Fjala e ambasadorit Kosnett me rastin e pritjes për komunitetin serb të Kosovës

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë pritjes për komunitetin serb të Kosovës, 28 mars 2019

Mirë se vini.  Ju faleminderit që jeni me ne sonte.

Ju kam ftuar sepse dëshiroj të njoftohem me ju dhe të dëgjoj për sukseset e sfidat tuaja, si dhe mendimet tuaja se ku mund të punojmë së bashku për të shtyrë përpara paqen, drejtësinë dhe mirëqenien në Kosovë.

Ngjarja e sotshme nuk është vetëm çështje burokratike për ambasadën time ku themi: “mirë pra, u takuam me komunitetin serb; e kryem për një vit”.  Këtë pritje e shoh si fillim të bisedës dhe shpresoj të kaloj më shumë kohë me pjesëtarët e këtij komuniteti.  Tashmë kam kaluar ca kohë në veri dhe së shpejti do të shkoj sërish. E mirëpres mundësinë për tu takuar me më shumë pjesëtarë të komunitetit atje.

Vizitat në Graçanicë janë domethënëse për mua, meqenëse ka qenë ndër qytezat e para që i kam vizituar në 2003-n, kur kam shërbyer për herë të parë në misionin amerikan në Kosovë.  Kurrë s’e kam harruar bukurinë e manastirit dhe kishës.

Kur u ktheva para disa muajve si ambasador, tash me bashkëshorten time Alisonin, Graçanica ishte ndër vendet e para që i vizituam.  E çmojmë mikpritjen e ngrohtë të komunitetit në natën e Kërshëndellave.  Pritëm të frymëzoheshim nga shërbesa kishtare dhe ashtu ndodhi.  Por, nuk kishin ide sa do të zbaviteshim rreth zjarrit duke pirë raki të nxehtë!

Në ambasadë, i përshkruajmë qëllimet tona për Kosovën si përpjekje mbështetëse për të ndërtuar paqe, drejtësi dhe mirëqenie për Kosovën dhe rajonin.  Nuk mendoj se mund të shpresohet për përparim në ndonjërën nga këto fusha pa punuar për përparim në të tjerat.  P.sh. jemi të bindur se përparimi ekonomik varet pjesërisht nga luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i besimit në sistemin gjyqësor.  Por, përparimi ekonomik – mirëqenia – gjithashtu varet nga ndërtimi i marrëdhënieve paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe brenda këtij vendi.

Përkitazi me Kosovën e Serbinë, së voni qeveria ime ka shpenzuar shumë kohë në përpjekje për ti bindur udhëheqësit e Kosovës për ta pezulluar taksën mbi mallrat serbe dhe për ti bindur Kosovën e Serbinë për t’ju kthyer dialogut.  E di se procesi ka shkaktuar ankth për të ardhmen, por besojmë se është çasti i duhur për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimisht për ti normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Shpresoj që të dy palët ti kthehen bisedimeve së shpejti.  Megjithatë, siç jeni më se të vetëdijshëm, paqja e vërtetë për Kosovën nënkupton më shumë se vetëm normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.  Gjithashtu, nënkupton përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve dhe ndërmjet serbëve të Kosovës dhe qeverisë së Kosovës.

Shpesh flas për shërbesën e natës së Kërshëndellave, krah-për-krah me shërbesën e Kërshëndellave katolike, që bashkëshortja ime dhe unë e ndoqëm më herët në katedrale, si shembuj të pasurisë së përvojës që sjell jetesa në një shoqëri shumëkulturore dhe shumetnike.  Çfarë dhurate është që Kosova njëkohësisht mund të jetë shtëpi e thesareve si ky monument i gjallë me afresk, si rrënojat antike të Ulpianës, si kalaja në Prizren që demonstrojnë bashkëjetesën fetare e etnike gjatë shekujve.  Sa shterpë do të ishte Kosova pa mozaikun e komuniteteve të saj: shqiptar, serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptas, malazez, kroat e hebre.

Përqafimi i larmisë nënkupton përkushtim nga të gjithë ne – që të jemi të qëllimshëm për përfshirjen, të jemi të hapur ndaj këndvështrimeve që sfidojnë supozimet tona dhe të pranojmë ndërlikueshmërinë.

Të huajt qëllimmirë nganjëherë shkojnë në një vend të trazuar nga trashëgimia e konfliktit dhe tonë: „Duhet ta harroni të kaluarën dhe të ecni përpara.  Shihni drejt të ardhmes”.  Por, unë nuk mendoj se kjo qasje është reale.  Nuk mund dhe nuk duhet ta harrojmë të kaluarën. Por po ashtu, nuk duhet të lejojmë që ajo t’na mbajë peng.

