Fjala e ambasadorit Kosnett në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës, Nju Jork, 28 shkurt 2020
Zonja dhe zotërinj, mirëdita. Më lejoni t’ia filloj duke e falënderuar Konsullen e Përgjithshme Teuta Sahatqija dhe stafin e saj për mikpritjen e sotme. Ky ekip bën punë të jashtëzakonshme për ndërtimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona të mëdha. Kam kënaqësinë që jam këtu me miq të vjetër e të ri.
Jemi këtu sepse ndajmë bashkë vlerësimin dhe respektin për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë frymë, dëshiroj që sot të përfshihemi në bisedë të hapur. Prandaj, do të flas shkurt për të mundësuar kohë për diskutim. Dëshiroj t’ia filloj duke ofruar këndvështrimin tim për tri çështje: si e shoh Kosovën sot; prioritetet e Amerikës në këtë marrëdhënie; dhe e fundit – si mund t’i mbështesin pjesëtarët e diasporës së Kosovës në SHBA përpjekjet për të ndërtuar të ardhme më të mirë për tërë popullin e Kosovës.
Pra, t’ia filloj me Kosovën sot. Disa prej jush e dini që së pari kam shërbyer në misionin diplomatik të SHBA-së në Kosovë, edhe pse shkurtimisht, në vitin 2003. Kur na u dha rasti që të ktheheshim në Kosovë në vitin 2018, këtë herë me bashkëshorten time Alisonin, menjëherë e pranuam. Jemi kthyer në Kosovë qe një vit e ca dhe ka qenë përvojë e mrekullueshme. Vitin e shkuar, më 4 korrik, pata nderin të shënoja 20-vjetorin e pranisë sonë diplomatike në Kosovë duke kryesuar hapjen e ambasadës sonë të re në Prishtinë – që mund të jetë kompleksi ndërtimor më bashkëkohor dhe më miqësor për mjedisin në Kosovë. Ambasada paraqet më shumë se vetëm një zyrë bashkëkohore për amerikanët dhe punonjësit lokalë që punojnë aty. Është vendtakim për qytetarët nga të gjitha komunitetet – dhe manifestim fizik i përkushtimit të Amerikës ndaj partneritetit jetëgjatë me Kosovën.
Çdo vit, populli amerikan jep miliona dollarë nga tatimet e tyre në mbështetje të programeve dhe veprimtarive në Kosovë. Me këto programe mundësohet ndërtimi i kapaciteteve të qeverisë, sigurimi i të drejtave të pakicave dhe pjesëtarëve më të cënueshëm të shoqërisë, përmirësimi i kapaciteteve të sistemit ligjor dhe bizneset ndihmohen për t’i përmbushur standardet ndërkombëtare të prodhimit dhe të kenë qasje në tregjet e reja. Gjithashtu, bashkëpunojmë me qeverinë për nismat për të nxitur pjesëmarrje më të madhe të grave në ekonomi, për t’i mbështetur ndërmarrësit nga të gjitha komunitetet e larmishme të Kosovës, për të siguruar furnizim të sigurtë dhe të qëndrueshëm me energji elektrike dhe për t’ju ndihmuar të rinjve për të qenë nxitësi i rritjes së ardhshme. Ne mbështesim zhvillimin e gjykatave dhe policisë, si dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
E di sa falënderues janë qytetarët e Kosovës për ndihmën që e kanë marrë nga SHBA-ja gjatë dy dhjetëvjeçarëve të shkuar. Por, gjithashtu kam mësuar se kjo marrëdhënie është rrugë dykahëshe. P.sh. Kosova ka shfaqur guxim dhe udhëheqje në qasjen ndaj luftimit të terrorizmit dhe përballjes me ekstremizmin e dhunshëm, shpesh më shumë se vendet shumë më të mëdha e më të pasura.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ndihmojnë Kosovën për ndërtimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, jo vetëm për mbrojtje, por edhe që Kosova ta mbajë zotimin për t’ia filluar t’ua shpaguajë aleatëve për ndihmën ushtarake që e ka marrë dhe për t’i përmbushur aspiratat për tu bërë forcë paqeruajtëse dhe kontribuese e sigurisë.
