për të përmbushur mangësitë në fuqinë punëtore në Kosovë.

Kjo do të përshpejtojë realizimin e një ekonomie kosovare përfshirëse, të gjallë dhe bashkëkohore.

Komuna e Kamenicës i prin kësaj nisme të re. Kamenica është komunitet i shumë grupeve etnike.

Kamenica do të jetë komuna e parë në Kosovë që do të trajnojë mësimdhënësit dhe nxënësit për të përdorur këto pajisje, duke begatuar kurrikulën tradicionale me dimensionin praktik.

Dëshiroj t’i nxis prijësit e komunave të tjera që të ecin gjurmëve të Kamenicës!

Në të vërtetë, më lejoni t’ju drejtohem paksa drejtpërdrejt të gjithë zyrtarëve komunalë të pranishëm:

  • Ju lutem, shfrytëzoni mundësitë që i ofrojnë laboratorët e ri të RIT-it.
  • Ju lutem ofroni të rinjve – të të gjitha etnive – në komunitetet tuaja mundësi për të pasuruar jetën e tyre.
  • Së bashku me ekipin e RIT-it, ju lutem ndihmoni për të krijuar mjedis që mbështet dhe inkurajon unitet me të gjithë grupet e larmishme të qytetarëve të Kosovës.

Shpresoj të dëgjoj se si kjo nismë arrin përparim dhe sukses në disa prej sfidave më të mëdha të Kosovës për zhvillim.

Ju faleminderit shumë.