Fjala e ambasadorit Kosnett me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur

Fjala e ambasadorit Kosnett me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, nikoqir i së cilës është Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, 27 gusht 2019

Z. Qerkinaj dhe z. Trifunoviq, Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, z. Lluka, z. Gjetaj, zonja dhe zotërinj, dhe më të rëndësishmet, familje të të zhdukurve, ju faleminderit. Unë jam mirënjohës për mundësinë që më është dhënë të ju bashkangjitem në këtë ditë të kujtimit, për të shfaqur respekt për 1653 personat nga Kosova që janë ende të zhdukur nga koha e konfliktit të Kosovës, e që janë nga të gjitha bashkësitë etnike dhe fatet e të cilëve mbeten të paditura dy dekada më pas.

Ky vit shënoi përvjetorin e 20-të e shumë nga incidentet më të tmerrshmet që ndodhën në Kosovë. Është një përvjetor i dhimbshëm dhe unë kam pasur nderin e thellë që të marr pjesë në disa ceremoni përkujtuese. Gruaja ime Alison dhe unë kemi dëgjuar tregimet e vuajtjeve, guximit, dhe dhembshurisë, nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe nga të gjitha komunitetet e saja. Është e pamundur të dëgjosh këto tregime dhe të mos ndjesh përkushtim të ripërtërirë për të përkrahur të mbijetuarit dhe familjet në luftën për drejtësi. Ka suksese për t’u theksuar, siç përmendën edhe të tjerët. Jam i inkurajuar që shoh se Kosova merr pjesë në grupin punues bilateral të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq i cili mbylli 70% të rasteve të personave të zhdukur në tërë vendin, dhe i cili përsëri po bën përparim pas disa viteve të ngadalshme. Dhe puna ndëretnike, e ndërmarrë nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur është unike për faktin se bashkon viktimat e gjitha etniteteve. Shpresoj që më shumë organizata do të ndjekin nismën e tyre. Duke e modeluar bashkëpunimin ndëretnik, përfshirë edhe bashkëpunimin tejkufitar, OJQ-të dhe organizatat e shoqërise civile mund të vendosin shembull për t’u ndjekur nga qeveritë rajonale.

Por, ende ka aq shumë për të bërë, sepse të mbijetuarit plaken dhe kujtimet zbehen. Kjo do të duhej të ishte një arsye për shumë njerëz që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përparimin drejt vazhdimit të bisedimeve për vendosjen e marrëdhënieve normale. Dhe gjersa zgjedhjet po afrohen në të dyja vendet, unë i inkurajoj partitë dhe kandidatët që të shfrytëzojnë mundësinë për t’iu treguar votuesve se çfarë hapa ata planifikojnë të ndërmarrin për të përfunduar rastet e personave të zhdukur. Të kërkuarit e drejtësisë për viktimat e së kaluarës është të ndërtosh një themel për paqë në të ardhmen. Dhe siç ka thënë udhëheqësi i Afrikës së Jugut, Desmond Tutu: “Nëse doni paqë nuk bisedoni me miqtë tuaj. Bisedoni me armiqtë tuaj”.

Por, duke theksuar rolin e OJQ-ve dhe përgjegjësinë e qeverive për të bërë më shumë, përfshirë atë të qeverisë sime, unë them se njerëzit e tubuar këtu – si qytetarë të lirë në një demokraci, dhe si të mbijetuar që e dijnë çka do të thotë të jesh në shënjestër dhe të vuash nga dhuna e bazuar në etnitet dhe gjuhë – janë pra njerëzit në këtë sallë ata që mund të luajnë rol thelbësor në ecjen përpara drejtë qëllimit të drejtësisë. Me respektin më të madh kërkoj nga ju që të ngrisni zërat tuaj në emër të atyre nga të gjitha komunitetet që kanë humbur të dashurit e tyre. Vazhdoni që të shtrini dorën të tjerëve që bashkëndjejnë dhembjen me ju, dhe avokoni për një Kosovë që është me të vërtetë përfshirëse dhe ku të gjithë qytetarët mund të ndërtojnë një të ardhme.

Zonja dhe zotërinj, Sepse, beteja e dhembshurisë kundër indiferencës, e së vërtetës kundër rrenave, dhe e dashurisë kundër urrejtjes, është një betejë që ne mund ta fitojmë. Sipas fjalëve të shkrimtarit dhe aktivistit të madh amerikan, Toni Morrison, që na la tepër heret këtë muaj: “Prania e së keqes ishte diçka që duhej pranuar së pari, pastaj të merreshe me të, ta mbijetoje, ta mashtroje me mençuri, dhe ta mundje”. Ju faleminderit shumë.