Së voni, Kosova i ka treguar botës se kjo Forcë e Sigurisë është e aftë për t’ju ndihmuar të tjerëve kur kanë nevojë. Pas tërmetit tragjik që goditi Shqipërinë, trupat e Kosovës për reagim ndaj emergjencave punuan krah për krah me ekipin tonë për reagim ndaj krizave duke dërguar ndihmë fqinjëve të tyre vetëm pak orë pas tërmetit. E shoh këtë si shembull se si Kosova po piqet për t’u bërë partnere mbështetëse rajonale.
Është e vërtetë se qeveritë tona nuk pajtohen gjithmonë për çdo çështje. Kjo është e rëndomtë në çdo marrëdhënie të pjekur. Mund të ketë çaste kur marrëdhëniet ndërmjet qeverive tendosen dhe kur ka pasoja. Ma merr mendja që do t’i shoshitim disa tema të çastit gjatë diskutimit, si dhe do të flas se si do të evoluojë ndihma jonë ekonomike, por nuk e kam asnjë fije dyshimi se lidhja themelore ndërmjet dy demokracive tona është dhe do të mbetet e qëndrueshme.
Të flasim për prioritetet tona të përbashkëta. Kur kolegët e mi të ambasadës dhe unë flasim për prioritetet e Amerikës – dhe për shpresat tona – për Kosovën, i grupojmë këto çështje në tri kategori: paqe, drejtësi dhe prosperitet.
Me paqe nënkuptoj marrëdhënie më të mira ndërmjet Kosovës dhe fqinjëve të saj, veçanërisht me Serbinë, por edhe për lidhje paqësore e fqinjësore ndërmjet komuniteteve etnike brenda Kosovës. Sepse të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë të drejtë të jetojnë në liri pa frikë nga fqinjët e tyre – si dhe pa pasur frikë se nëse ia zgjasin dorën e miqësisë fqinjëve nga ndonjë komunitet tjetër, kjo nuk do t’i pengojë njerëzve nga vetë komuniteti i tyre.
E paqja, me këtë përkufizim, është ngusht e lidhur me drejtësinë.
Kur qytetarët në Kosovë e ngrejnë çështjen e drejtësisë, e kuptoj që ata zakonisht flasin për luftimin e korrupsionit dhe ndërtimin e një sistemi gjyqësor dhe force policore, të cilave ju besojnë. Kjo është jetike.
Por, do ta zgjeroja përkufizimin e drejtësisë për të përfshirë bindjen ndaj sundimit të ligjit, trajtimin e barabartë dhe me respekt të të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh gjininë, etninë apo orientimin seksual dhe ofrimin e mundësive të barabartë për të gjithë. Mbështetja e këtyre përpjekjeve është e rëndësishme për qeverinë time dhe për mua – dhe ne shpenzojmë shumë energji për të ndihmuar në përmirësimin e institucioneve të gjyqësorit dhe të zbatimit të ligjit të Kosovës. Rezultatet kanë qenë inkurajuese, por ende duhet të punohet shumë, përfshirë edhe heqjen e ndikimit të papërshtatshëm politik nga sistemi gjyqësor.
Këtu do të ishte e përshtatshme të them se ndërtimi i një shoqërie të drejtë nuk është i lehtë. Kur flas në Kosovë, gjithmonë kujdesem për të vënë në pah se përderisa Amerika përpiqet të ndërtojë një shoqëri të drejtë – „union më të përsosur” nëse mund ta huazoj këtë thënie nga etërit themelues – ende përpëlitemi me trashëgiminë e një historie të gjatë dhe të dhimbshme. Të dyjat, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vepra në punim e sipër. Duhet të punojmë bashkërisht dhe të mësojmë nga njëra-tjetra për të ndërtuar shoqëri të përkushtuara ndaj përfshirjes, ndaj „lirisë dhe drejtësisë për të gjithë”. „Liria dhe drejtësia për të gjithë” gjithashtu nënkupton edhe mundësi ekonomike për të gjithë – atë që etërit tanë themelues e kanë quajtur „kërkimi i lumturisë”.