Më herët gjatë kësaj jave shënuam 20 vjetorin e operacionit të NATO-s „Forcat e bashkuara”.  Nuk i dërguam amerikanët për të luftuar dhe vdekur për Shqipërinë e Madhe apo Serbinë e Madhe apo për ti vënë në shenjë popullin e cilitdo komunitet.  Ndërhymë për të ndalur një katastrofë humanitare dhe për ti mbrojtur civilët.  E kuptoj se shumë zemra ende janë të mbushura me dhimbje nga humbjet nga kjo periudhë.  Shpresojmë që ta shohim këtë përvjetor jo si mundësi për ti nxitur urrejtjet e vjetra, por për ta studiuar të kaluarën për t’na ndihmuar që të nxëmë mësim që do ta parandalonin përsëritjen e saj.

Kjo është e vërtetë edhe në vendin tim.  Jam krenar për llojshmërinë kulturore, etnike dhe fetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Por, ndërtimi i barazisë nuk arrihet lehtë.  Shtetet e Bashkuara janë 240 vjet të vjetra dhe ende përpëlitemi për ta ndërtuar një shoqëri me mundësi dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.  Amerikanët nuk i kanë të gjitha përgjigjet, por ata po përmirësohen në përballjen me çështjet e çasteve të errëta të historisë sonë.

Vitin e shkuar, para se të vinim në Kosovë, Alisoni dhe unë patëm rastin të vizitonim Muzeun e Historisë dhe Kulturës afrikano-amerikane në Uashington dhe Memorialin Kombëtar të Paqes dhe Drejtësisë në shtetin e Alabamës.  Të dyja këto tregojnë rrëfimin se si, edhe një shekull pas Luftës Civile, strukturat e pushtetit lokal përdornin vrasjen, përdhunimin dhe zjarr-vënien si armë politike për të shtypur të drejtat e pakicave.

Është e vështirë të pranojmë se pjesëtarët e komunitetit tonë kanë kryer vepra të errëta.  Por, është detyra jonë ndaj fqinjëve, vetes e fëmijëve tanë për tu përpjekur për ta parë historinë nga këndvështrimi i një grupi tjetër.

E ëndrra ime për Kosovën është të ecim përtej konceptit të tolerancës – të pranimit me ngurrim të të drejtës të njerëzve nga komunitetet tjera për të jetuar këtu.  Në vend të kësaj, shpresoj të shoh njerëzit duke i mirëpritur në mënyrë aktive dhe duke i përqafuar fqinjët nga komunitetet dhe fetë tjera. Sepse e ardhmja e serbëve të Kosovës është në Kosovë.

Për këtë arsye do të më dëgjoni duke e nxitur udhëheqësinë kosovare për të arritur përparim të njëmendtë në të drejtat e gjuhës, për zbatimin e vendimeve gjyqësore për të drejtat pronësore të Kishës Ortodokse serbe dhe individëve, si dhe për ta marrë me seriozitet çështjen e sigurisë për të gjitha komunitetet.

Ambasada jonë do të vazhdojë të kërkojë më shumë noterë nga radhët e serbëve të Kosovës, si dhe të kërkojë mënyra për të përmirësuar qasjen në treg të ndërmarrësve serbë të Kosovës, ti bëjë gjykatat funksionale për tërë qytetarët dhe të ndihmojë serbët e Kosovës të kenë zë më të fortë në komunitetin e tyre.

Por, nuk mund të mbështeteni vetëm në të huajt dhe komunitetin shumicë për të siguruar pranimin e këtyre të drejtave.  Të gjithë ju – qofshit në sektorin privat, shoqërinë civile, medie apo politike – luani rol në këtë.

Ju nxis të shfrytëzoni të gjitha mjetet demokratike në dispozicion për ti përmbushur interesat e komunitetit tuaj dhe të kërkoni të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët tuaj.  Ndërtoni marrëdhënie me fqinjët tuaj.  Përderisa kërkoni respektim të të drejtës së gjuhës, nxitni fëmijët tuaj të marrin pjesë në programet ndëretnike dhe ti mësojnë gjuhët e fqinjëve të tyre.  Kundërshtojeni largimin e serbëve nga institucionet, sepse kjo hesht komunitetin tuaj.  Shmangni retorikën ndezëse, që ngrit tensionet ndërmjet komuniteteve pa rezultate.

Dhe mbi të gjitha, t’i kundërvihemi të gjithë atyre nga të gjitha komunitetet që do të përdornin dhunën dhe kanosjen në përpjekje për ta këputur lidhjen ndërmjet qytetarëve të Kosovës.  Sepse siç kanë thënë shumë filozofë: „Krejt çka i duhet të keqes për të fituar është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”.