Fjala e ambasadorit Kosnett mbi Drejtësinë te Lëvizja Fol

Fjala e ambasadorit Kosnett mbi Drejtësinë te Lëvizja Fol, 25 prill 2019

Ju faleminderit për prezantimin, Elbasan dhe ju faleminderit për ftesën për të folur në Lëvizjen Fol.  Jam i nderuar që jam këtu, si përfaqësues i partnerit më të afërt të Kosovës, për ti shprehur mendimet e mia rreth një çështje kaq jetike për të ardhmen e Kosovës: si mund të punojnë institucionet dhe qytetarët së bashku për forcimin e sundimit të ligjit dhe për ta bërë Kosovën shoqëri më të drejtë.

Së pari, ti përkufizojmë shprehjet.  Shpesh flasim për „sundimin e ligjit” në Kosovë dhe mendoj se përkufizimi në fjalor është mjaft i qartë: parimi se të gjithë njerëzit dhe institucionet i nënshtrohen ligjit dhe japin llogari para ligjit, i cili zbatohet e aplikohet në mënyrë të drejtë.

Në demokracitë si SHBA-ja dhe Kosova, hartimi, interpretimi dhe zbatimi i ligjit paraqet përgjegjësinë zyrtare të tri degëve të qeverisjes: legjislativit, gjyqësorit dhe ekzekutivit.  Por, gjithashtu, është përgjegjësi e qytetarëve për të marrë pjesë për të siguruar, ta them sërish— që të gjithë njerëzit dhe institucionet i nënshtrohen ligjit dhe japin llogari para ligjit, i cili zbatohet e aplikohet në mënyrë të drejtë.

Senatori i madh amerikan dhe prokurori i përgjithshëm, Robert Kennedy, e ka thënë këtë gjysmë shekulli më parë në mënyrë më poetike:

„Lavdia e drejtësisë dhe madhështia e ligjit janë krijuar jo vetëm përmes Kushtetutës – as përmes gjykatave – as përmes zyrtarëve të ligjit – as përmes avokatëve – por nga burrat dhe gratë që e përbëjnë shoqërinë tonë, të cilët e mbrojnë dhe mbrohen nga ligji“.

Por, e pranoj se bindja ndaj ligjit paraqet vetëm një element të drejtësisë.  Por, çka mendoj me drejtësi?  Përpiquni të hulumtoni në Google për këtë fjalë, siç e bëra unë gjatë hartimit të këtij fjalimi dhe do të gjeni disa përkufizime të vakëta dhe të padobishme.  P.sh.  „Drejtësia është cilësia e të qenit i drejtë“.

Pra, është e vështirë të përkufizohet „drejtësia“.  E pasi që kam jetuar në shumë vende, kam kuptuar se qëndrimet ndaj drejtësisë shpesh pasqyrojnë në mënyrë të thellë historinë dhe kulturën.

Në disa vende, historia dhe kultura vënë theksin në administrimin e rreptë të ligjeve të shkruara – të hartuara nga legjislatura ose që ndoshta burojnë nga tekstet fetare — për të siguruar drejtësi dhe paanshmëri.  Nga qytetarët pritet ta pranojnë një vendim të gjyqit, madje edhe nëse ai ka ndikim negativ mbi ta.

Në vendet e tjera, njerëzit e shohin ligjin më shumë si mjet që ofron udhëzime të përgjithshme, por nëse gjykata merr vendim kundër tyre, me shpejtësi e shpërfillin atë vendim dhe japin përkufizimin e tyre për drejtësi.  Kjo është shpesh e vërtetë kur një pakicë beson – ndoshta me arsye të mirë – se qeveria nuk iu ofron mbrojte të barabartë sipas ligjit ose madje që ligjet janë shkruar pikërisht për ti shpërfillur ata dhe për t’ju mohuar drejtësi të barabartë.  E në disa vende, njerëzit rriten me idenë se është më e rëndësishme t’ju ofrosh mundësi familjarëve e miqve se sa çfarëdo përgjegjësie ndaj ndonjë ligji abstrakt apo shoqërisë si tërësi.  Do ti kthehem sërish kësaj pike.

Këtu do të ishte e përshtatshme të them se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si republikë shumë më e vjetër se Kosova, ende përpëlitet për të ndërtuar shoqëri ku të gjithë qytetarët dhe banorët mund të besojnë se gëzojnë mbrojtje të barabartë siç parashihet me ligj.  Kushtetuta dhe ligjet tona sigurojnë mbrojtje të barabartë dhe promovojnë mundësi të barabarta – “përpjekja për lumturi”— pa marrë parasysh racën, etninë, religjionin, gjininë, apo orientimin seksual. Por, ne argumentojmë me energji – brenda e jashtë gjykatës – nëse kjo është e vërtetë në praktikë dhe si ti baraspeshojmë interesat konkurrues.

