Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë ceremonisë së arritjes së vaksinave, 20 gusht, 2021
Zonja presidente, kryeministër Kurti, koordinatore për zhvillim e Kombeve të Bashkuara Richardson, mysafirë të nderuar, zonja dhe zotërinj. Kam nderin që sot jam bashkë me ju për të mirëpritur ardhjen e pjesës së parë të donacionit amerikan të më shumë se gjysmë milioni doza të vaksinës së sigurt dhe efektive Pfizer për të ndihmuar Kosovën në luftën kundër Covid-19.
Kjo dhuratë nga populli amerikan është donacioni më i madh nga një burim në Kosovë nga ndonjë vend apo organizatë. Me këto doza, qeveria do të ketë mundësi t’i vaksinojë plotësisht dhe të mbrojë qytetarët e saj duke lëvizur për 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të vaksinimit të përgjithshëm.
Përveç vaksinave, prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar pothuajse 4 milionë dollarë për pajisje mbrojtëse, mjekësore, grante për mësim përmes internetit, si dhe ndihmë tjetër lidhur me pandeminë për të ndihmuar shkollat, objektet mjekësore, familjet dhe komunitetet anembanë 38 komunave të Kosovës.
Donacioni amerikan do të përmbush numrin prej më shumë se 700.000 dozave të dërguara përmes mekanizmit Covax, nismës globale për të mbështetur qasjen në vaksinë të sigurt dhe efektive. Me kontributin prej 2 miliardë dollarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh në Covax. Dërgesat tjera të vaksinës janë në rrugë e sipër.
Por, vaksinat kryejnë punë vetëm nëse njerëzit vaksinohen. Shumë njerëz ende besojnë se vaksina është e panevojshme ose nëse janë infektuar dhe i kanë mbijetuar Covid-it, që nuk do të sëmuren sërish. Kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, veçanërisht në vazhdën e rritjes dramatike të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta. Prandaj, ju lutemi, vaksinohuni për të mbrojtur veten, familjet dhe komunitetin tuaj. Së bashku, mund ta mposhtim COVID-19.