Dhe kjo më sjell te prioriteti ynë i tretë: mbështetja e Kosovës në rrugëtimin drejt prosperitetit. Shumë prej nesh do të pajtoheshim se pamja ekonomike është e përzier. Shumë kosovarë – qofshin në zyrat e qeverisë, në disa organizata joqeveritare, madje edhe në disa pjesë të sektorit privat – janë bërë shumë të varur nga ndihmat nga jashtë dhe remitencat, duke menduar se niveli i tanishëm i lartë i ndihmave dhe remitencave do të vazhdojë përgjithmonë. Ka plot raste kur dikush që punon në qeveri ose ndonjë biznes ma ka propozuar ndonjë ide të mirë dhe pastaj ka pyetur se cila agjenci qeveritare e SHBA-së do të paguajë për të.
Më lejoni të jem i qartë – jemi krenarë me punën që e bëjmë në Kosovë dhe programet që i mbështesim, por përpjekjet e qeverisë amerikane përqendrohen për t’u siguruar që Kosova të aftësohet për të qëndruar në këmbët e veta dhe që të ketë institucione qeveritare që i përmbushin dhe iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Amerika ia ofron këtë ndihmë Kosovës jo si subvencion të përhershëm, por për t’i ndihmuar institucionet dhe sektorët për t’u bërë më të vetëmjaftueshëm.
P.sh. në bujqësi, USAID-i përqendrohet për të investuar në pilot-projekte që ju tregojnë bujqve se si të pozicionohen më lart në zinxhirin e vlerës. Madje edhe ky lloj i ndihmës nuk parashihet të zgjasë përgjithmonë. Siç e theksoi Administratori i USAID-it, z. Green, para pak kohësh në Kombet e Bashkuara: qëllimi i ndihmës së huaj është t’i japë fund nevojës për ekzistencën e saj.
Gjithashtu, ekzistojnë mjaft ide magjike për investimet e huaja të drejtpërdrejta. Njerëzit që do të duhej të dinë më mirë pyesin kur do t’i detyrojë qeveria amerikane ndërmarrjet si General Motors ose Ford për të investuar në Kosovë, duke anashkaluar pyetjen si ta bëjmë Kosovën vend ku bizneset do të dëshironin të investonin. Kjo formë e vetëkënaqësisë i tejkalon vijat partiake, madje edhe të brezave.
Si vendi më i ri në Evropë, Kosova do të duhej të kishte mundësi të përfitojë nga dividenda demografike që kontribuon drejt të ardhmes më përparimtare, përderisa gjithnjë e më shumë qytetarë hyjnë në tregun e punës dhe i paguajnë tatimet që mund të përdoren për të ofruar beneficione të gjera sociale. Por, vlerësohet se rreth 220.000 qytetarë e kanë lëshuar Kosovën gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Kjo paraqet rreth 10 përqind të popullatës së Kosovës. Pa bërë investime të bashkërenditura në mbajtjen dhe zhvillimin e talentit vendor, si dhe pa mbështetjen e rritjes së prirë të udhëhequr nga sektori privat, Kosova nuk mund të shpresojë në ndryshimin e nevojshëm për të ardhme pozitive.
Të flasim për remitencat.
Tash për tash, remitencat nga njerëzit si ju po e mbajnë në këmbë ekonominë e Kosovës. Dymbëdhjetë përqind e ekonomisë së Kosovës vjen nga veprimtaria ekonomike që mbështetet nga paratë që vijnë nga jashtë. Por, këto nuk janë investime të njëmendta. Për keqardhje, shumica e remitencave përdoren për të blerë mallra të prodhuara jashtë dhe të importuara në Kosovë. Një pjesë e madhe e parave të diasporës shkon për ndërtimin e shtëpive për pushim. Kjo është më mirë, por sërish nuk është e njëjtë si të investosh në një veprimtari të vazhdueshme komerciale. Dhe të jemi të sinqertë – e tërë struktura e remitencave është ‘shtëpi prej letrave’. Përvoja e Amerikës me komunitetet e tjera të diasporës është se remitencat zvogëlohen dukshëm me brezin e dytë pas valës së parë të emigrimit.
