Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë shënimit të përfundimit të Programit për bursa dhe partneritet i Lidershipit Transformues

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë shënimit të përfundimit të Programit për bursa dhe partneritet i Lidershipit Transformues, 18 qershor 2019

Mirëmbrëma të gjithëve. Kam kënaqësinë që jam këtu për të kremtuar Programin për lidership transformues. Të diplomuarit nga PLT kanë luajtur dhe do të vazhdojnë të luajnë rol kryesor për prosperitetin e Kosovës – prioritet themelor i misionit amerikan këtu në Kosovë dhe tema kryesore e këtij fjalimi sot.

Vitin e kaluar, kur erdha në Kosovë, u befasova nga të arriturat prej misionit tim të parë këtu në 2003-n – jo vetëm nga përparimi fizik, si rrugë të reja dhe infrastrukturë të re të teknologjisë informative, por me të arriturat e një gjenerate të re të qytetarëve të edukuar e energjikë. Të diplomuarit nga ky program janë shembull i prijësve të ri të Kosovës. Falë bursave të PLT-së, gati 300 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë kthyer me diploma të avancuara dhe tani vazhdojnë të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Ja disa shembuj:

Liza Gashi, e diplomuar për administratë publike nga Universiteti Shtetëror i Arizonës me bursë nga PLT-ja themeloi Germin – një OJQ që shfrytëzon ekspertizën e diasporës për të avancuar zhvillimin dhe diplomacinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Valmir Ismaili dhe përfitues të tjerë përmes PLT-së themeluan Democracy Plus, grup prijës i shoqërisë civile që përqendrohet në qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit.

Të diplomuarit përmes PLT-së gjithashtu themeluan VentureUP, qendër dhe inkubator ndërmarrësie që po ju ndihmon qindra studentëve për ti kthyer ëndrrat e tyre për ndërmarrje të sapo-themeluar në realitet.

Suksesi i PLT-së përfshin edhe nisma institucionale, e jo vetëm individuale. Përmes PLT-së, Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Arsimit lidhën partneritet të ngushtë me universitetet amerikane, ndihmuan në shkëmbimin e stafit dhe nisën qendra për kërkim dhe zhvillim të karrierës për t’ju dhënë hov resurseve për studentë dhe universitet. Shpresoj që qeveria e Kosovës do ta marrë udhëheqjen për të siguruar qëndrueshmërinë e këtyre investimeve dhe partneritetit në mbështetje të arsimit të lartë.

Edhe pse më kanë ftuar këtu sonte për të shënuar përfundimin e kompontentës së bursave dhe partneritetit të PLT-së, më me dëshirë e shoh këtë ngjarje si kremtim: kremtim të fillimeve të reja përderisa ecni përpara për të transformuar potencialin e Kosovës në ide të mëdha dhe lëvizje të njëmendtë përpara. Ju jeni shembuj të mirë për ata që vijnë pas. Të gjithë të diplomuarit përmes PLT-së që jeni në sallë: ju lutem, ngriteni dorën. E tani, një duartrokitje për të arriturat tuaja.

Tani që ju frymëzova, të flasim për sfidat me të cilat do të përballeni në ndërtimin e të ardhmes ekonomike të Kosovës – dhe si Kosova mund ti tejkalojë ato.

Më lejoni t’ia filloj duke folur se çka nuk do ta vë ekonominë e Kosovës në shteg më pozitiv – të menduarit magjik për investime të huaja. Kur njerëzit më pyesin pse ndërmarrjet amerikane nuk hapin fabrika në Kosovë sepse kosovarët e duan SHBA-në apo pse qeveria amerikane nuk i urdhëron ndërmarrjet për të hapur fabrika, jam unë ai që duhet ti jap lajmet e këqija. Amerikanët që kanë njohuri për Kosovën e kanë po atë respekt dhe dashuri për këtë vend siç ndjenjë kosovarët për SHBA-në. Por, biznismenët do të investojnë kur dhe ku ka kuptim për biznes, pikë.

Investimet e huaja kanë rëndësi dhe do të flas edhe si ta bëni Kosovën vend më tërheqës për investime. Por, dëshiroj të flas si ta bëni Kosovën mjedis më të mirë për ndërmarrësinë vendore. Gjatë shtatë muajve të fundit, kam folur me ekonomistë e udhëheqës të bizneseve, me studentë e gazetarë, për të kuptuar më mirë çka nevojitet për ta kthyer potencialin në Kosovë në prosperitet. Njerëzit vazhdimisht i përmendin tri gjëra kyçe për çbllokimin e potencialit të Kosovës.

