Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë pritjes me rastin e Vitit të Ri ortodoks

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë pritjes me rastin e Vitit të Ri ortodoks, 29 janar 2020

Zonja dhe zotërinj, mirëdita. Alisoni dhe unë jemi të lumtur që po ju mirëpresim për të shënuar fillimin e vitit të ri. Për disa prej jush kjo është hera e parë që jeni me ne në ambasadën tonë të re, të cilën e konsiderojmë manifestim të përkushtimit të Amerikës ndaj Kosovës dhe vendtakim për njerëzit nga të gjitha komunitetet.

Përderisa bëjmë plane për vitin e ri, ma merr mendja që të gjithë jemi duke reflektuar për gjendjen e Kosovës dhe, marrë parasysh ngjarjet e fundit politike, gjendjen e demokracisë së Kosovës. Më lejoni t’i shprehi disa mendime të mia.

Së pari, besoj se rezultati i 6 tetorit tregon se edhe pse votuesit e Kosovës mund të jenë të ndarë rreth partive që i përkrahin, ekziston një etje e madhe për ndryshim: veçanërisht për përparim në ekonomi, arsim, drejtësi, që do të trasojë rrugën për të ardhme më të mirë. E kemi parë këtë etje për përparim edhe në nivelin e lartë të interesimit në nismat e udhëhequra nga SHBA-ja për të rigjallëruar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sido që të formohet qeveria e re, është me rëndësi që të gjithë prijësit politikë të vendit – qofshin në opozitë a në qeveri – të respektojnë këtë dëshirë të fortë të publikut për qasje të freskët.

E dyta, demokracia nuk është sport për shikuesë. Që çdo demokraci të funksionojë, qytetarët duhet të bëjnë më shumë se veç të ulen e t’i shikojnë politikanët duke garuar. E kur flasim për këtë, qytetarët nuk duhet të mendojnë se mundësia e tyre e vetme është të dalin e të votojnë një herë në disa vjet dhe të shpresojnë për përfundim pozitiv. Duhet të fillojnë t’iu kushtojnë vëmendje gjërave dhe të përfshihen, t’ua shprehin në mënyrë aktive dëshirat e tyre zyrtarëve dhe politikanëve të zgjedhur dhe t’ju kërkojnë përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e tyre.

E treta, shoqëria civile e fortë dhe mediet e pavarura janë thelbësore për lulëzimin e demokracisë. Shoqëritë demokratike duhet t’i forcojnë institucionet dhe t’i mbrojnë liritë themelore për të siguruar që çdo qytetar – pa marrë parasysh gjininë, moshën apo etninë – ka mundësi të barabartë për të kërkuar të ardhme më të mirë dhe ka zë të barabartë në jetën e vendit.

Amerikanët rriten duke besuar në këtë. Kur gjyshërit e mi emigruan në SHBA para një shekulli, Amerika rëndomtë konsiderohej “kazan”. Teoria ishte se bashkësitë imigruese do të shkriheshin në kulturën dominuese amerikane, do të linin prapa kulturat, gjuhën dhe madje edhe fetë nga vendet e tyre amë. Të gjithë ishin të mirëpritur nëse “amerikanizoheshin”. Kur fillova të shkoj në shkollë, para 50 viteve, ajo teori u zëvendësua me metaforën se Amerika është “enë për sallatë” ku përbërësit e kulturave të ndryshme përziheshin për të krijuar diçka të pasur dhe të shijshme.

Sot shohim se si bashkësitë imigruese pasurojnë kulturën dhe shoqërinë tonë. Është e natyrshme për amerikanët – madje edhe pas shumë brezave – që të nderojnë paraardhësit e tyre përmes kulturës dhe gjuhës. Mbajtja gjallë e atyre traditave i ndihmon Amerikës për të mbajtur partneritete aktive nëpër tërë botën, në biznes, botën akademike, kulturë, siguri, diplomaci. Amerika lulëzon kur e shohim llojshmërinë si burim të fuqisë dhe pasurisë.

Këtu do të ishte mirë të theksoj se amerikanët nuk pohojnë që i dinë të gjitha përgjigjet se si të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë. Por, vazhdojmë të punojmë drejt atij qëllimi. Le ta bëjmë së bashku.

Amerikanët e konsiderojnë llojshmërinë etnike, kulturore dhe gjuhësore të Kosovës të rëndësishme për identitetin e vendit dhe mënyrë për të ndërtuar themele më të forta për të ardhmen në paqe, drejtësi dhe prosperitet. Respekti për llojshmërinë është element thelbësor i lidhjes së Amerikës me Kosovën. E mirëpres ditën kur të gjithë në Kosovë do ta shohin llojshmërinë e vendit si çështje pozitive. Kur ata njerëz, që të paktën e tolerojnë praninë e pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme, arrijnë ta shohin llojshmërinë si burim të fuqisë dhe burim të krenarisë.

