Fjala e ambasadorit Kosnett me rastin e ndarjes së çmimeve për të shënuar partneritetin ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës

Fjala e ambasadorit Kosnett me rastin e ndarjes së çmimeve për të shënuar
partneritetin ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, 30 korrik 2019

Mirëmbrëma dhe ju faleminderit të gjithëve. Faleminderit, Arian për atë prezantim të sjellshëm. Ilir, Arian, zonja dhe zotërinj, bashkëshortja ime, Alisoni dhe unë kemi kënaqësinë që jemi këtu për të ndihmuar në kremtimin e suksesit të ndërmarrjeve anëtare të Odës ekonomike amerikane.

Një prej detyrave të çdo ambasadori amerikan është t’ju ndihmojë ndërmarrjeve amerikane për të zgjeruar bizneset e tyre globalisht.  Angazhimi i tillë diplomatik për çështje tregtare është i rëndësishëm për Amerikën sepse ndihmon për të krijuar vende pune dhe prosperitet në shtëpi dhe ndihmon për të sjellë prodhime dhe shërbime të cilësisë së lartë në tregun amerikan.  Promovimi i rritjes së bazuar në spektër të gjerë, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme ndihmon në stabilizimin e rajoneve dhe krijon tregje të reja dhe në rritje për ndërmarrjet amerikane.

Por, nuk jemi këtu për të përkrahur vetëm SHBA-në. Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane është e përkushtuar për të mbështetur popullin e Kosovës, komunitetin afarist dhe qeverinë për të mundësuar përparimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe pakicave.  Jemi të përkushtuar për të ndihmuar Kosovën për ta ndërtuar sektorin privat dhe për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës për të vënë vendin në drejtim të duhur për të qenë më e pavarur ekonomikisht.

Ngurroj ti përmend vetëm disa prej ndërmarrjeve që po i nderojmë sonte, por disa prej tyre kanë rënë veçanërisht në sy në forcimin e lidhjeve tregtare dhe të investimit ndërmjet Kosovës dhe Amerikës.

Elkos, Fluidi, Allmakers Global Services, Meridian Corporation dhe Delfin ishin ndër importuesit më të rëndësishëm në Kosovë të mallrave amerikanë vitin e shkuar.  Stone Castle dhe Devolli janë gjithnjë e më të suksesshëm në eksportin drejt SHBA-së të verës dhe kafes, dy prodhime për të cilat qytetarët e Amerikës dhe Kosovës kanë oreks pothuajse të pashtershëm.

Por, para se të ndajmë çmimet, desha të flas pak për disa prej sfidave me të cilat përballet Kosova.  E them këtë duke ju kërkuar pak durim, sepse e di që flasim për sfidat e Kosovës gjatë gjithë kohës, por ajo çka Kosovës i duhet më së shumti është të ndërmarrë veprim.

Tash për tash, rritja në vend sillet rreth 4 për qind.  Kjo mund të duket mbresëlënëse, por Kosova për kokë banori  prodhon vetëm një të dhjetën e mesatares evropiane.  Kjo do të thotë që për ta zënë hapin me rritjen në Evropë, ekonomia e Kosovës duhet të rritet 8 përqind në vit gjatë 30 viteve të ardhshme.  Kosovës i duhet rritje e sektorit privat për ta përmbushur atë qëllim dhe qeveria duhet ta marrë më seriozisht mbështetjen e sektorit privat.  Është me rëndësi që qeveria e ardhshme, çfarëdo forme të ketë, ajo qeveri e ardhshme duhet të jetë e përkushtuar për të ndërmarrë veprim konkret për ta rritur mundësinë për përshtatje dhe konkurrencën e sektorit privat të Kosovës.  Që bizneset të lulëzojnë, qeveria duhet të zvogëlojë korrupsionin dhe të promovojë standarde profesionale në qeveri, biznes dhe arsim.

Rritja ekonomike po ashtu varet nga tregtia dhe integrimi ekonomik ndërkufitar, e qeveria duhet të ketë rol prijës edhe këtu.  Kosova është shembull i mirë i një vendi me treg të vogël vendor që nuk mund të bazohet vetëm në konsumin e brendshëm për të nxitur rritjen.

Konflikti i pazgjidhur me Serbinë i kontribuon perceptimit në mesin e investitorëve të mundshëm për pasigurinë dhe paparashikueshmërisë në vend, që rezulton me shpenzime më të mëdha të transportit dhe logjistikës, pamundësi të organeve ekzekutive për të lëvizur lirshëm dhe vështirësi për të formuar aleanca ndërkufitare.