Pra, e ardhmja e Kosovës varet nga aftësia e saj për të përmirësuar rritjen e sektorit privat dhe nga aftësia për t’ia filluar që të prodhojë prodhime që tash për tash i blen nga jashtë me paratë e diasporës. Rritja e sektorit privat do të krijojë vende pune. Do të ndihmojë për t’i mbajtur të rinjtë kosovarë në Kosovë dhe për të ofruar alternativa të njëmendta ndaj kërkimit të vendit të punës në sektorin publik tashmë të fryrë.
Por, jo gjithçka është e zymtë. Së pari, përderisa shumë të talentuar e kanë lënë Kosovën – përfshirë edhe persona që janë në këtë sallë – shumë prej më të talentuarve kanë zgjedhur që të rrinë në vend. Kur e krahasoj Kosovën e 2003-s me Kosovën e sotme, veçanërisht jam i mahnitur me një gjeneratë të të rinjve që është duke dalë në pah – të edukuar, flasin disa gjuhë – që do të mund të ishin të suksesshëm kudo në botë, por që kanë zgjedhur të përpiqen ta ndërtojnë të ardhmen në shtëpi, në Kosovë.
Veçanërisht, të rinjtë e sektorit të teknologjisë flasin për mësimet e nxjerra nga vendet tjera të vogla që kanë arritur sukses ekonomik përmes çbllokimit të sektorit privat – vende si Izraeli, Singapuri, Estonia, Slovenia. Shumë prej tyre po zgjerohen përtej vijave ndarëse të komuniteteve, madje edhe përtej kufijve për të zënë miq dhe për të bërë biznes me njerëz nga komunitetet e tjera. Ata nuk frikohen të kërkojnë para nga jashtë –jo si ndihmë, por si kapital për investime.
Gjirafa është shembull i shkëlqyeshëm. Një investim i vogël nga USAID-i, i dyzuar me dinamizmin e themeluesit të saj të ri, Mërgim Cahanit, pati efekt përshpejtues. Tani Gjirafa prin në tregtinë online me pakicë në Kosovë, si dhe është lidere si makinë kërkimi.
Pikërisht dëshira për ta parë Kosovën duke e zhvilluar ekonominë e saj dhe më të pavarur ekonomikisht, po i nxit përpjekjet tona të tanishme – të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm presidencial, Ric Grenell – për t’i dhënë shtytje procesit të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duke nxitur nismat për përmirësimin e lidhjeve ajrore, rrugore dhe hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shpresojmë t’ju japim energji mundësive ekonomike dhe afariste në të dy anët e kufirit, të përmirësojmë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të ndërtojmë lidhje që do të çojnë te bashkëpunimi më i madh mes njerëzve dhe te rritja ekonomike. I kemi zhvilluar këto nisma në konsultime me udhëheqësit afaristë në të dy vendet.
E tani, të kaloj në pikën e fundit. Në fund të fundit, e ardhmja e Kosovës varet vetëm nga një faktor: përkushtimin e qytetarëve të saj për ta ndërtuar atë të ardhme. Ju nxis të mendoni se si mund ta strukturoni mbështetjen tuaj drejt qëllimit që Kosova të bëhet e vetëmjaftueshme.
Pra, çka tjetër mund të bëni? Në fakt, mund të bëni shumë. Nuk jam këtu për të miratuar programe apo biznese të caktuara, por vetëm për të ngritur vetëdijen për një varg mundësish se si ju mund të luani rol në suksesin e ardhshëm të Kosovës. Prandaj, me këtë paralajmërim…
Mund të investoni në ndonjë biznes ekzistues apo të nisni biznesin tuaj. Shikoni suksesin e investimit të diasporës në ndërmarrjen Jaha Solar. Kjo ndërmarrje jo vetëm që krijoi vende pune në Kosovë, por paraqet vendim të mençur afarist për investitorët. Panelet diellore të cilësisë gjermane të prodhuara në Kosovë konkurrojnë në tregjet evropiane me çmimet që janë konkurruese me ato të Kinës.