Kështu pra, nuk dua t’ju jap ndjenjën se ndërtimi i shoqërisë së drejtë është i lehtë ose që SHBA-ja i ka të gjitha përgjigjet për këtë çështje.  Por, e kuptojmë rëndësinë e synimit të barazisë siç parashihet me ligj dhe vazhdojmë të luftojmë që ta realizojmë atë.

Le të flasim për Kosovën.  E pranoj se pikëpamja e gjerë e drejtësisë – koncept që përfshin të drejtat dhe mundësitë e barabarta, barazi në mbrojtje sipas ligjit, si dhe bindjen se zyrtarët qeveritarë do ti japin llogari popullit – do të krijonte shpresë për të rinjtë e Kosovës dhe besim në mesin e partnerëve të Kosovës.  Një pikëpamje e tillë për drejtësinë bën që e tërë shoqëria të përfitojë.

Cilat janë përfitimet nëse jetoni në një shoqëri të drejtë me barazi për të gjithë?

Unë besoj se një shoqëri e barabartë është shoqëri më paqësore, ku ka mospajtime, por ku ka mjete të vendosura të pa dhunshme për ti tejkaluar dallimet mes grupeve, si dhe ndërmjet qytetarëve e qeverisë.  Në një shoqëri të drejtë, njerëzit e ndjejnë se ka pasur ndarje të drejtësisë kur kuptojnë si janë marrë vendimet, madje edhe nëse nuk pajtohen me rezultatin.

Në fund, një shoqëri e drejtë paraqet themelet për një shoqëri paqësore e të begatshme.  Një shoqëri e trazuar – një shoqëri pa parashikueshmërinë që e sjell sundimi i ligjit – është vend më pak tërheqës për ndërmarrësi dhe krijim të vendeve të punës.

Së pari, lajmi i mirë. Përderisa Kosova po hyn në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë, ajo ka institucione të afta dhe ligje të shëndosha, që burojnë nga kushtetuta e saj.

Qytetarët kanë më shumë qasje në informata rreth vendimmarrjes nga organet qeveritare se kurdo më parë.  Kosova po lë mbresa në botë si prijëse në rajon në transparencën në prokurimin publik dhe kompensimin e viktimave. E në një lëvizje nismëtare, Kosova ka miratuar ligjin gjithëpërfshirës për sinjalizuesit para Bashkimit Evropian.  Qytetarët kosovarë mund të krenohen me shumëçka në këtë front.

Por, ju mbetet edhe shumë punë, gjithashtu.  Cilat janë sfidat me të cilat përballet Kosova përkitazi me praktikën – jo vetëm teorinë – e drejtësisë?  Dhe si mund institucionet dhe qytetarët e Kosovës ta forcojnë sundimin zyrtar të ligjit dhe zotimin jozyrtar të vendit ndaj drejtësisë?

Më lejoni ti jap disa shembuj për të ilustruar çka po nënkuptoj:  në mënyrë specifike, një rast ku qeveria me dëshirë shpërfill ligjin; një shembull ku vetë ligji ndoshta duhet të rishikohet dhe pastaj një shembull ku qeveria ndoshta ka vepruar ligjërisht, por jo drejtësisht.  E pastaj, për të përgëzuar ku meritohet, do të flas për një organ qeveritar që po i përmbahet drejtësisë.

Ta shqyrtojmë rastin e tokës të Manastirit të Deçanit.  Gjykata Kushtetuese, e cila i merr vendimet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ka konfirmuar pronësinë e Kishës ortodokse mbi disa parcela të tokës.  Por, zyrtarët kadastralë në nivel komunal dhe qendror refuzuan ta zbatojnë vendimin, me mbështetje të nënkuptuar të zyrtarëve të lartë.

Pas një muaji do të shënojmë tri vjet prej kohës kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për këtë rast pa asnjë fije përparimi në zbatimin e tij.  E përderisa disa prej jush ndoshta nuk mendoni se duhet të shqetësoheni për çështjet me të cilat përballet Kisha ortodokse serbe, duhet ti kushtoni vëmendje këtij rasti nëse besoni në barazi dhe në sistem të drejtësisë për të gjithë qytetarët.  Kur vjen koha që ju vetë të llogaritni në një vendim të gjykatës, a do të mund ta bëni këtë, kur qeveria i shpërfill disa vendime e i zbaton të tjerat?

