Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë shënimit zyrtar të fillimit të punës së Njësitit kundër mashtrimit

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë shënimit zyrtar të fillimit të punës së Njësitit kundër mashtrimit pranë Zyrës Kombëtare të Auditimit, 19 mars 2019

Mirëdita.  Z. Osmani,  zonja dhe zotërinj.

Fjalët “auditim” dhe “më se i lumtur” ndoshta nuk shfaqen shpesh në të njëjtën fjali, por më duhet të them se jam më se i lumtur që jam këtu për të shënuar fillimin zyrtar të Njësitit kundër mashtrimit brenda Zyrës Kombëtare të Auditimit.  Jam më se i lumtur sepse kjo zyrë është shembull i gjallë se se drejtësia dhe përparimi ndërthuren – se si një sistem efektiv i kontrollit mbi qeverinë vë themelet për përdorimin efikas të resurseve të Kosovës për të ndërtuar bazën për përparim më të madh dhe për paqe.

Dëshiroj t’ia filloj duke i shënuar të arriturat e Zyrës së Auditimit për ekzekutim besnik të auditimeve financiare dhe të performancës, sipas mandatit nga Kushtetuta.  Më lejoni t’ua jap një shembull:

Në vitin 2016, Zyra e Auditimit gjeti se Komuna e Leposaviqit dhe Thesari kishin paguar dy herë për punën e njëjtë të riparimit të një rruge.  Departamenti i Thesarit, për lëvdatë, e korrigjoi gabimin dhe i riktheu 86.000 euro nga kontraktuesi.

Përkundër këtij dhe sukseseve tjera, shumë institucione të Kosovës thjeshtë nuk po e bëjnë punën e tyre për të vepruar ndaj të gjeturave të Zyrës së Auditimit.  Më vjen keq ta them se vetëm 1/3 e rekomandimeve janë shqyrtuar gjatë viteve të fundit.  Problemi qëndron në atë se Kushtetuta i jep të drejtën kësaj zyre për ti audituar agjencitë qeveritare, por nuk ka ndëshkim nëse ato agjenci nuk i pranojnë të gjeturat. Madje edhe Kuvendi i Kosovës, që e mbikëqyr Zyrën e Auditimit dhe është shfrytëzuesi kryesor i raporteve të saj, është bashkëfajtor në këtë shpërfillje.

Me themelimin e Njësitit kundër mashtrimit, Zyra e Auditimit po dërgon porosinë se nuk do të zmbrapset; përkundrazi po i shton përpjekjet për ta vënë në dukje korrupsionin dhe mashtrimin.  Në fakt, edhe pse sot po shënojmë zyrtarisht fillimin e punës së Njësitit, ai ka qenë aktiv qe sa muaj dhe tashmë ka shënuar disa suksese.  Deri tani, Njësiti ka zbuluar 38 raste të mundshme të mashtrimit bazuar në auditimin e vitit 2017.  Ky është fillim premtues në një kohë kur qytetarët e Kosovës kanë nevojë që institucionet t’ju dëshmojnë se nuk kanë asgjë për të fshehur nga njerëzit.

Sepse kosovarët meritojnë të kenë udhëheqës dhe institucione që përqafojnë plotësisht llogaridhënien dhe transparencën.  Qeveria ime, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ofruar ndihmë teknike dhe duke i bashkuar hisedarët, me krenari e ka përkrahur misioni e Zyrës së Auditimit.  Por tani, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të Kosovës së pavarur, ka ardhur koha që udhëheqësit dhe institucionet kosovare të marrin pishtarin dhe të marrin përgjegjësinë për zbatimin e ligjit.

Prandaj, i bëj thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë për ti siguruar Zyrës së Auditimit ndihmën jetike për zbatimin e ligjit.

Si dhe iu bëj thirrje qytetarëve dhe  shoqërisë civile që të vazhdojnë të angazhohen për këto çështje për tu siguruar se korrupsioni nuk ka vend ku të fshihet dhe që nga udhëheqësit kërkohet që të standardet më të larta.

Por, mbi të gjitha, iu bëj thirrje zyrtarëve të lartë të Kosovës për të siguruar se institucionet qeveritare i binden dhe e zbatojnë ligjin dhe e bëjnë pjesën e tyre për të krijuar një kulturë ku korrupsioni dhe miqësia janë gjëra të të kaluarës.

Më lejoni ta mbyll me fjalët e presidentit amerikan, Theodore Roosevelt: “Një njeri i korruptuar, një njeri që pranon korrupsionin te të tjerët, kurrsesi nuk mund ta kryejë punën e tij ndaj komunitetit”.