Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë rihapjes së Këndit Amerikan në Prishtinë

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë rihapjes së Këndit Amerikan në Prishtinë, 30 janar 2020

Përshëndetje të gjithëve,

Kam kënaqësinë që jam këtu për të përuruar përsëri Këndin amerikan në Prishtinë.  Do të gaboja po të mos e falëndereroja drejtorin Fazli Gajrakun, drejtorinë e Bibliotekës Kombëtare, stafin tonë të palodhshëm të Këndit Amerikan, Durimin, Fitoren, Gresën, si dhe kontraktuesit për punën e shkëlqyeshme në transformimin dhe modernizimin e Këndit tonë.

Tani kemi një Kënd amerikan që është simbol i vlefshëm i marrëdhënies ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.

Këndi amerikan tashmë ishte burim i dobishëm për ju me mbi 65000 vizitorë vetëm gjatë vitit të kaluar.  Gjithë ata vizitorë prej vitit 2003 kur u hap Këndi amerikan kanë lënë gjurmët e tyre në këtë hapësirë.  Të themi se Këndi amerikan filloi të dukej “pak si tepër i dashur”.  Ishte koha për rifreskim.

Siç do ta shihni kur të hyni brenda, Këndi jo vetëm që duket më mirë, por edhe është zgjeruar.  Kemi shtuar hapësirën digjitale për klube, debate dhe veprimtari teknologjike.  Dizajni i ri, më i përshtatshëm i sallës kryesore mundëson mbajtjen e veprimtarive më të mëdha e hapësira vetëkrijuese është pajisur për veprimtari STEAM (shkencore, teknologjike, inxhinierike, artistike dhe matematikore), si ndërtimi i robotëve dhe të mësuarit si të punohet me “internetin e gjërave”.  Nëse nuk e dini çka do të thotë kjo, ju lutem ejani në njërën nga punëtoritë dhe do ta mësoni.  Ndoshta do t’ju bashkohem në njërën nga punëtoritë robotike.

Këndi amerikan është vend ku kosovarët mund të mësojnë për vlerat, traditat dhe kulturën amerikane.  Kjo gjë nuk ka ndryshuar me këtë renovim.  Por, Këndi amerikan është gjithashtu vend për të punuar bashkë në trajnime, punëtori dhe veprimtari tjera praktike ku mund të mësoni shkathtësi të reja.

Ky renovim në vlerë 100.000 dollarë është investim i përbashkët me Bibliotekën Kombëtare. E çmojmë partneritetin e vazhdueshëm me të.  Gjithashtu, falënderojmë Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e renovimit.  Renovimi i Këndit amerikan ruan trashëgiminë e rëndësishme kulturore të ndërtesës ikonike të bibliotekës të dizajnuar nga Andrija Mutnjakovic, njëkohësisht duke e bërë atë burim më të vlefshëm për të gjithë përdoruesit.

Në emër të tërë personelit të ambasadës amerikane, ju uroj mirëseardhje në Këndin amerikan të sapopëruruar.  Të gjithë ne nga ambasada presim me padurim për t’ju parë në punëtori, klube dhe biseda dhe e dimë se do të kaloni shumë orë të lumtura dhe produktive këtu.