Drejtësia – ajo drejtësi që i mbron të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë – kërkon njëtrajtshmëri dhe parashikueshmëri dhe agjencitë qeveritare e kanë obligim ti respektojnë e zbatojnë vendimet gjyqësore.  Kur respektohet sundimi i ligjit, vendimet e gjykatave nuk i nënshtrohen negociatave apo interpretimeve personale.

Të kalojmë te një shembull i ligjit të hartuar me qëllim të mirë, por që është penguar nga politika: ndryshimi i Ligjit të vitit 2014 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së dhe viktimave civile, me të cilin ju jepet status zyrtar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.  Me mbështetjen e prijësve, si ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe Dr. Feride Rushitit, si dhe përmes dëshmive të guximshme të të mbijetuarve si Vasfije Krasniqi Goodman dhe të tjerave, të mbijetuarit kanë filluar të dalin hapur 20 vjet pas luftimeve.  Dhe ato kanë merita të jashtëzakonshme që e kanë kthyer një ide të rëndësishme në ligj.  Por, ky amendament i është bashkëngjitur një statuti ekzistues, me të cilin refuzohet dhënia e statusit personave që janë prekur pas qershorit të vitit 1999.

Organizatat që punojnë me të mbijetuar e kanë qartësuar këtë gjatë kohës kur është miratuar ky ligj.  Por, a i kanë dëgjuar deputetët e Kuvendit, ata që e kanë hartuar dhe votuar këtë ligj, personat që preken më së shumti nga ky ligj apo nga ekspertët e fushës?  A mund të bindet Kuvendi për ta ndryshuar ligjin, që ai t’ju shërbejë të gjitha viktimave?  E ngjashëm, a do t’ju japë Kuvendi të mbijetuarve të dhunës seksuale të njëjtat përfitime sociale dhe financiare si veteranëve të vërtetë e të rremë të UÇK-së, numri i të cilëve është rritur jashtëzakonisht shumë në mënyrë të dyshimtë?

E pastaj është çështja e emërimit politik të udhëheqjes së pakualifikuar të Agjencisë kosovare për verifikimin dhe krahasimin e pronës. Emërimi i një personi të pakualifikuar, të cilit nuk i besojnë të gjitha komunitetet se do ta zbatojë ligjin, siç ka bërë Kuvendi në këtë rast, shpreh mosgatishmërinë për ti përmbushur vlerat e lirisë dhe barazisë, mbi të cilat është themeluar ky vend.

Dhe të jemi të sinqertë: ka shumë raportime në Kosovë për njerëzit që marrin vende pune apo emërohen në pozita qeveritare, që nuk janë kandidatët më të kualifikuar, por janë të lidhur me njerëz me ndikim.

E di se disa kultura besojnë që është më e rëndësishme t’ju japin mundësi familjarëve e miqve se sa të përmbushin synimin abstrakt siç është ofrimi i mundësive të barabarta.  Një anketë e kohëve të fundit vuri në pah se vetëm rreth 20 për qind të të anketuarve besonin se meritat janë çelës për mundësi në Kosovë.  Kjo nuk është rruga drejt përparimit.

Më lejoni të baraspeshoj këta shembuj me një shembull më pozitiv.  Në Ministrinë e Pushtetit Lokal, shërbyes civilë të guximshëm janë përkushtuar që do të vënë në punë praktika për punësim bazuar në përvojën dhe kualifikimet e jo në lidhjet politike. Them që këta shërbyes civilë janë të guximshëm sepse përkushtimi i tyre ndaj sundimit të ligjit ka nxitur presion të madh politik, madje edhe përpjekje për ti frikësuar.  E megjithatë, transparenca dhe llogaridhënia gjatë punësimit janë pikërisht arsyet pse donatorët kanë rritur mbështetjen e tyre, duke vënë më shumë resurse në dispozicion për grante komunale.

Me këtë respektim të sundimit të ligjit drejtpërdrejtë po përfitojnë qytetarët e shumë komunave, e jo vetëm një grusht i politikanëve të fuqishëm e të pasur në Prishtinë.  Kjo ilustron konceptin e gjerë të drejtësisë që po e përshkruaj: që i vë përpara të drejtat e qytetarëve mbi interesat e ngushtë të një pakice të privilegjuar. Një koncept ku qeveria – në nivelin qendror dhe komunal – vepron pas miratimit të ligjeve nga Kuvendi për të siguruar që ligjet njëmend zbatohen plotësisht dhe drejt.

