Fjala e ambasadorit në Ceremoninë e nënshkrimit të MiM-it për projektin Dresnik të AFCP-së në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë,

Fjala e ambasadorit në Ceremoninë e nënshkrimit të MiM-it për projektin Dresnik të AFCP-së në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, 26 shtator 2023

Mirëmëngjesi.

Ministër Çeku, staf i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtarë të komunitetit kulturor, partnerë zbatues, anëtarë të shtypit, mysafirë të nderuar:

Jam i kënaqur që jam këtu sot për ta nënshkruar këtë Memorandum të Mirëkuptimit për ta filluar – më në fund – punën  në këtë projekt të përbashkët për ruajtjen e lokacionit arkeologjik të Dresnikut, që daton që nga periudha romake.

Dua të filloj duke e falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndarjen e kostove dhe mbështetjen e këtij projekti.

Gjithashtu dua t’ia shpreh falënderimet e mia grupit të larmishëm të partnerëve që ndihmuan që ky vizion të bëhet realitet:

  • partnerëve tanë të përkushtuar zbatues, Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Kosovë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës,
  • dhe komunës së Klinës dhe pronarëve kosovarë të tokës të cilët e njohin vlerën e ruajtjes së rëndësisë së pasur kulturore dhe historike në lokacionin arkeologjik të Dresnikut.

Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e të gjithë juve.

Puna për ta marrë miratimin dhe financimin për këtë projekt ka vazhduar me vite të tëra.

Jam entuziast të ndaj me ju se Fondi i Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore i Byrosë së Departamentit të Shtetit për Çështje Arsimore dhe Kulturore është i përkushtuar ta mbështesë këtë lokacion si një prej vetëm gjashtë projekteve të zgjedhura nga i gjithë rajoni i Evropës dhe Euroazisë, dhe një prej vetëm 28 projekteve të zgjedhura në mbarë botën.

Ky ishte një proces shumë konkurrues përzgjedhës ndërkombëtar, por nuk kisha fare dyshim se partnerët dhe kolegët tanë do ta kuptonin rëndësinë e kësaj pune.

Unë kam qenë në lokacionin arkeologjik të Dresnikut dhe personalisht mund të dëshmoj jo vetëm për bukurinë e tij, por edhe për rëndësinë e tij historike.

Ky lokacion paraqet historinë e pasur dhe të larmishme të Kosovës dhe nënvizon trashëgiminë multikulturore që është e pranishme në tërë Ballkanin dhe të cilën qeveritë kanë përgjegjësi për ta mbrojtur.

Shtetet e Bashkuara kanë një partneritet të gjatë dhe të qëndrueshëm me popullin e Kosovës.

Ky projekt i Fondit të Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore do t’i mbështesë qëllimet strategjike të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për ta promovuar rritjen dhe prosperitetin ekonomik dhe përpjekjet për ta ndërtuar një shtet demokratik, gjithëpërfshirës dhe shumetnik.

Ruajtja e lokacionit arkeologjik të Dresnikut do të thotë që të gjithë kosovarët – përfshirë brezat e ardhshëm – mund të kenë qasje në këtë histori të përbashkët.

Në fazën e parë të këtij projekti të ruajtjes, ne do ta sjellim teknologjinë më të mirë për ta studiuar dhe hartëzuar këtë lokacion.

Kjo teknologji dhe të dhënat rezultuese të prodhuara do të jenë në dispozicion të ekspertëve arkeologjikë dhe studentëve për ta mbështetur hulumtimin dhe edukimin e vazhdueshëm.

Ky investim në ruajtjen e Dresnikut do të tërheqë vizitorë në këtë lokacion dhe do të ndihmojë në fuqizimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Ai gjithashtu do t’i thellojë lidhjet tashmë të forta ndërmjet popullit të Kosovës dhe popullit të Shteteve të Bashkuara.

Në aspektin personal, kam një interesim të thellë personal për historinë dhe arkeologjinë – veçanërisht nga Perandoria Romake Bizantine ose Lindore – kështu që ky është një projekt veçanërisht mahnitës për mua dhe kam kënaqësinë të ndihmoj në inaugurimin e tij.

Edhe një herë, faleminderit të gjithë ekipit që është këtu sot.

Presim të punojmë ngushtë gjatë viteve të ardhshme për ruajtjen e lokacionit të Dresnikut.