Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë Konferencës së Fondacionit Jahjaga për Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, 8 mars 2019
Presidente Jahjaga, kryeministër, kolegë, zonja dhe zotërinj,
Kam nderin që jam këtu për të folur rreth një teme që meriton më shumë vëmendje – këtu dhe në të gjitha vendet – përderisa Kosova dhe fqinjët e saj vazhdojnë të mbërthehen nga e kaluara e luftës. Konferenca e sotshme më përkujton një citat që e kam për zemër nga aktivistja amerikane për të drejta civile e shek. XIX, Ida Wells, e cila ka thënë: “Mënyra për të ndrequr të këqijat është duke e ndriçuar të vërtetën e tyre”.
Prandaj, i respektoj dhe i admiroj shumë të mbijetuarat që kanë dalë hapur dhe na kanë treguar se si mbështetja nga familjet, bashkësitë dhe qeveria mund t’ju ndihmojë viktimave për të rifilluar të rindërtojnë jetën e tyre. Siç e tha edhe presidentja Jahjaga, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila doli hapur si e mbijetuar vitin e shkuar, është heroinë e tillë.
Fuqizimi i të mbijetuarave nuk iu ndihmon vetëm atyre dhe familjeve të tyre, por bën diçka jetike për Kosovën dhe fqinjët e saj: zvogëlon stigmën shoqërore dhe krijon hapësirë për bisedë publike të sinqertë për luftën dhe si të përballemi me të kaluarën. Një bisedë e tillë duhet të mundësojë hapësirën për zërat dhe këndvështrimet e viktimave nga të gjitha komunitetet.
Sepse pranimi i të vërtetës historike është hapi i parë në përballjen me trashëgimitë e dhunës. Kryeministri vuri në pah vlerën e të mësuarit nga përvoja e vendeve tjera e ambasadori Heldt e tha një dëshmi shumë të fuqishme të përvojës nga Gjermania. Edhe në Amerikë, pranimi i të vërtetës historike ka qenë hapi i parë në përballjen me trashëgiminë e dhunës. Gjatë shekujve të kaluar, në Shtetet e Bashkuara fushatat e organizuara të dhunës me motive politike – linçimet, përdhunimet, zjarr-vënia – janë mbështetur nga strukturat lokale të për të shtypur të drejtat e afrikano-amerikanëve dhe pakicave tjera. Kjo trashëgimi e tmerrshme ende njollos politikën tonë dhe sfidon ndjenjën e unitetit tonë kombëtar.
Tani, në shek. XXI, po fillojmë ta kuptojmë dhe të mësojmë nga e kaluara jonë. Institutet si Muzeu i Smithsonianit i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në Uashington dhe Nisma për Drejtësi të Barabartë në Montgomeri të Alabamës, po e po e ndriçojnë të vërtetën e të kalurës sonë, pikërisht siç ka thënë Ida Wells para më shumë se një shekulli. Si amerikanë, as ne nuk i kemi të gjitha përgjigjet se si të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, por po përmirësohemi duke shtruar pyetje.
Më vjen mirë që mund të them se Kosova nuk po pret aq gjatë për tu ballafaquar me të kaluarën e vet. Kosova ka arritur përparim të njëmendtë në krijimin e mjedisit të sigurt për viktimat që të flasin hapur, si dhe për t’ju vënë në dispozicion shërbimet dhe resurset jetike kur ato flasin. Ky sukses është arritur sidomos me punën e njerëzve në këtë sallë, me mbështetjen e shumë prijësve politikë të Kosovës. Presidentja Jahjaga dhe të tjerët – përfshirë edhe Feride Rushitin, fituesen e çmimit ndërkombëtar Grua e Guximshme – po prijnë në ballafaqimin në mënyrë pro-aktive dhe të përgjegjshme me trashëgiminë e luftës.
Por, dëshiroj ti përmendi dy fusha ku besoj politikanët duhet ta ndryshojnë qasjen e tyre.
E para: për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi dhe shërbime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës nga pakicat. Duket se disa prijës ndjejnë se nëse e bëjnë këtë do të nënkuptonte ndjenjën e barazisë morale të mizorive të miratuara nga shteti gjatë periudhës së luftës dhe krimeve të tjera të kryera gjatë dhe pas luftës. Më duhet të mos pajtohem – sepse për vlerësim të ndershëm të të kaluarës – dhembshuria dhe mbështetja duhet t’ju jepet të gjitha viktimave.
Ofrimi i shërbimeve, përfshirë edhe pensioni, për pakicat shpreh mirëkuptimin se viktimat, pa marrë parasysh ku jetojnë e çfarë gjuhe flasin, përballen me të sfidat e njëjta dhe kërkojnë të njëjtën mbështetje.
E dyta, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, dëshiroj të kërkoj që vëmendja që ju kushtohet viktimave të mizorive të luftës, t’ju kushtohet edhe viktimave të krimeve kundër grave, përfshirë edhe viktimave të dhunës familjare. Edhe ato meritojnë drejtësi dhe shërbime, si dhe mundësinë për tu dëgjuar.
Në përmbyllje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për të gjitha gratë e guximshme që e kanë mundësuar këtë konferencë. Sepse me fjalët e një heroi tjetër amerikan, Martin Luther King: “Jeta jonë fillon të marrë fund kur heshtim për gjërat që kanë rëndësi”.
Ju faleminderit për vëmendje.