Për njëzet vjet, amerikanët e kanë përkrahur Kosovën në rrugëtimin drejt mundësive dhe drejtësisë së barabartë, përfshirë edhe përmes investimit në shoqërinë civile të Kosovës përmes granteve, arsimimit, trajnimeve dhe programeve të shkëmbimit.

E bëjmë këtë sepse besojmë që një shoqëri civile e larmishme, aktive, por mbi të gjitha, e guximshme është ndër shtyllat e shoqërisë demokratike. Por, të jemi të qartë: krejt çka të huajt mund të bëjnë është t’ju ndihmojnë për t’i zhvilluar mjetet që ju duhen si shoqëri për të ndërtuar të ardhme më të mirë.

Bashkësia shumica duhet të punojë për krijimin e mjedisit përfshirës brenda institucioneve dhe shoqërisë. Ka çështje praktike ku ministritë dhe institucionet e Kosovës duhet të punojnë më mirë. Po flas për çështjet si mundësi të barabarta për punësim në sektorin publik dhe privat; përmbushja e kuotës 10% për punësim për bashkësitë jo-shumicë; respektimi i të drejtës së gjuhës. Arritja e çfarëdo përparimi në këto çështje hap dyert për përfshirje.

Por, bashkësia shumicë nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e Kosovës e vetme. Pra, si mund të ndihmojnë pjesëtarët e pakicave që Kosova ta arrijë barazinë që kërkohet me Kushtetutë? Si qytetarë të Kosovës, ju luani rol thelbësor për ta shtyrë shoqërinë përtej retorikës helmuese të politikanëve, të cilët nganjëherë duket se më shumë duan t’i manipulojnë tensionet për përparësi politike se sa për ti zgjidhur ato. Disa prej jush jeni përballur me presion nga zyrtarët qeveritarë, mediet, madje edhe bashkësitë tuaja për shkak të përkushtimit tuaj për t’ju kërkuar llogari institucioneve dhe individëve në pushtet. Nevojitet guxim dhe durim për t’i vazhduar përpjekjet, shpresën për të besuar se ndryshimi është i mundshëm.

Bashkëqytetarëve tuaj ju duhen prijës – jo vetëm në qeveri, por në tërë shoqërinë – që do të japin shembull të guximit dhe shpresës. Atyre ju duhen njerëz si ju për t’i kërkuar të drejtat e tyre, për t’i ndriçuar shkeljet e lirive themelore, për ta luftuar korrupsionin, si dhe për të kërkuar qasje të barabartë në shërbime për çdo qytetar të Kosovës.

E Kosovës i duhen udhëheqës të masave nga të gjitha bashkësitë që janë jo vetëm të gatshëm për të punuar në këto çështje, por që në mënyrë aktive synojnë të gjejnë mundësi për të punuar së bashku përtej vijave etnike, gjinore, fetare dhe ideologjike. Në historinë e re të Kosovës ka shembuj praktikë të këtij bashkëpunimi. Vitin e kalular pamë se si një grup shumetnik i qytetarëve në Mitrovicën e Veriut u bashkua për ta trajtuar çështjen e qenëve endacakë në rrethin e tyre. Pamë aktivistë nga bashkësitë e ndryshme anembanë Kosovës duke i bashkuar forcat për të kërkuar ujë të pastër dhe mbrojtje të mjedisit.

Gjithashtu, kam folur edhe më herët për nevojën për t’ia hapur dyert të ardhmes duke shqyrtuar me çiltërsi të kaluarën. Kosovës i duhen qytetarë për t’i sfiduar politikanët dhe njerëzit me ndikim që vjellin urrejtje ndaj etnive tjera ose që mohojnë rëndësinë e drejtësisë për pjesëtarët e grupeve tjera. Me fjalët e studiuesit dhe diplomatit të hershëm amerikan, Ben Franklin: “Nuk do të ketë drejtësi të njëmendtë deri atëherë kur ata që nuk preken nga padrejtësia të jenë po aq të mllefosur sa ata që preken”.

Prandaj, përderisa fillon viti i ri, ju nxis të thelloni bashkëpunimin me kolegët tuaj dhe të shtrini dorën përtej ndarjeve të bashkësive. Le të jetë ky vit i ideve të reja, bisedave të vështira dhe veprimit praktik. Përderisa qarkulloni nëpër sallë, kolegët nga ambasada dhe unë me padurim presim të dëgjojmë si mund t’ju ndihmojmë në realizimin e qëllimeve të përbashkëta që Kosova të bëhet vend më i mirë për të gjithë qytetarët e saj.

Të ngrejmë dolli për paqe, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë në 2020-n.