Fjala e ambasadorit në përvjetorin e Odës Ekonomike Amerikane, 23 mars 2017,
Mirëmbrëma. Është kënaqësi që jam këtu.
Dëshiroj t’i falënderoj udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Ekonomike Amerikane, drejtorin e saj ekzekutiv, anëtarët e saj dhe mysafirët e nderuar. Ju faleminderit që gjetët kohë për të ardhur sonte këtu gjersa kremtojmë 13-vjetorin e Odës Ekonomike Amerikane.
Është e mrekullueshme të mendohet që ju të gjithë i keni përqafuar vlerat amerikane të biznesit para se Kosova të bëhej republikë e pavarur. Për mua, kjo sugjeron që anëtarët dhe themeluesit e Odës Ekonomike Amerikane e kanë kuptuar që rritja ekonomike – dhe bizneset që i kontribuojnë asaj rritjeje – luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtij vendi dhe në sigurinë e tij.
Sonte dëshiroj t’ju flas për mënyrën se si mund ta vazhdojmë këtë trashëgimi. Dua ta inkurajoj secilin prej jush që të luani rol më aktiv për ta lehtësuar integrimin më të madh të Kosovës në komunitetin global dhe në rritjen e sigurisë së saj përmes zhvillimit ekonomik.
Nga njëra anë, është me rëndësi të pranohet që Kosova ka bërë përparim të madh në themelimin dhe zhvillimin e politikave dhe legjislacionit të tregut të lirë dhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Këta hapa janë njohur në Raportin e vitit 2017 të Bankës Botërore, “Bërja e Biznesit”, në të cilin Kosova ka avancuar për katër vende, prej vendit të 64-të në të 60-in. Kosova është vlerësuar pozitivisht për përmirësime në disa kategori: themelimi i bizneseve, harmonizimi i taksave dhe tregtia përtej kufijve. Mendoj që disa prej jush që jeni të pranishëm këtu sonte i keni përjetuar përfitimet e drejtpërdrejta të këtij përparimi.
Por, ekziston edhe ana tjetër. Jam takuar me biznese anembanë vendit dhe kam dëgjuar për sfidat e tyre. Kam dëgjuar çfarë mendojnë politikanët lokalë, afaristët dhe qytetarët e rëndomtë për çështje të rëndësishme të ditës. Interesante, nuk duket që ata brengosen shumë për çështjet që duket të dominojnë në lajmet politike në Prishtinë. Në vend të kësaj, ata brengosen për gjërat që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Brengosen për papunësinë, për rritjen e pamjaftueshme ekonomike, për arsimin dhe korrupsionin.
Shkurt, ata brengosen për të njëjtat gjëra për të cilat brengosen edhe afaristët. Flasin për shumë prej gjërave të njëjta për të cilat kam biseduar me ju.
Është një shaka e vjetër në SHBA për problemin me motin – të gjithë flasin për të, por askush nuk bën asgjë për të. Këto çështje, ato për të cilat brengosen qytetarët e rëndomtë dhe afaristët, nuk janë si moti. Mund të bëni diç për to. Nëse flisni me një zë mjaft të lartë, flisni bashkë dhe mos u frenoni kur hasni në pengesë.
Do të doja t’i shihja anëtarët e mrekullueshëm të Odës Ekonomike Amerikane duke folur me zë më të lartë për çështjet që e frenojnë ekonominë e Kosovës. Formojeni një komision. Zgjidhni tri çështje në të cilat do të përqendroheni çdo vit. Takohuni me zyrtarë qeveritarë për të diskutuar çfarë duhet të bëhet. Flisni për to në media. Flisni për to në Rotary Club. Flisni për to kurdo dhe kudo që mundeni.
Shumë prej bizneseve tuaja garojnë me njëri-tjetrin. Por jam i sigurt që ekzistojnë disa prej këtyre çështjeve të mëdha për të cilat të gjithë ju mund të pajtoheni.
Asnjë qeveri nuk mund t’i zgjidhë problemet e mëdha ekonomike pa mbështetjen aktive të biznesit. Jepni sugjerime që do ta bëjnë Kosovën vend më të mirë jo vetëm për biznesin tuaj, por edhe për sektorët e tjerë. Mësoni nga ata që kanë shkuar para jush. Lexoni për vendet që me sukses i kanë ndryshuar ekonomitë e veta. Natyrisht, ka edhe vende të tjera që kanë bërë shumë me pak, shikojeni Estoninë – më e vogël se Kosova, gjithashtu me trashëgimi komuniste. Ndryshimi i tyre ekonomik nuk ishte i lehtë, por njerëzit dhe politikanët u bashkuan për t’i caktuar prioritetet për të ardhmen e tyre. Ata vendosën një kornizë që u mundësoi bizneseve të korrin suksese dhe kanë shkuar më larg se që të tjerët kanë mundur ta imagjinojnë.
Sapo të keni ide të mira – bëhuni aktivë. Kosova nuk mund dhe nuk duhet të presë që bashkësia ndërkombëtare t’i rregullojë problemet e saj. Ky vend ka më tepër nevojë për juve sesa për të huajt, si unë. Është detyrë e qytetarëve të Kosovës që ta marrin rolin udhëheqës në rregullimin e problemeve të Kosovës.
Mendoni për këtë, ju lutem. Reflektoni. Caktoni prioritetet. Organizohuni. Angazhohuni.
Ndihmoni Kosovës të bëhet lloji i vendit që ju e dini se mund të jetë.
Mos merrni pjesë në korrupsion – kundërshtojeni atë. Nëse shihni që institucionet dështojnë, ndihmojuni të reformohen. Nëse nuk mund t’i punësoni punëtorët që ju nevojiten për shkak se nuk i kanë shkathtësitë apo shkollimin e duhur, gjejeni një mënyrë për t’i ndihmuar brezit të ardhshëm. Gjejeni një mënyrë për të siguruar që fëmijët i zhvillojnë shkathtësitë e tyre. Kompania juaj mund ta përvetësojë një shkollë të mesme. Ju mund të paraqiteni vullnetar si mentor, të punoni me Universitetin e Prishtinës… Bëhuni shembull pozitiv për ekipin tuaj dhe do të shiheni që të tjerët do t’i ndjekin hapat tuaj.
Por mbi të gjitha, organizohuni dhe flisni hapur si të trajtohen problemet ekonomike të Kosovës. Ju mund ta ndryshoni kulturën e Kosovës.
Më herët gjatë kësaj jave, po në këtë sallë, pata nderin ta hap “Javën e Gruas”. E citova njërin nga ish-shefat e mi, Madeleine Albright, e cila tha: “Më është dashur shumë kohë për ta arrirë këtë zë, e tash që e kam atë, nuk do të rri e heshtur”.
Bëhuni si Sekretarja Albright. Përdoreni zërin tuaj.
Përdoreni fuqinë e numrave tuaj për t’i ndikuar në disa ide të mira dhe për ta përshpejtuar trajektoren e këtij vendi. Kosova ka nevojë për ju.
Mendoni për këtë. Ju faleminderit.