E para, përshpejtimi i zhvillimit të sektorit privat. Ekonomistët dhe ndërmarrësit vazhdimisht e theksojnë nevojën për mjedis më miqësor për afarizëm në Kosovë. Kur bizneset lulëzojnë, ato krijojnë vende pune dhe pasuri – dhe shpresë për të ardhmen. Për të lulëzuar, bizneset kanë nevojë për parashikueshmëri. Për të nxitur rritjen, ju duhet furnizim i sigurt me energji elektrike dhe qasje në kapital.

Atyre gjithashtu ju duhen punëtorë me shkathtësi të duhura për të pasur sukses në shekullin e XXI-të. Drejtuesja e një ndërmarrjeje të suksesshme në veshmbathje dhe drejtuesi i një ndërmarrjeje të ndërtimtarisë më kanë folur për të njëjtën gjë. Ata më kanë folur për shpërputhjen në mes të asaj çka mësojnë të rinjtë në shkolla dhe shkathtësive të nevojshme për biznes. Pronari i një biznesi të TIK-ut përshkroi vështirësitë për të gjetur kandidatë të mirë me njohuri të përgjithshme dhe shkathtësi bazë për vend të punës.

Kjo sfidë nuk është unike për Kosovën. Edhe në SHBA punëdhënësit ankohen se ka më shumë të diplomuar në drejtësi e ekonomi se sa studentë të përgatitur për karrierë si teknikë dhe zejtarë. Pra, nuk është kështu vetëm në Kosovë.

Për ta tejkaluar këtë hendek në Kosovë, qeveria duhet të fokusohet për t’ju ofruar të rinjve mundësi për ti zhvilluar shkathtësitë e duhura për vendet e punës tash dhe në të ardhmen. Kjo do të thotë reformë të sistemit arsimor dhe mënjanim të ndikimit të politikës në sektorin e arsimit. Partneriteti publik-privat dhe lidhjet me universitete të huaja, në mënyrë të ngjashme si përmes PLT-së, gjithashtu mund të ndihmojnë për shfrytëzimin e resurseve, sjelljen e ideve të reja dhe nxitjen e inovacionit në mesin e gjeneratës së ardhshme të Kosovës.

Kërkesa e dytë e gjerë për prosperitet është drejtësia, më saktë të drejtat dhe mundësitë e barabarta, barazia para ligjit dhe besimi i publikut se zyrtarët qeveritarë do të japin llogari para popullit dhe ligjit.

Barazia para ligjit përbën faktor të madh për ndërmarrjet kur vendosin ku të investojnë. Ato duhet të kenë besim se gjykatat do ti zgjidhin rastet shpejt e me drejtësi. Ato duhet të dinë se nuk do t’ju kërkohet ryshfet dhe të kenë besim në proceset administrative e të mos kërkojnë trajtim të posaçëm bazuar në kë e njohin. A mund të themi sinqerisht se këto kushte janë përmbushur në Kosovë?

Drejtësi nënkupton t’ua mundësosh më shumë grave ti bashkohen tregut të punës dhe t’ju jepen të njëjtat gjasa për sukses si meshkujve. Gjithashtu, nënkupton mospërzierje të politikës në procesin e punësimit. Njerëz briliantë po e lënë Kosovën sepse nuk mund të gjejnë punë nëse nuk i takojnë partisë apo familjes së duhur e shumë të tjerë po e shqyrtojnë ikjen.

Edhe vende të tjera janë përballur me probleme të ngjashme dhe i kanë tejkaluar ato. Ta marrim si shembull Estoninë. Pas pavarësisë, Estonia përshpejtoi reformën e plotë të sistemit ligjor, mundësoi zbatimin e ligjeve të reja dhe i dha goditje korrupsionit. Ndër të tjera, Estonia bëri edhe përditësimin e ligjeve për pronë private dhe garancitë ligjore për të tërhequr investime.

Si rezultat i këtyre reformave, së bashku me planin afatgjatë për rritje dhe investime produktive, Estonia vazhdimisht është ndër vendet më transparente dhe më pak të korruptuara në botë. Gjithashtu, renditet lart përkitazi me lirinë ekonomike dhe lehtësinë për të bërë biznes – të gjitha këto kushte tërheqëse për investitorë të huaj.

