Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë pritjes për nder të 4 Korrikut, 4 korrik 2019
Zonja dhe zotërinj, mirëmbrëma. Jam më se i lumtur që në emrin tim, të bashkëshortes sime Alison Kosnett dhe tërë komunitetit të ambasadës amerikan ju pres të gjithëve në kremtimin e përvjetorit të 243-të të pavarësisë së Amerikës. Nuk mund të mendoj mënyrë më të mirë për ta kaluar ditëlindjen tonë se sa me disa prej miqve më të ngushtë të Amerikës, popullin e Republikës së Kosovës.
Kam nderin që e ndaj skenën me presidentin Hashim Thaçi dhe me njërin ndër përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës, z-tin Eliot Engel, kryesuesin e Komisionit të Kongresit për punë të jashtme. Me ne është edhe z. Tad Dejvis, drejtor i Byrosë së Departamentit të Shtetit për veprimtari ndërtimore jashtë vendit, i cili foli në emër të Sekretarit të Shtetit Pompeo pak më herët gjatë ceremonisë së përurimit të kësaj ndërtese të re të mahnitshme të ambasadës. Kjo ambasadë, e dizajnuar dhe e ndërtuar nga amerikanët dhe kosovarët që kanë punuar së bashku, është më shumë se veç një ndërtesë afariste. Është simbol i përkushtimit të Amerikës ndaj partneritetit të qëndrueshëm me Kosovën.
Gjithashtu, i urojmë mirëseardhje pjesëtarëve të komunitetit kosovar-amerikan që punon aq shumë për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona. Mysafirët tanë kosovarë përfshijnë nja njëmijë aktivistë të shumë fushave, që i përfaqësojnë të gjitha komunitetet e Kosovës dhe që pasqyrojnë vitalitetin dhe larminë e Kosovës së sotshme.
Alisoni dhe unë jemi kthyer këtu vitin e shkuar dhe prej atëherë shpesh më pyesin çka ka ndryshuar në Kosovë që nga koha kur isha për herë të parë me detyrë këtu në Prishtinë para 15 viteve. Si përgjigjem? Duke treguar kah gjenerata në ngritje e kosovarëve të talentuar e energjikë që mund të kenë sukses kudo në botë, por që kanë zgjedhur ta ndërtojnë të ardhmen këtu.
Ndërmarrësit si Zorica dhe Isak Vorguçiq, pronarët e birrarisë Pivxhan dhe pionierët e teknologjisë si Mërgim Cahani, prijësi vizionar i Gjirafës, i cili filloi revolucion në tregtinë lokale përmes internetit. Mbrojtësit e drejtësisë si Bekim Blakaj, drejtori ekzekutiv i Qendrës Humanitare të Drejtësisë në Kosovë, një luftëtar i fuqishëm për viktimat e krimeve të luftës. Gazetarët si Tatjana Llazareviq e KoSSevit, që lufton për gazetari të vërtetë edhe pse përballet me presionin e madh.
Përkrahëset e grave, si Elvira Dushku e Federatës së Basketbollit të Kosovës, puna e së cilës për të përfshirë më shumë vajza në sport ka bërë që qindra vajza të mësojnë për punën ekipore dhe shkathtësi të udhëheqjes. Dhe artistët si Leutrim Fishekqiu, i cili po sjell art bashkëkohor me teknologji më të re në Kosovë dhe mbështet rininë përmes festivalit të tij të ri, Autostrada Bienale.
Pra, ngjarja e kësaj mbrëmjeje nuk është vetëm kremtim i Amerikës, por edhe i aftësisë dhe besimit të Kosovës së tashme.
Përveç ushqimit të parapëlqyer të shpejtë amerikan të shërbyer nga përfaqësitë kosovare, do të kemi edhe ushqim organik të vendit të përgatitur në restorantet në pronësi të dy kosovareve të talentuara. Të gjitha pijet – vera, birra e vendit dhe lëngjet – janë të prodhuara në Kosovë, disa nga bizneset e pakicave. E muzika na vjen nga dy grupe të mahnitshme, String String dhe Gipsy Groove, që pasqyrojnë gjallërinë e skenës muzikore vendore. Prandaj, le ti falënderojmë kuzhinierët dhe muzikantët, si dhe tërë stafin e ambasadës, kontraktuesit dhe sponsorët, puna e mundimshme dhe bujaria e të cilëve e mundësuan këtë mbrëmje.
Përderisa Kosova ka hyrë në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë, natyrisht ajo përballet me sfida. Si në çdo vend, i dëgjoj kosovarët duke shprehur shqetësimin për të ardhmen. Por, sonte ju nxis të ndjeheni krenarë për përparimin e arritur – tejkalimin e trashëgimisë së konfliktit dhe privimit për ta filluar punën e mundimshme të ndërtimit të një kombi të ri. Kosova nuk është vendi i parë që ka dalë nga një lindje e turbullt. Dhjetëvjeçari i parë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës në vitin 1776 – këtë akt që e festojmë sonte – ishte i rrezikshëm. Kombi ynë i ri ishte nën kërcënim. Të 13 shtetet e reja federale shpesh nuk pajtoheshin me njëra-tjetrën se si të vazhdonin rrugëtimin.
Vetëm në dhjetëvjeçarin e dytë, me hartimin e kushtetutës dhe përkushtimit ndaj unitetit kombëtar, Amerika filloi ta merrte veten. Madje edhe sot vazhdojmë të përpëlitemi të ndërtojmë atë që etërit themelues e quajtën “bashkim më i përsosur”.
Qytetarë të Kosovës, amerikanët kurrë nuk i ndalojnë përpjekjet për të ardhme më të mirë, e as ju nuk duhet të ndaleni. Kam besim të plotë në aftësinë e prijësve dhe qytetarëve të këtij vendi të madh për ta vazhduar përparimin. Për ta çliruar energjinë e sektorit tuaj privat. Për ta luftuar korrupsionin dhe për ta forcuar sundimin e ligjit. Për të ndërtuar mirëbesimin ndërmjet komuniteteve. Dhe për të gjetur rrugën për tu kthyer në tryezën e negociatave me Serbinë, për të ndërtuar paqe të qëndrueshme.
E mbi të gjitha, kam besim se nuk do ta merrni për të qenë këtë demokraci për të cilën keni luftuar shumë prej jush. Çdo qytetari të Kosovës i them: zëri juaj ka rëndësi. Ngriteni zërin lart.
Do ta mbyll fjalimin me fjalët e mbrojtësit të madh amerikan të të drejtave civile, Brajan Stivenson:
„Nuk e ndryshoni botën vetëm me ide në kokë. E bëni atë me besim të plotë në zemër“.