Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë prezantimit të raportit për Ekipin përgatitor të Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, 4 mars 2020
Mirëmëngjesi z. President, zonja dhe zotërinj, mysafirë të nderuar. Kam nderin që jam këtu për të shënuar këtë të arritur të hershme në procesin e të vërtetës dhe pajtimit.
Ambasada amerikane e ka mbështetur punën e Ekipit përgatitor të KVP-së prej fillimit të tij dhe na vjen mirë që kemi financuar këtë anketë të perceptimit të opinionit publik. Vendet e tjera të dala nga lufta kanë përfituar nga komisionet e ngjashme, së pari duke ofruar një lloj përmbylljeje për familjet e viktimave dhe së dyti, duke krijuar bazë të shëndoshë për pajtimin e ardhshëm ndëretnik. Puna e një komisioni për të vërtetën dhe pajtimin është me përgjegjësi të madhe: ka detyrim ndaj atyre që kanë humbur jetën, ndaj atyre që i përkujtojnë ata dhe për brezat e palindur ende.
Pajtimi do të thotë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Përkufizimi që e kam në mendje ka të bëjë me angazhim të sinqertë rreth të kaluarës për të ndërtuar të ardhme të përbashkët.
Prandaj, ne e mbështesim punën e Ekipit përgatitor të KVP-së duke nënkuptuar që Ekipi do të vazhdojë të punojë me integritet dhe objektivitet dhe pa agjendë politike. Për të qenë i suksesshëm, KVP-ja duhet të përqendrohet në viktima dhe të jetë gjithëpërfshirës. Komisioni duhet të mundësojë që të dëgjohen rrëfimet e të gjitha viktimave, nga të gjitha komunitetet e Kosovës.
Komisionet në Timorin Lindor dhe në Afrikën e Jugut na e kanë treguar rrugën që duhet ta ndjekim. Duke kuptuar thelbin e drejtësisë të kauzës për liri, ato komisione nuk kanë ngurruar për t’i raportuar veprat e paligjshme të kryera nga individët nga të gjitha anët në konflikt. Gjatë themelimit të komisionit të së vërtetës të Timorit Lindor, Presidenti Xanana Gusmão tha: „Shumë timorezë kërkojnë përgjigje prej atyre që kanë shkaktuar dhimbje dhe vuajtje. Kur t’i kenë këto përgjigje, njerëzit mund t’ia fillojnë procesit të shërimit dhe t’i mbyllin këta kapituj të tmerrshëm të jetës së tyre”. Kryepeshkopi Desmond Tutu, i cili kryesoi Komisionin e të Vërtetës së Afrikës së Jugut, e përshkroi atë si „inkubator për shërimin kombëtar”.
Besoj se edhe Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin i Kosovës duhet të punojë me të njëjtin guxim. Sepse sipas fjalëve të veprimtares amerikane për të drejtat civile, Ida Wells: “Mënyra më e mirë për ti ndrequr të këqijat është duke e ndriçuar të vërtetën për to”.