Duke përqafuar drejtësinë e bazuar në të drejta dhe mundësi të barabarta, sundim të ligjit dhe llogaridhënie për të gjithë qytetarët e Kosovës, mund të siguroni që Kosova të ketë të ardhme të ndritshme. Një të ardhme ku njerëzit arrijnë sukses me meritë dhe talent. Një të ardhme ku të gjithë qytetarët— gratë, grupet jo-shumicë, pjesëtarët e komunitetit LGBTI dhe personat me aftësi të kufizuara, gëzojnë mundësi të barabarta.  Një të ardhme ku askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë personi nuk i mohohet mbrojtja sipas ligjit.

Unë besoj se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës luajnë rol konstruktiv në ndriçimin e shkeljeve të drejtësisë si dhe të hapave pozitivë, siç ka bërë qeveria amerikane dhe të tjerat qe sa kohë.  Ne do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë.  Pritni që të dëgjoni së shpejti rreth mënyrave se si mund të sigurojmë që ata që përfshihen në korrupsion ose krim të organizuar të përballen me pasoja për sjelljen e tyre korruptuese.  Por, përgjegjësia kryesore për të siguruar drejtësi në Kosovë duhet ti bie popullit të Kosovës, individualisht dhe kolektivisht.

Ti kthehemi organizatave të shoqërisë civile, si ato që përfaqësohen sot, të cilat po arrijnë përparim si mbikëqyrës dhe avokues për qytetarët e Kosovës.  Por, me gjithë atë përparim të arritur, ju mund të bëni edhe më shumë duke shumëfishuar ndikimin e përpjekjeve tuaja përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm e të bashkërenditur.

P.sh., ishte një grup i shoqërisë civile, një organizatë rinore ndëretnike, që na njoftoi për emërimin politik të lidershipit të pakualifikuar në Agjencinë për verifikimin e pronës që e përmenda më herët.  Por, kur ambasada amerikane dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë folën publikisht kundër këtij punësimi, pse organizatat e shoqërisë civile nuk i përforcuan shqetësimet e të rinjve?

Dhe ku ishte media në këtë rast?  Roli i saj është thelbësor në çdo demokraci dhe ajo mund të jetë aleate e fuqishme e organizatave të shoqërisë civile.  Gazetarët luajnë rol jetik për të siguruar drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.  Për ta bërë këtë, ata duhet të mbrohen nga presioni apo kërcënimi i padrejtë.  Gazetaria e sinqertë nuk nënkupton sajim të rrëfimeve apo shpërndarje të thashethemeve të pabesueshme për të shitur gazeta apo mbledhur klikime: nënkupton ndriçim të guximshëm të rasteve të, nxjerrje në pah të diskriminimit, pabarazisë dhe kërkim llogarie.  Nënkupton raportim të storieve që do ti ndihmojë komuniteteve shumicë për ti kuptuar çështjet me të cilat përballen pakicat dhe grupet e tjera të cenueshme.  Mediet luajnë rol për të siguruar që ata që nuk preken nga padrejtësia janë po aq të acaruar sa ata që preken.

Në fund – dhe e kam ruajtur pikën më të rëndësishme për fund – çdo qytetar si individ luan rol në respektimin e sundimit të ligjit.

Kërkoni më shumë nga zyrtarët tuaj të zgjedhur.  Vendosja e demokracisë në Kosovë ishte e arritur e hatashme; mos e merrni për të qenë.  Votoni.  Shkruani.  Ngriteni zërin.  Demonstroni në mënyrë paqësore.

Kërkoni që çdo politikan, polic, prokuror e gjykatës ti përmbushë përgjegjësitë e tij apo të saj për të siguruar drejtësi në mënyrë të barabartë, të drejtë dhe me nder.

Angazhohuni në proceset formale ligjore, edhe nëse kërkojnë më shumë kohë e përpjekje.  Investoni në institucionet e drejtësisë dhe kërkojuni llogari për tu siguruar që i jetësojnë idealet e mishëruara në Kushtetutën e Kosovës, në shtyllën e shoqërisë suaj të pasur e shumetnike.

Në fund, pritni nga bashkëqytetarët tuaj për ta ndërtuar një shoqëri të drejtë.

Ju faleminderit për vëmendje dhe po shpresoj të kemi diskutim të hapur e të sinqertë për këto çështje.  Më lejoni ta mbylli me një citat nga një hero amerikan, Martin Luther Kingu:

„Padrejtësia kudo paraqet kërcënim për drejtësinë çdokund. Jemi të zënë në rrjetin e pashmangshëm të reciprocitetit, të ndërthurur në një cohë të vetme të fatit.”