Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë përurimit të ndërtesës së re të ambasadës amerikane në Kosovë

Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë përurimit të ndërtesës së re të ambasadës amerikane në Kosovë, 4 korrik 2019

Zonja dhe zotërinj, Alisoni dhe unë ju falënderojmë të gjithëve që jeni me ne në përurimin e shumëpritur të ndërtesës së re të ambasadës sonë. Presim me padurim fjalimet e mysafirëve tanë, prandaj do të flas shkurt.

President Thaçi, kryetar i Kuvendit Veseli, kryeministër Haradinaj, kryetar i komunës Ahmeti, mysafirë të nderuar!

Prania e kaq shumë zyrtarëve të nderuar të Kosovës pasqyron partneritetin tonë të ngushtë dhe gjallërinë e demokracisë së Kosovës. Nuk do të qëndronim këtu pa mbështetjen e nikoqirëve tanë në nivel qendror dhe komunal.

Kam nderin e posaçëm t’i uroj mirëseardhje kryesuesit të Komisionit për Punë të Jashtme, Z. Eliot Engel dhe z-njës Patricia Engel. Askush nuk ka bërë më shumë se ai për ndërtimin e partneritetit të ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, përfshirë edhe me mbështetjen e kësaj ambasade.

Gjithashtu, jam tepër i lumtur që drejtori Tad Davis nga Byroja e Departamentit të Shtetit për veprimtari ndërtimore jashtë vendit është këtu si përfaqësues i sekretarit Pompeo dhe për t’na ndihmuar për përurimin e kësaj ambasade të bukur, efikase dhe të përparuar nga pikëpamja mjedisore që ajo Byro e ka dizajnuar dhe ndërtuar.

Por, kur them që Departamenti i Shtetit e ka ndërtuar këtë ambasadë, kjo është vetëm një anë e rrëfimit. Me ne sonte janë disa nga ndërtimtarët, inxhinierët, drejtuesit dhe studentët e sektorit privat – nga SHBA-ja dhe Kosova – përpjekjet e palodhshme të të cilëve e kthyen ëndrrën në realitet. Edhe ata e meritojnë një duartrokitje.

Jemi duke i kryer punët e fundit në brendi para se ambasada të çelet për biznes diku kah vjeshta e hershme. E pastaj do të bëhet vend pune i rangut botëror për punonjësit amerikanë dhe vendorë nga gjithë ato agjenci amerikane në Prishtinë që për herë të parë do të veprojnë nën një kulm.

Por, kjo ambasadë është më shumë se veç një ndërtesë dhe nga ajo nuk do të përfitojnë vetëm punonjësit e saj. Sektori i zgjeruar i konsullatës do të mbrojë dhe do t’ju shërbejë shtetasve dhe udhëtarëve amerikanë dhe do t’ua lehtësojë udhëtimin në SHBA biznesmenëve, studentëve dhe vizitorëve kosovarë. Do të kemi vend dhe hapësirë për ta bërë ambasadën vendtakim ku mund të takohen burrështetasit, studiuesit, artistët dhe ndërmarrësit nga të gjitha komunitetet e Kosovës.

Dhe në fund, ambasada e re është manifestim fizik i përkushtimit të Amerikës për partneritet të qëndrueshëm me Republikën e Kosovës. Përderisa vazhdoni rrugëtimin për të mundësuar paqe, drejtësi dhe prosperitet për tërë popullin e këtij vendi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap.