Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Premierës së filmit dokumentar kundër korrupsionit, 10 dhjetor 2018
Jam shumë i gëzuar që po ju pres të gjithëve në premierën e filmit dokumentar: “Korrupsioni: Askush nuk është mbi ligjin”. Shpresojmë që ky film t’ju frymëzojë për të gjetur mënyra të reja për ta luftuar korrupsionin. Të gjithë që jeni këtu dhe të tjerët që po e shikojnë filmin në shtëpi, çdo individ e organizatë e ka për detyrë që të veprojë me integritet, ti nxjerrë në shesh praktikat korruptuese dhe ti raportojë ato te organet e drejtësisë. Kjo është e vërtetë qoftë nëse jeni zyrtar publik, nëse bëni biznes në sektorin privat, luani rol në shoqërinë civile apo punoni në medie. Të gjithë luajnë pjesën e tyre në ndriçimin e korrupsionit.
Dëshiroj ti përmend Fidan Ramën dhe Laurat Gashin, gazetarin dhe kameramanin, që së së bashku me Nori Haxhibeqirin nga ambasada jonë, udhëtuan nëpër tërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të na rrëfyer se si organet e zbatimit të ligjit, shoqërisë civile dhe mediet punojnë së bashku për ta luftuar korrupsionin në komunitetet amerikane.
Në film do të shohim se ka shumë mënyra për ta luftuar korrupsionin. Inovacioni dhe kreativiteti janë përbërës kyç në luftimin e korrupsionit në të gjitha format. Në Kosovë, individë nga organet e zbatimit të ligjit dhe shoqëria civile tashmë janë të përfshirë në këtë punë thelbësore. Duhet ta pranojmë se nuk mund vetëm të rrimë ulur dhe të presim që individët e korruptuar të ndërrojnë sjelljen e tyre. Dhe nuk mund të presim që të tjerët ta luftojnë këtë problem për ne.
Shpresojmë se do të frymëzoheni nga individët në këtë dokumentar që ishin pro-aktivë në luftimin e korrupsionit. Do të shihni se si ata hartojnë planin për tu përballur me korrupsionin drejtpërdrejt, si dhe guximin e tyre moral dhe kohën që ia kushtuan fitimit të drejtësisë. Kjo gjë kërkoi vizion, përkushtim dhe sakrificë. Zbulimi dhe burgosja e të korruptuarve është punë e mundimshme dhe në komunitetet si Çikago, Nju Jork dhe Siatël, drejtësia mbizotëroi sepse disa individë të vendosur ishin të përkushtuar ndaj idealit për ta eliminuar korrupsionin.
Shpresojmë që ky film do të nxisë diskutime në mesin e veprimtarëve të shoqërisë civile, ligjvënësve, zyrtarëve publikë, si dhe në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. E pastaj shpresoj që ato diskutime do të sjellin te veprimet konkrete në Kosovë. Filmi nënvizon disa prej praktikave të rëndomta që përdoren për ta luftuar drejtpërdrejt korrupsionin në SHBA dhe shpresojmë që duke i parë rrëfimet se si zyrtarët e zbatimit të ligjit i kanë hetuar rastet e shmangies së tatimit dhe si e kanë konfiskuar pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme do të frymëzojë ndërmarrjen e veprimit të ngjashëm këtu, veçanërisht duke e ditur se Kuvendi juaj kohëve të fundit ka miratuar ligje të rëndësishme për t’iu ndihmuar institucioneve në ndërmarrjen e veprimeve të ngjashme.
Prandaj, bashkohuni me mua dhe frymëzohuni nga heronjtë e këtij dokumentari që mundësuan ndryshim përmes përkushtimit dhe vizionit të tyre për një shoqëri të bazuar në qeverisje të mirë dhe në sundim të ligjit.
Ju faleminderit që keni ardhur.