Fjala e Ambasadorit Philip S. Kosnett në Ditën e Kujtimit të Holokaustit, 27 janar 2020

Fjala e Ambasadorit Philip S. Kosnett në Ditën e Kujtimit të Holokaustit, 27 janar 2020

Zonja dhe zotërinj, është privilegj t’ju bashkohem në këtë rast solemn – në 75 vjetorin e çlirimit të Aushvicit, një datë që e zgjedhim për t’i nderuar viktimat dhe të mbijetuarit e Shoah – Holokaustit.

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin hebre në kujtim të gjashtë milionë hebrenjve të pafajshëm, të vrarë në Holokaust. E nderojmë edhe kujtimin e miliona viktimave të tjera të masakruara nga nazistët për shkak të përkatësisë së tyre etnike, identitetit seksual, aftësive të kufizuara fizike, përkatësisë politike. Si nip i refugjatëve nga Evropa Lindore, u rrita nën hijen e Holokaustit, jam mirënjohës që jetoj në një shoqëri e cila u përkushtohet qëllimeve të lirisë dhe drejtësisë për të gjithë.

Por nuk mjafton të kërkosh strehë të sigurt nga e keqja. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara kanë mbetur të përkushtuara për të siguruar që populli hebre – dhe të gjithë popujt e botës – të mund të jetojnë pa frikë. Tmerri i Holokaustit ia imponon një detyrë njerëzimit: ta parandalojë përsëritjen e tij.

Askush që ka jetuar në 30 vjetët e fundit në Ballkan nuk mund të dyshojë që e keqja ecën midis nesh. Kemi parë si udhëheqësit mund t’i nxisin flakët e urrejtjes për përfitim personal.

E keqja është e vërtetë. Por është punë shumë e thjeshtë ta vësh gjithë përgjegjësinë për krimet kundër njerëzimit vetëm mbi ata që i kryejnë dhe i inkurajojnë ato dhe ta shpërfillim përgjegjësinë tonë. Albert Ajnshtajni ka thënë mirë:

“Bota nuk do të shkatërrohet vetëm nga ata që bëjnë keq, por edhe nga ata që i shikojnë e nuk bëjnë asgjë.”

Pra, bota ka nevojë për ne, e duhet ta gjejmë guximin jo vetëm për t’u përballuar me të keqen me forcë, por për ta sfiduar atë përmes fuqisë së dashurisë. Prandaj, jam i lumtur që sonte shoh këtu përfaqësues nga komunitetet fetare të Kosovës. Udhëheqësit fetarë kanë autoritet të veçantë moral ndër besimtarë. Ju inkurajoj të gjithëve të vazhdoni përpara me një dialog konkret, të sinqertë ndërfetar, përfshirë themelimin e një këshilli ndërfetar. Ndërtimi i besimit dhe bashkëpunimi midis bashkësive të ndryshme fetare të Kosovës nuk do t’u sjellë përfitim vetëm komuniteteve fetare, por mund t’i ndihmojë Kosovës të shkojë drejt paqes dhe pajtimit të vërtetë, si me bashkësitë brenda vendit ashtu edhe me vendet fqinje.

Sipas fjalëve të Anne Frank-ut, para vdekjes së saj në Bergen-Belsen:

“Unë shoh që bota gradualisht po shndërrohet në një vend të shkretë. Dëgjoj bubullimën që po afrohet gjithnjë e më shumë, që do të na shkatërrojë edhe ne. Mund t’i ndiej vuajtjet e miliona njerëzve dhe, megjithatë, nëse shikoj lart në qiell, mendoj që gjithçka do të shkojë mirë, që edhe kjo mizori do të marrë fund, dhe që paqja e qetësia do të mbretërojnë përsëri.”