Fjala e ambasadorit Kosnett gjatë konferencës mbi dezinformimin, 9 qershor 2021
Mirëdita. Ju faleminderit për fjalët e mira. Kam nderin dhe privilegjin që jam këtu. Herën e fundit që kam folur në një Konferencë mbi Dezinformimin ishte në dhjetor 2019. Atëkohë, as që e dinim që jemi në prag të pandemisë mbarëbotërore. Si mund ta dinim, edhe pse shkencëtarët na kishin paralajmëruar për vite të tëra? Janë shkruar romane e janë xhiruar filma për të, për mundësinë e një virusi që kaplon botën dhe për qytetarët që bëhen bashkë përkundër dallimeve për ta mposhtur atë – edhepse pandemia jonë e fundit ishte pa vampirë. Duket thuajse e mundshme, sa që mund të jetë e vërtetë. Kështu fillojnë shumë dezinformata – deklarata të rrejshme të mbështjella me një grimcë të së vërtetës.
Kjo shpesh mund të paraqesë sfidë – ndarja e fakteve nga trillimi, ndarja e të mundshmes nga e pamundshmja. Cila informatë është e besueshme, e cila është dezinformatë me qëllim të mashtrimit? Të dy këto lloje të informatave gjenden në hapësirat mediale, në radio e televizion, në lajmet që shkëmbehen në bisedat me miqtë e familjen, e posaçërisht në mediat sociale.
Në epokën digjitale, sasia e pamasë e informatave në dispozicion dhe që shkëmbehen është e jashtëzakonshme. Gjejmë informata në internet për të mbështetur mendimet tona apo për të bindur veten për pothuajse gjithçka – përfshirë vampirët, zombitë dhe vaksinat që përdoren për të futur në to mikroçipë. Teoritë e komplotit lulëzojnë e thashethemet rrjedhin pandalur.
Në mes të kësaj teprice me informata qëndrojnë shkencëtarët, hulumtuesit dhe gazetarët e palodhshëm që përpiqen t’ju ofrojnë qytetarëve në komunitetet e tyre dhe anembanë botës informata të sakta – informata për t’i udhëzuar qytetarët, bizneset dhe qeveritë; informata për familje për të planifikuar të ardhmen; si dhe informata nga të cilat mund ta pasurojmë mendjen, të mësojmë dhe të rritemi.
Ju që keni marrë pjesë në konferencën e kaluar, më keni dëgjuar duke i treguar përvojat e mia personale se si është bërë shkëmbimi i lajmeve në vitet 1960 dhe 1970 dhe anekdota nga historia – po, unë jam i vjetër sa dinosauri dhe tregimet e mia janë rrëfime historike. Ju pata thënë se i dëgjonim lajmet nga transmetimet në mbrëmje nga vetëm disa stacione televizive. Atëbotë nuk mund të hyja në internet dhe menjëherë të verifikoja faktet për çkado që dëgjoja e as të përhumbisja paqëllimshëm duke klikuar lajm pas lajmi. Nëse dëshiroja më shumë informata, mund të hulumtoja në librat në bibliotekë ose të pyesja dikë që i besoja si burim i sigurtë.
Herën e fundit kur kemi biseduar, gjithashtu ju pata treguar për qeveritë autoritare dhe si i përdorin informatat për të kontrolluar qytetarët e tyre. Por, më lejoni të jem i qartë: dezinformatat nuk janë taktikë vetëm e regjimeve autoritare; dezinformatat gjenden edhe në demokraci. Krijimi i dezinformatave në shoqëri demokratike është armë vdekjeprurëse, siç e pamë të gjithë më 6 janar.
Zgjedhjet demokratike gjithnjë e më shumë janë në shënjestër të fushatave dezinformuese nga brenda dhe nga jashtë – qoftë për të mbajtur dikë në pushtet apo për të parandaluar dikë tjetër nga marrja e pushtetit; ose për të shtresuar rrugën për kandidatët që do të ndihmojnë dikë politikisht apo për t’i bërë të mira. Madje edhe vetë zgjedhjet e lira dhe të drejta si simbol i demokracisë mund të jenë në shënjestër të fushatave dezinformuese.
