Fjala e ambasadorit Kosnett me rastin përvjetorit të 20-të të QKRMT-së

Fjala e ambasadorit Kosnett me rastin përvjetorit të 20-të të Qendrës kosovare për rahabilitimin e të mbijetuarve të torturës, 11 nëntor 2019

Mirëmbrëma, zonja dhe zotërinj. Bashkëshortja ime, Alisoni dhe unë ndjehemi të privilegjuar që jemi në mesin e mysafirëve të nderuar për të shprehur mirënjohjen për punën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës. Dr. Mukwege, ju faleminderit që keni ardhur në Prishtinë për të ndarë me ne urtësinë tuaj.

Më lejoni të përgëzoj z-njën Feride Rushiti – ish fituese e çmimit ndërkombëtar të qeverisë amerikane “Gratë e guximshme” – dhe kolegët e saj që kanë punuar me mund për 20 vjet për të siguruar që përpjekjet dhe sakrificat e të mbijetuarve të mos harrohen.

Mbi të gjitha, dëshiroj të shpreh respektin tim më të thellë për të mbijetuarat që janë në mesin tonë dhe të tjerët kudo që janë.

E di se ka çaste kur të mbijetuarat dhe përkrahësit e tyre ndjehen të dërrmuar. Por, duke i parë këto gra dhe burra të përkushtuar sonte, më kujtohen fjalët e shkrimtares dhe shkencëtares amerikane, Margaret Mead: “Kurrë mos e vini në dyshim që një grup i vogël i njerëzve të matur e të përkushtuar mund ta ndryshojnë botën. Në fakt, vetëm kështu ka ndryshuar bota.”

Përderisa e shprehim mirënjohjen tonë për punën e mundimshme të QKRMT-së, fokusi ynë duhet të mbetet për nevojat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës – veteranët e harruar të luftës së Kosovës për liri.

Gratë dhe burrat që i kanë mbijetuar dhunimit gjatë luftës nga armiku përballen me dhimbje të mëtejme nga fqinjët, miqtë dhe familjarët. Të gjithë i dimë rrëfimet e të mbijetuarave që ndëshkohen fizikisht sepse e kanë “çnderuar” familjen, që dëbohen nga shtëpitë, që iu refuzohet kujdesi shëndetësor dhe mënyrat për të fituar bukën e gojës.

Prandaj, shumë pak të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë dalur hapur publikisht. Dhe kur të mbijetuarat dalin hapur – të paktën sa për të aplikuar për pension dhe beneficione shëndetësore – shumë shpesh raportojnë se ndjehen sikurse po abuzohen sërish për shkak të procesit të ngadalshëm dhe të dhimbshëm që i trajton aplikantët si të dyshuar.

Mund ti përgëzojmë të mbijetuarat që kanë folur hapur, guximi dhe përkushtimi i të cilëve për ti mbështetur të mbijetuarat e tjera ndihmon në ndriçimin e rrugës . Por, duhet ti respektojmë edhe të mbijetuarat që nuk flasin hapur. Rrëfimet e tyre janë po aq të rëndësishme.

E dimë se shumë të mbijetuara ngurrojnë ti rrëfejnë ngjarjet e tyre për shkak të stigmës shoqërore me të cilën përballen në familje dhe bashkësi. Si pjesëtarë të shoqërisë globale jemi përgjegjës për tu përballur me këtë stigmë dhe për të siguruar që të mbijetuarat nuk detyrohen të heshtin, por trajtohen me respekt dhe dinjitet. Qofshim qytetarë të Kosovës ose të vendeve të tjera, kemi përgjegjësi për të siguruar që të mbijetuarat mbrohen dhe marrin përkujdesje individuale.

Si pjesëtarë të shoqërisë globale, na takon që të kalojmë nga fjalët në vepra.  Do të duhet veprim nga udhëheqësit e vendit, shoqëria civile, miqtë e huaj që punojnë bashkërisht. E them këtë me optimizëm. Ky është çasti i shpresës në Kosovë, përderisa qytetarët shohin se si  fituesit e zgjidhjeve të muajit të kaluar po punojnë për ta formuar qeverinë. Udhëheqësit që do ta formojnë qeverinë e ardhshme janë zotuar për ndryshime në shumë fusha. Iu bëj thirrje të mundësojnë ndryshim radikal të qasjes ndaj problemit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

E para, i nxis udhëheqësit e qeverisë së ardhshme që të takohen menjëherë me të mbijetuarat për të vënë në pah sa e rëndësishme është që ato të trajtohen me respekt dhe për ti dëgjuar rrëfimet e tyre drejtpërdrejtë. Kjo është udhëheqja dhe dhembshuria që qytetarët e çdo vendi duhet ta presin nga udhëheqësit e tyre.

E dyta, i bëj thirrje qeverisë së re që t’ua kushtojë të mbijetuarave – nga të gjitha komunitetet – të njëjtën vëmendje si veteranëve të tjerë të luftës. Kjo nënkupton reformim rrënjësor të punës së Komisionit përgjegjës për shqyrtimin e aplikacioneve të të mbijetuarve. Këtu përfshihet sigurimi i personelit të mjaftueshëm dhe buxhetit të përshtatshëm për mundësimin e një procesi efikas dhe të dinjitetshëm, që të mbijetuarat të mos ngurrojmë për ti kërkuar beneficionet.

Në fund, gjithashtu do ta sfidoj edhe bashkësinë ndërkombëtare – duke ia filluar prej vetes – për të bërë më shumë. Qeveritë, organizatat si QKRMT-ja, diaspora, fondacionet ndërkombëtare dhe sektori afarist mund të luajnë rol për të ofruar ekspertizë dhe resurse për ti adresuar mangësitë përkitazi me ndihmën shëndetësore, shëndetin mendor dhe asistencën praktike për të mbijetuarat. Le të gjejmë mënyra për të përparuar së bashku para se të kalojnë edhe 20 vjet tjera.

Këto mendime nuk i them si kritika, por në frymën e mirëbesimit dhe inkurajimit. Qëllimi ynë duhet të jetë të mësojmë nga gabimet e së kaluarës e jo të fajësojmë të tjerët. Në vend se ti anashkalojmë përgjegjësitë, të gjejmë mënyra për të bashkëpunuar me efikasitet. Sepse me fjalët e Nënës Terezë: “Askush, as unë, nuk bën gjëra të mëdha. Por, të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe dhe së bashku mund të bëjmë diçka të mrekullueshme”.