Fjala e ambasadorit Philip S. Kosnett para Bordi të Shkëmbimit Arsimor SHBA-Kosovë

Fjala e ambasadorit Philip S. Kosnett para Bordi të Shkëmbimit Arsimor SHBA-Kosovë, 17 Qershor, 2021

Mirëdita. Kam nderin që më jepet mundësia për të marrë pjesë në ngjarjen virtuale të nisjes së punës së Bordit të Shkëmbimit Arsimor SHBA-Kosovë. Ministre Nagavci, është kënaqësi që jam me ju këtu.

Ju përgëzoj të gjithëve për themelimin e Bordit të Shkëmbimit Arsimor SHBA-Kosovë. Themelimi i këtij Bordi paraqet të arritur të jashtëzakonshme për të dy vendet tona. Ky është bordi i parë në botë i programit Fulbright të shkëmbimit, një strukturë e re bilaterale e programit Fulbright që po niset pikërisht këtu në Kosovë. Është dëshmi e investimeve të Kosovës për programin Fulbright dhe për përkushtimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës.

Ministria ka ofruar mbështetje të jashtëzakonshme financiare dhe profesionale për programin Fulbright, duke treguar që mundësitë për shkëmbim arsimor nuk janë ndihmë financiare. Kjo paraqet përkushtimin e dyanshëm për bashkëpunim në fushën e arsimit; për mirëkuptim më të mirë kulturor ndërmjet dy vendeve dhe për brezat e tashëm dhe të ardhshëm të studentëve kosovarë – studiues që do të përdorin ekspertizën teknike të fituar jashtë për përmirësimin e ekonomisë së Kosovës dhe cilësisë së jetës kur të kthehen.

Dua t’i përmend vetëm dy shembuj të të diplomuarve që kanë kontribuar pas kthimit: Kreshnik Hoti, që ishte studiues i programit Fulbright në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit, hulumtimi i të cilit përdor zgjidhje të bazuara në inteligjencën artificiale për përmirësimin e sigurisë së mjekimit këtu në Kosovë. Dhe Nora Latifi, drejtoresha ekzekutive e Institutit GAP, që ndihmon për lidhjen më të mirë të qeverisjes lokale me nevojat e qytetarëve, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e transparencës buxhetore.

Nuk mendoj se e teproj kur them se në pothuajse çdo fushë në Kosovë, të diplomuarit përmes Fulbright-it janë të përfshirë për të sjellë ndryshim pozitiv. Ju jeni pjesë e tij. Bordi për Shkëmbim Arsimor SHBA-Kosovë do të mundësojë që shoqëria civile, ish-pjesëmarrësit e Fulbright-it, përfaqësuesit e komunitetit akademik në Kosovë dhe përfaqësuesit e Ministrisë të thonë fjalën e vet në çka fokusohet dhe çfarë drejtimi merr programi Fulbright. Bordi i vë veprimtaritë e Fulbright-it në duart tuaja. Është simbol i bashkëpunimit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, si dhe i vetëmjaftueshmërisë në rritje të Kosovës.

Anëtarë të Bordit, ju faleminderit për kontributin tuaj të rëndësishëm. Përpjekjet tuaja do të bëjnë dallim afatgjatë në sistemin e arsimit të lartë të Kosovës. Ai sistem paraqet themelin për suksesin e ardhshëm të Kosovës në tregun botëror dhe për zhvillimin e udhëheqësve të ardhshëm të Kosovës. Nuk ka fjalë të përshkruhet sa e rëndësishme është puna juaj.