Edhe pse dezinformatat mund të vijnë nga çdo drejtim, qeveritë kanë qenë ndër shënjestrat kryesore – jo vetëm këtu në Kosovë, por nëpër tërë botën. Në Amerikë, e pamë se si përdorimi i dezinformatave çoi në sulmin ndaj ndërtesës së Kapitolit. Në Kosovë, Instituti Kombëtar Demokratik gjeti se dezinformatat u përqendruan në pandeminë e COVID-19, përkeqësuan tendosjet politike ndërmjet partive dhe promovuan urrejtjen ndaj grave.
Në raportet e monitorimit të mediave, IDK-ja vazhdimisht raportoi se kishte dezinformata me bollëk në zgjedhjet në Kosovë. Në zgjedhjet e fundit, të gjitha partitë politike lëshuan dezinformata të ndryshme kundër kundërshtarëve të tyre. Veçanërisht pati sulme kundër kandidateve, shpesh me gjuhë të ashpër ose seksiste. Kjo ishte e vërtetë në dy-tri zgjedhjet e fundit dhe do të vazhdojë derisa përfaqësuesit e partive politike të marrin vendim të ndërgjegjshëm për të mos përdorur gjuhë të tillë. I nxis të gjitha partitë ta bëjnë këtë meqenëse përdorimi i kësaj gjuhe rezulton në diskurs publik përçarës, nga i cili nuk përfiton askush. Përderisa po iu afrohemi zgjedhjeve lokale në Kosovë, na lejoni të përpiqemi që të parandalojmë përhapjen e dezinformatave dhe infektimin e demokracisë së Kosovës.
Gazetarët veçanërisht luajnë rol të rëndësishëm në luftimin e dezinformatave dhe më vjen mirë që po dëgjoj që i kemi gjithë këta gazetarë të ri dhe studentë të gazetarisë që janë bashkë me ne në mënyrë virtuale. Ju përgëzoj që dëshironi të mësoni më shumë për këtë problem “të ligë” me të cilin po përballemi. Si gazetarë, ju – që e mbani penën – keni përgjegjësinë kryesore për ta thënë të vërtetën. Në këtë epokë të rrjeteve sociale, përgjegjësia është edhe më serioze sepse ju mund dhe zgjedhni çka të shkruani, botoni dhe shpërndani.
Ju nxis që të kërkoni standardin më të lartë të gazetarisë në punën tuaj dhe të vazhdoni që qëllimshëm të luftoni dezinformatat dhe keqinformatat. Mund ta bëni këtë duke u informuar, duke kërkuar standarde të larta etike nga vetja dhe të ndani kohë për të verifikuar faktet dhe praktikat editoriale. E di se është vështirë t’i bëni këto gjëra kur keni afat të shkurtë kohor, por qytetarët llogarisin në ju si burim kritik i informatave të besueshme që i marrin.
Raportimi më i saktë medial nga gazetarët dhe verifikimi i fakteve të storieve përbëjnë vetëm një mënyrë për luftimin e dezinformatave. Gjithashtu, mund ta shohim këtë çështje nga drejtimet e ndryshme dhe nga të gjithë sektorët, përfshirë nga shoqëria civile, bota akademike, teknologjia dhe institucionet publike duke bashkëpunuar dhe duke e edukuar publikun për rrezikun e dezinformatave, duke bërë përditësimin e kurrikulës shkollore, si dhe duke i mbështetur programet që mësojnë të menduarit kritik dhe edukimit mediatik.
Shpresoj që kjo konferencë dhe raportet e monitorimit të mediave do të na ndihmojnë të gjithëve që t’i kuptojmë më mirë sfidat informatike përreth nesh në epokën digjitale. Më lejoni t’jua përkujtoj se të gjithë ne, madje edhe qytetarët individualë që lexojnë, shpërndajnë apo pëlqejnë në rrjetet sociale, luajmë rol në këtë.
I nxis gazetarët, institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile që të fillojnë të zhvillojnë mjetet e domosdoshme për luftimin e fenomenit që po diskutohet sot, përfshirë edhe zgjidhjet për zbutjen e manipulimit të informatave dhe fjalës së dëmshme. Jemi të përkushtuar të punojmë me partnerët tanë për të ndihmuar që t’i ndërtojmë këto mjete dhe që t’i bëjmë ato realitet për qytetarët e Kosovës.
Ju faleminderit.