Zonja dhe zotërinj, arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë do të ishte transformuese për ekonominë e Kosovës dhe për të gjitha bizneset tuaja sepse do t’ia mundësonte Kosovës të përfitonte plotësisht nga njëra prej përparësive më të rëndësishme krahasuese – qasja në tregun evropian.  Qeveria e vetme nuk mund të sjellë konkurrueshmëri dhe përparim në Kosovë.  Edhe bizneset luajnë rol në këtë.  Si shembuj të suksesit të sektorit privat, anëtaret e Odës ekonomike amerikane në Kosovë mund të luajnë rol të rëndësishëm për shpejtimin e rritjes ekonomike.

Si udhëheqës afaristë, ju e dini se bizneset më të suksesshme nuk janë ato që imitojnë, janë ato që dalin me risi.  Kosovës i duhen më shumë “gazela” – shprehje ekstravagante për ndërmarrjet që sjellin risi, që rriten shpejt dhe krijojnë vende pune dhe që shpesh lëvizin në tregun ndërkombëtar dhe atë vendor në mënyrë agresive.

Do ti përmend dy shembuj, një nga Kosova dhe një nga rajoni.  Në vitin 1991, qeveria e Sllovenisë themeloi projektin kombëtar „Gazela” për të promovuar guximin, risinë dhe suksesin ndërkombëtar të ndërmarrjeve sllovene.

Qeveria sllovene e nisi këtë nismë me konsultime të gjera dhe pastaj bëri reformat dhe miratoi ligjet e duhura për të krijuar mjedis afarist që në mënyrë proaktive mbështeti afaristët inovatorë.  Qeveria i përqendroi veprimtaritë për promovimin e investimit në një agjenci të vetme përgjegjëse për reklamimin e nxitjeve të posaçme të investimeve dhe vendosi skema për ndarjen e shpenzimeve të hartuara për të tërhequr investitorë seriozë për projekte që përfitonin nga përparësitë konkurruese të Sllovenisë. Ato përparësi konkurruese janë: infrastruktura e zhvilluar, shpenzimet e ulëta të zinxhirit furnizues dhe grumbuj të bashkuar të furnizuesve të specializuar.

Një ndërmarrje që arriti të përfitonte nga këto nisma dhe të shtrihej në tregje të reja ishte Mebor.  Ndërmarrja familjare për përpunimin e drurit, e themeluar në 1982-n, ia mësyu rritjes përmes zgjerimit të eksportit duke filluar me tregjet kroate dhe austriake.  Për të konkurruar në sferën ndërkombëtare, Mebor kishte nevojë të investonte në teknologji të re të prodhimtarisë, gjë që edhe bëri.  E rezultati ishte që gjatë pesë viteve pasuese, Mebor dyfishoi të hyrat nga shitja në pothuajse 12 milionë.

Edhe ndërmarrjet në Kosovë kanë pasur sukses të ngjashëm. „Gazelat” e dinë se njerëzit janë kyç në ekzekutimin e strategjisë.  Në Kosovë, distributori i ushqimit Meridian zhvillon talentin përmes partneritetit me disa universitete private dhe shkolla të mesme, të cilat i shfrytëzon për të zbuluar, tërhequr dhe punësuar punëtorë në pozita fillestare.  Përveç kësaj, Meridian merr pjesë në programin për mbështetje jashtë orarit mësimor, ASSET, që financohet nga USAID-i, përmes së cili nxënësit e shkollave të mesme kanë mundësi të përforvojnë dijen e tyre përmes përvojës së njëmendtë pune.  Meridiani gjithashtu investon edhe në edukimin e prijësve të ardhshëm në korporatën e vet duke përzgjedhur staf me potencial për karrierë dhe duke i dërguar ata në një program të certifikuar për menaxhim.

Mund të përmendi edhe shembuj të tjerë, por jemi këtu për ndarjen e çmimeve e jo në një seminar, prandaj ti kthehemi çështjes së ditës.  Edhe njëherë dëshiroj t’ju shpreh urime të gjithë fituesve të çmimeve dhe falënderoj Odën ekonomike amerikane dhe anëtarët e saj për krejt çka bëni për të forcuar lidhjet ndërmjet Kosovën dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.