Kosova është duke i ndërmarrë disa hapa të duhur fillestarë, por duhet të bëjë më shumë. Kosova ka ligje të mira, por ato duhet të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme. Gratë po bëjnë përparime në fushat që tradicionalisht dominohen nga meshkujt, por ato ende përbëjnë vetëm 20 përqind të fuqisë punëtore, duke e privuar vendin nga talenti i tyre shumë i nevojshëm. Organizatat e shoqërisë civile me sukses po i monitorojnë veprimet e qeverisë, por ato duhet të punojnë bashkërisht për të pasur ndikim më të madh. Qeveria duhet ta trajtojë shoqërinë civile si partnere në ndërtimin e kulturës së transparencës – e jo si kundërshtare, të cilës duhet ti shmanget apo ta injorojë. E qytetarët duhet vazhdimisht të angazhohen dhe informohen dhe t’ju kërkojnë zyrtarëve të zgjedhur llogari për veprimet e tyre.

Në fund, besoj se kërkesa e tretë kryesore për prosperitetin e Kosovës është paqja. Paqe mes komuniteteve brenda Kosovës, si dhe paqe me fqinjët tuaj. Me “paqe” nuk mendoj vetëm këtë lloj të armëpushimit të nderë e të tendosur që ekziston sot në rajon. Më pëlqen një citat nga filozofi holandez Baruch Spinoza:

Paqe do të thotë më shumë se të mos ketë luftë. Është virtyt, gjendje shpirtërore, prirje për dashamirësi, mirëbesim, drejtësi”.

Globalisht, gjatë 60 viteve të fundit, rritja për kokë banori ka qenë tri herë më e madhe në vendet në paqe se sa në lokacionet me prirje për konflikt.

Irlanda e Veriut është shembull se sa ngushtë janë të lidhura paqja dhe prosperiteti. Në fillim të viteve 1990, komuniteti afarist i Irlandës së Veriut filloi të flasë se si konflikti i vazhdueshëm në shkallë të ulët po ia zinte frymën investimeve dhe po nxiste emigrimin. Duke vënë në pah argumentin për “dividendën për paqe”, bizneset nxitën procesin e paqes, përkundër trazirave dhe plogështisë politike.

Pas armëpushimit të gushtit 1994, ideja për “dividendë për paqe” u përligj: turizmi pati rritje prej 20 përqind, papunësia ra në nivelin më të ultë në 14 vjet. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, bizneset kremtuan investime të reja kapitale prej 48 milionë dollarë. E gjatë dhjetëvjeçarit pasues, Irlanda e Veriut ia tejkaloi rajonit sa i përket rritjes së shkallës së punësimit duke hapur 100.000 vende të reja pune. Imigrimi në shkallë të vogël u ngadalësua, e pastaj u kthye së prapthi kur individë nga vendet e tjera të BE-së filluan të vijnë në vend për të marrë pjesë në prosperitetin e sapogjetur të vendit.

Paqja e njëmendtë do të mund të jetë transformuese për ekonominë e vendit. Përmes pajtimit, edhe Kosova ka gjasa të bëjë që vlera e saj më e madhe – kapitali njerëzor – të mos e kërkojë të ardhmen diku tjetër.

Nuk dua t’ju lë sot duke menduar se ndërmarrjet nuk mund të arrijnë sukses pa pasur drejtësi dhe paqe të përsosur për Kosovën dhe fqinjët e saj.

Në Kosovë ka ndërmarrje që kanë përparuar – ndërmarrje si Gjirafa në sektorin e TIK-ut, Solid Shoes në veshmbathje, si inovatori FORMON në shtypje 3D, si dhe Elnor në përpunim të drurit. Ata kanë arritur sukses përkundër sfidave në Kosovë, duke u mbështetur në punën e mundimshme dhe inovacionin – e jo vetëm në investime të jashtme – për të ardhur deri aty ku janë sot.

Prandaj, zonja dhe zotërinj, gjendja nuk është e pashpresë. Si qytetarë, mund të kërkoni drejtësi dhe qeveri të hapur, si dhe mund të punoni për ta përmbushur qëllimin e paqes. Si udhëheqës në biznes, mund të vazhdoni ta forconi kulturën sipërmarrëse të Kosovës. Kur takohem me udhëheqës të rinj si ju, besimi im në të ardhmen e Kosovës veçse thellohet. E e ardhmja fillon këtu.