Fjala e Ambasadorit Kosnett në Ceremoninë e Mbylljes së Kampit WiSci, 28 Gusht 2019
(Siç u përgatit)
Zonja dhe zotërinj, nxënëse dhe shkencëtare – mirëdita. Është kënaqësi e madhe t’u bashkohem kolegëve të mi nga zyra e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit në Ambasadë, përfaqësuesve nga Girl Up dhe INTEL, dhe përkrahësve të tjerë të WiSciKosovo, për t’u uruar 100 të rejave këtu sot – nxënëse të shkollave të mesme nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe SH.B.A. – të cilat ia kanë kushtuar këto javë të fundit punës si ekip për të mësuar mbi shkencën dhe për veten e tyre. Ato filluan të ndërtojmë një të ardhme që shfrytëzon energjinë dhe potencialin e grave të reja. Një të ardhme në të cilën njerëzit kalojnë kufijtë dhe thyejnë barrierat. Kjo është një e ardhme në të cilën mund të besoj.
Gjatë javëve të kaluara, pjesëmarrëset kanë pasur mundësinë të thellohen në lëndët STEAM – STEAM domethënë Shkenca, Teknologjia, Inxhinieria, Arte dhe Dizajni, dhe Matematika – së bashku me bashkëmoshataret e tyre dhe të zhvillojnë shkathtësitë e tyre udhëheqëse, në një mjedis ngazëllues ndër-kulturor. WiSciKosovo synon të trajtojë drejtpërdrejt problemin e qasjes së pabarabartë të grave në punët STEAM.
Shumë njerëz, shumë organizata, po i mbështesin 100 “STEMinistet” tona të ardhshme. Unë sapo e mësova këtë fjalë, dhe më pëlqen shumë! Mentorimi nga ekspertët e industrisë dhe miqësia me bashkëmoshataret nga e gjithë bota, janë dy elementët e një recete të suksesshme që GirlUp ka përdorur në nëntë kampe të tjera në mbarë botën.
Përveç Girl UP, dëshiroj të falënderoj të gjithë partnerët e përfshirë në realizimin e këtij kampi: Fondacionin e Mijëvjeçarit të Kosovës, Korporatën Intel, Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, Odat Amerikane të Tregtisë, Coca-Cola, Bechtel, Microsoft, NASA, Departamentin e Energjisë të SHBA, dhe ambasadat tona partnere Amerikane në rajon.
Një nga arsyet pse ky program është kaq i veçantë, është se në Kosovë, ashtu si gjetkë në rajonin e Ballkanit, gratë nuk kanë një pjesë dhe pjesëmarrje të barabartë në ekonomi. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është thelbësore për plotësimin e nevojave të sektorëve në rritje, si energjia dhe kompjuterët. Fuqizimi i grave të reja në mbarë këtë rajon do të forcojë inovacionin, rritjen dhe vetë-mjaftueshmërinë për të gjithë rajonin. Nxitja dhe krijimtaria që këto të reja sollën në WiSci, dhe që i zhvilluan më tej në program, do të sjellin mundësi për veten e tyre, komunitetet e tyre, vendet e tyre – dhe botën.
Tani, më lejoni t’u drejtohem drejtpërdrejt “STEMinisteve” tona.
Së pari, urime për përfundimin e programit! Mezi pres të dëgjoj nga disa prej jush sot në lidhje me projektet tuaja përfundimtare ekipore. Ju inkurajoj që këto përvoja t’i ktheni në vendet tuaja, komunitetet, shkollat dhe familjet tuaja, dhe t’i ndani të gjitha mësimet që keni marrë në lidhje me njohuritë teknike, shkathtësitë udhëheqëse, dhe dashamirësinë ndërkulturore. Po ashtu, shpresoj se do të merrni me vete edhe histori nga Kosova – të njerëzve të ngrohtë dhe mikpritës që keni takuar dhe të ushqimeve të shijshme që keni shijuar, dhe të gjumit që keni humbur. E di se do të ktheheni në shtëpitë tuaja të gatshme që të frymëzoni brezin e ardhshëm të të rejave, ashtu siç na keni frymëzuar të gjithë ne.
Para se të vazhdojmë më tej, më lejoni t’ju kujtoj fjalët e dy grave të mëdha amerikane. Nga astronautja Dr. Mae Jemison: “Mos lejoni askënd t’ju vjedhë imagjinatën, krijimtarinë ose kuriozitetin juaj. Ky është vendi juaj në botë; është jeta juaj. Ecni para dhe bëni gjithçka mundeni me të, dhe bëjeni jetën që dëshironi të jetoni.” Dhe nga e ndjera shkrimtare fantastiko-shkencore Ursula Le Guin: “Hapi i parë i daljes nga fëmijëria bëhet menjëherë, pa shikuar para ose prapa, pa kujdes, dhe asgjë nuk mbahet në rezervë.”
Zonja – shkencëtare — e ardhmja është e juaja. Fitojeni!