Mund t’i ndiqni hapat e familjeve Shkreli, Lukaj dhe familjeve tjera duke sponsorizuar bursa shkollore për të rinjtë kosovarë. Mund t’i mbështetni organizatat jofitimprurëse kosovare, si Teach for Kosova – që si shembull ka Teach for America – e cila po kërkon fonde, por edhe pjesëmarrës për të punuar në shkollat në Kosovë. Mund të ndiqni shembullin e themeluesit të BONEVET, Vllaznim Xhihës, i cili krijoi pasurinë e tij jashtë vendit, por krijoi një fondacion me programe të udhëhequra nga të rinjtë e vendit, duke inkurajuar suksesin e brezave të ardhshëm të Kosovës.
Ndoshta ndonjë zotim më modest? Shumë pjesëtarë të diasporës bëjnë pushime të zgjatura në Kosovë (ta themi të vërtetën, në plazhet e shteteve fqinje). Ndani pak kohë gjatë pushimeve për të mentoruar bizneset dhe organizatat vendore dhe për t’ju ofruar ekspertizë dhe ide novatore. Një vend i mirë për t’ia filluar nëse jeni duke kërkuar mundësi të tilla është Germin, që vë në kontakt diasporën nga e tërë bota me bizneset dhe organizatat vendore që kërkojnë shërbime. Shkëmbimi i njohurisë dhe dijenisë suaj me bizneset e Kosovës mund të jetë i paçmueshëm. Një ndërmarrje e re e vogël teknologjike e udhëhequr nga një i ri kosovar ka fituar një kontratë me Lufthansën përmes kontakteve me diasporën. Në fakt, ata raportojnë se 90 për qind e klientëve të tyre janë nga diaspora.
E ndikimi juaj nuk është e thënë të kufizohet në bamirësi apo në sferën ekonomike. Ka shumbuj se si njerëzit si ju, që kalojnë kohë në sisteme të tjera politike apo ekonomike, e „përcjellin” një komponentë të atyre vlerave kur kthehen apo kur ndërveprojnë në atdheun e tyre dhe kanë ndikim pozitiv. Ata kontribuojnë në ndryshimin e qëndrimeve të prapambetura rreth çështjeve si barazia gjinore, mbrojtja e të drejtave civile dhe përfshirja e komunitetit LGBTI.
Me kohë, përderisa diaspora ndan këndvështrimet e saj me ata që mbesin në atdhe, mund të ndodhin ndryshime të pavërejtshme në vlerat që mund t’i kenë ata njerëz. Ju nxis të ndihmoni për të avokuar për nevojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe viktimat e tjera të dhunës dhe traumës së mëvonshme, përfshirë edhe duke ndihmuar për t’i plotësuar hendeqet në nevojat për shëndet mendor.
Më herët fola për energjinë dhe përkushtimin e ndërmarrësve të ri të Kosovës dhe për projektin frymëzues „Teach for Kosova”. Pse të mos çbllokohet rinia nga diaspora për t’i mbështetur ata? A njihni ndonjë qytetar të ri kosovaro-amerikan me diplomë në biznes apo teknologji ose thjesht me qëndrim fitimtari? Ndoshta keni vajzë, djalë, mbesë a nip?
Nëse i keni mjetet, pse të mos mbështetni ekonomikisht ndonjë prej tyre një vit për të jetuar në Kosovë dhe për të sjellë entuziazmin dhe shkollimin e tyre për të mbështetur ndonjë ndërmarrje lokale, ose komunë apo institucion shkollor? Ata fitojnë përvojë të vlefshme në këtë proces dhe e përmirësojnë edhe njohjen e gjuhës.
Në këtë sallë ka njerëz që do të ishin të shkëlqyeshëm në organizimin e trupës së të rinjve të diasporës – kush del vullnetar?
Ju faleminderit që i dëgjuat idetë e mia se si mund ta ndërtojmë një Kosovë të vetëmjaftueshme. Pres me padurim t’i dëgjoj idetë tuaja dhe me kënaqësi ju përgjigjem pyetjeve për çdo temë. Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!